Shkupi, Tetova dhe Gostivari janë vatrat kryesore të kovid-19 në vend

Shkupi, Tetova dhe Gostivari kanë numrin më të madh të të infektuarve me kovid-19, por lakorja që ishte në rritje javët e fundit tashmë po korrigjohet, kurse paralelishtrritet edhe numri numri i qytetarëve të shëruar dhe të vaksinuar, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat e fundit ditore regjistruan 882 raste të reja të kovid-19, nga gjithsej 6.591 teste të kryera, ndërsa kanë vdekur 14 persona të moshës 49 deri 84 vjeç.

Që nga fillimi i epidemisë në vend, janë diagnostikuar 168.872 persona pozitivë me kovid, 152.098 janë shëruar dhe 5.668 persona kanë vdekur. Numri i rasteve aktive është 11.106, nga të cilat pothuajse dy të tretat janë në tre qytete – Shkup 3.693, Tetovë 1.855 dhe Gostivar 1.513. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht nuk ka qytet në vend pa raste aktive me Kovid-19.

Sot vazhdon vaksinimi në qendrat shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi në fundjavë se, për shkak të rritjes së interesit për vaksinim, nga e mërkura ose e enjtja do të rihapet pika në qendrën sportive “Boris Trajkovski”, por në sallë të vogël.

Sipas tij, procesi i imunizimit po shkon mirë në të gjitha pikat dhe deri më tani janë mbi 650 mijë qytetarë që kanë marrë të paktën një dozë vaksine, ndërsa numri i të rivaksinuarve ka arritur në gjysmë milioni.

“Përsëri do të rihapet ‘Boris Trajkovski’, për të cilën disa nga punonjësit e Qendrës shëndetësore që ishin me pushime i ndërprenë për ta vënë në punë. Do të jetë sallë e vogël, nuk është e madhja, dhe do të ketë rreth 20 vende ku mund të kryhen vaksinimet. Besoj se do të lehtësojë bllokimet dhe radhët që kemi para qendrave shëndetësore”, tha Filipçe.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, ka nga të gjitha llojet dhe në sasi të mjaftueshme, duke theksuar se në qytetet ku përqindja dhe interesi për vaksinim është i lartë nuk ka fluks në spitalet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button