Afganistan, vazhdon tradita shekullore e mbledhjes në iftare të përbashkëta në xhami

Në Afganistan vazhdon tradita shekullore e “ndarjes së sofrës” gjatë iftarit në muajin e Ramazanit. Rrënjët e kësaj tradite datojnë në periudhën e Timuridit, madje edhe sot ajo mbahet pothuajse në të gjitha xhamitë e qytetit historik të Heratit, i njohur si djepi i Khorasanit, transmeton Anadolu.

Falë kësaj tradite, e cila në të kaluarën njihej si “pjata e fqinjit” në çdo xhami në fillim të Ramazanit shtrohet një tavolinë, ku ushqimet sillen nga ata që kanë kushte të mira ekonomike dhe u shpërndahen të varfërve.

Është një mesazh unik harmonie dhe bashkimi ndërsa pjatat e domosdoshme në ato tavolina janë orizi, supa dhe çorba.

Zulmey Safa, kreu i Agjencisë së Mbrojtjes së Antikiteteve të Provincës Herat në Afganistan, tha për Anadolu se tradita daton që nga periudha paraislamike Ariyayi, por se është një traditë e përjetësuar e sundimtarëve të Timurit.

“Qëllimi i kësaj tradite është ndarja e iftarit me ata që nuk kanë mjete financiare. Të gjithë ata që vijnë në xhami janë të kënaqur me këtë traditë, e cila është ruajtur që nga koha kur Herati ishte kryeqyteti i Timuridëve. Kjo simbolizon ndarjen, harmoninë dhe bashkimin”, tha Safa.

Ai theksoi se është bukur të përgatitësh iftar në shtëpi dhe të ftosh miq dhe të afërm, por se është një ndjenjë të çelësh iftar me njerëz, përfshirë edhe shumë të cilët sapo i ke takuar në një ambient kaq të veçantë. Ai shtoi se kjo e bën këtë traditë të rëndësishme si nga pikëpamja fetare ashtu edhe nga ajo humane.

Sayed Abdul Resul Qureshi, një banor i Heratit, tha gjithashtu se “tavolina të unitetit” janë vendosur në xhami çdo Ramazan për aq kohë sa ai mban mend dhe se të pasurit dhe të varfrit e çelin iftarin së bashku në të njëjtën kohë.

“Në Herat ne respektojmë traditat e të parëve tanë. Ne gjithashtu përgatisim supë ose ëmbëlsirë në shtëpi kur jemi në gjendje të mirë dhe e çojmë në xhami. Kur mjetet tona nuk mjaftojnë, ne vijmë vetëm në xhami dhe hamë ushqime të sjella nga të tjerët. Kjo është një traditë shumë e mirë”, tha Qureshi.

Muhammed Zubeyir Fazli, imami i xhamisë “Hafizci Habibullah” në Herat, tha se objekti fetar është 200 vjeçar dhe se tradita e iftareve të përbashkëta është mbajtur gjithmonë atje.

“Kjo traditë tregon solidaritet mes vendasve dhe besimtarëve”, tha Fazli.

Duke thënë se në tavolinën e mbushur spontanisht dhe vullnetarisht mblidhen njerëz nga i gjithë rajoni, Fazli tha se secili duhet të sjellë sa më shumë ushqime, ëmbëlsira apo fruta dhe t’i ndajë me të tjerët.

Ahmet Aka Salihi, po ashtu banor i Heratit, tha se falë kësaj tradite njerëzit në fshat mblidhen rreth një tavoline dhe se kjo paraqet një bukuri të veçantë.

“Përpiqem të sjell edhe unë diçka për tavolinë. Ndonjëherë janë vetëm hurma dhe bukë, por është e rëndësishme të ruhet tradita”, tha Salihi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button