Kur lëvizja kombëtare është më e dobët se veprimi antikombëtar

Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë” është titulli i librit të kujtimeve të Ismail Strazimirit, të botuar nga shtëpia botuese “Naimi” nën përkujdesjen shkencore të akademik Shaban Sinanit, që vin të hedh dritë mbi gjetobashomujët e rremë të politikës shqiptare të viteve 1912 – 1926, përkatësisht, mbi shitjen e interesave vitale kombëtare të paguara me paratë e armiqve tanë, pikërisht nga tipat që thirreshin më zëshëm në vlerat kombëtare edhe religjioze, pra në Atdhe dhe në Zot.

Nga parathënia e veprës në fjalë mësojmë se Ismail Srazimiri (1868-1943) qe dëshmitar i ngjarjeve të tri periudhave të rëndësishme historike: Rilindjes Kombëtare, Shpalljes së Pavarësisë dhe Luftës Antifashiste. Po aty thuhet se: ”Thelbi i gjithë librit është alarmi i brendshëm i utorit për faktin se pikërisht në kohën kur kishte ardhur çasti historik që shqiptarët t’i vinin kurorë pavarësisë së tyre, pikërsht në këto çaste shpërthejnë ambicie dhe veprime shkatërrimtare ndaj pavarësisë së shpallur, lëvizja kombëtare shfaqet më e dobët se veprimi antikombëtar”.

Pa dyshim se të vërtetat e Ismail Strazimirit që u referohen ngjarjeve të viteve 1912-1924 janë të frikshme, sepse në to gjejmë ngjarjet e kohës sonë, ku shqiptarët vazhdojnë të punojnë më shumë për tjetrin sesa për veten e tyre. Ja, shihni me sa lehtësi kryeministri i Shqipërisë ndreq marrëdhëniet me Serbinë e pinjollit besnik të Millosheviqit dhe prishet me Kosovën e bashkëkombasve të tij, i vetëdijshëm se i dashuri Vuçiq është kapërthyer këmbekrye nga propaganda histerike antikosovare dhe ëndërron momentin kur ta ripushtojë atë me dhunë dhe tmerre të reja. Kjo të kujton miqësitë e vjetra të parësisë komuniste shqiptare me Milladin Popoviqin, Dushan Mugoshën dhe Svetozar Vukmanoviq Tempon, synimet e të cilëve nuk qenë raportet e mira ndërfqinjësore me shqiptarët, po trullosja e tyre me andralla për t’i bërë të pandjeshëm ndaj gjëmës që po i përsëritej gjysmës së kombit të ndarë padrejtësisht me kufijtë anakronikë shqiptaro-shqiptarë. Kjo e bën të qartë paaftësinë tonë për të mësuar nga pësimet e së shkuarës dhe i vë vulën atij vargut gjenial të Sabri Hamitit: përsëritja përsëeritet përsëri, që është duke na ndjekur si një mallkim hyjnor, nga i cili duket se nuk do të arrijmë të dalim edhe gjatë dekadave në vijim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button