Filipçe për protestën e mbrëmshme kundër masave: Kush thotë se vaksinimi është i detyrueshëm, manipulon

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka reaguar ndaj protestës së mbrëmshme që u mbajt në Shkup kundër masave anti-Covid. Sipas tij, protesta është e garantuar me Kushtetutë, po ashtu edhe shëndeti i njerëzve, njofton Portalb.mk.

“Protesta është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, por gjithashtu edhe shëndeti. Masat që i propozojmë tani më janë dëshmuar efikase, a vaksinimi është e vetmja mënyrë që ta luftojmë virusin. Nëse më herët për benefitin e vaksinave kemi dëgjuar vetëm në lajmet nga bota ose lexonim studime mjekësore, sot tanimë atë mund ta konfirmojmë me atë që ndodh te ne. Fakti që madje 90% e të infektuarve të rinj janë jo të vaksinuar dhe po aq përqindje të hospitalizuare, është vërtetim i pamëdyshëm që vaksinat janë efikase”, thotë Filipçe.

Ai thotë se vaksinimi në Maqedoninë e Veriut nuk është i detyruar.

“Çdokush që tenton të tregojë se po kryhet gjoja vaksinim i detyruar e manipulon opinionin. Askush nuk është i detyruar në asgjë, obligimi i shtetit është ta mbrojë shëndetin publik dhe të miratojë masa. E kuptoj që ende ka frikë dhe mëdyshje te një pjesë e qytetarëve dhe ajo farë nuk është për gjykim. Përskaj shëndetit tonë, detyra e jonë si Qeveri është që të informojmë për përfitimet nga vaksinat dhe atë do të vazhdojmë ta bëjmë”, shton Filipçe.

Ai edhe njëherë bën apel që qytetarët të vaksinohen pasi që kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza shëndetësore.

Ndryshe, derisa e tërë bota po lufton me COVID-19 dhe në ndërkohë ka rritje dramatike të rasteve dhe vdekjeve, mbrëmë në Shkup, u mbajt protestë para Kuvendit dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut kundër vaksinimit dhe masave të reja restriktive kundër COVID-19 të cilat sot hyjnë në fuqi për ta parandaluar shpërndarjen e virusit.

Protestuesit nuk i respektuan masat anti-Covid të cilat janë në fuqi, gjegjësisht asnjëri nuk mbante maska e distancë. Në qoftë se qytetarët do të vepronin në këtë mënyrë, autoritetet e rendit do t’i gjobisnin.

Njerëzit që mbanin fjalime para turmës që ndodhej para Kuvendit, dhanë komente të tilla si “s’ka virus”. Reagimi i turmës ndaj këtyre deklaratave ishte përshëndetës dhe pritej me ulërima dhe duartrokitje.

Në ndërkohë, turma dërgonte dhe porosi si “Vrasës”, “liri”, “Shko Zaev”, që nuk kishin të bëjnë me protestën, të tilla si “Asnjëherë e Veriut, vetëm Maqedonia”, “Maqedonia”, por edhe me përmbajtje skandaloze si “mjekët janë vrasës”, si dhe ofenduese si “Filipçe pederast”. Para Qeverisë, turma i dogji maskat mbrojtëse.

Protesta vjen në kohën që në mënyrë drastike janë rritur numrat ditor të të infektuarve me COVID-19 dhe kur autoritetet vazhdimisht bëjnë thirrje për respektim të masave anti-Covid dhe vaksinim të popullatës.

Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 805 raste të reja me COVID-19 dhe 10 të tjerë kanë vdekur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button