Talibanët kanë hyrë në Kabul teksa presidenti afgan është larguar nga vendi

Militantët talibanë kanë hyrë brenda Kabulit dhe kanë kërkuar dorëzimin e qeverisë qendrore, thanë zyrtarët, teksa afganët dhe qytetarët e huaj po tentojnë që të largohen nga Kabuli, raporton agjencia Associated Press.

Presidenti i Afganistanit, Ashtraf Ghani është larguar nga vendi, tha përmes një video-mesazhi Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit Kombëtar afgan për Pajtim.

Reuters raporton se Ghani është larguar për në Taxhikistan, ndërkaq nga zyra e tij kanë thënë se nuk mund të komentojnë për këtë informacion “për arsye të sigurisë”, transmeton REL.

Talibanët janë zotuar se nuk do ta marrin Kabulin përmes forcës, teksa më herët u tha se po mbaheshin bisedimet me zyrtarët e lartë afganë për transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore.

Ministri në detyrë i Brendshëm i Afganistanit, Abdul Satar Mirzakwal tha më 15 gusht përmes një video-mesazhi më 15 gusht se do të ketë transferim “paqësor” të pushtetit te një qeveri kalimtare.

Një zyrtar afgan i ka thënë AP-së se negociatorët talibanë janë nisur drejt Pallatit presidencial për t’u përgatitur për “transferimin” e pushtetit. Ky zyrtar tha se qëllimi është që të ketë një transferim paqësor të pushtetit te militantët talibanë.

Ndërkaq, një zëdhënës i talibanëve ka konfirmuar për Radion Azadi se bisedimet po zhvillohen për marrjen e pushtetit në mënyrë paqësore, por ai nuk ka dhënë më shumë detaje.

Më herët, Pallati presidencial në Afganistan tha se kanë dëgjuar të shtëna armësh në disa pika përreth Kabulit, por forcat e sigurisë, në koordinim me parnerët ndërkombëtarë, e kanë kontrollin e qytetit.

“Mos bëni panik. Kabuli është i sigurt”, tha në Twitter, Matin Bek, shef i stafit të presidentit afgan, Ashraf Ghani.

Avancimi i talibanëve drejt Kabulit vjen në kohën kur forcat ndërkombëtare po evakuojnë diplomatët pas përkeqësimit të situatës së sigurisë.

Ambasada amerikane dhe misione të tjera diplomatike, të shteteve evropiane, po përshpejtojnë përpjekjet e tyre për të evakuuar stafin e ambasadave.

Në Kabul më 15 gusht, u panë helikopterë të ushtrisë amerikanë duke fluturuar mbi Ambasadën amerikane dhe makina të blinduara.

Zyrtarët e Ambasadës amerikane janë udhëzuar që të shkatërrojnë materialet e ndjeshme, por edhe gjëra të tjera, siç është logoja e ambasadës, flamujt amerikanë ose edhe gjëra të tjera që “mund të përdoren për propagandë”, tha CNN, duke cituar një njoftim që i është dërguar punonjësve të ambasadës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button