Logjikë e vjetër dhe kohë e re

Elitat serbe (ato politike, kulturore, religjioze e ushtarake) qëllimisht i kanë akuzuar të tjerët për gjenocid kundër serbëve për ta fshehur gjenocidin dhe krimin shtetëror të shtetit të tyre kundër popujve tjerë.

Pjesëtarët e këtyre elitave jo që nuk kanë pasur brerje të ndërgjegjes për krimet shtetërore, por i kanë akuzuar dhe i akuzojnë viktimat.

Këto elita kanë hartuar projekte për zhdukjen fizike dhe shpirtërore të popujve. Kanë shumëfishuar marrëzira për ta mohuar autoktoninë e shqiptarëve. Kanë propaganduar për kinse ngulitje të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni pas shekullit XV.

Përpilues të programeve, elaborateve ose memorandumeve çnjerëzore janë emrat më me ndikim në politikën dhe kulturën serbe, sikurse: Ilija Garashanini, Vladan Gjorgjeviqi, Jovan Cvijiqi, Svetislav Simiqi, Vaso Çubriloviqi, Ivo Andriqi, Ivan Vukotiqi, Stevan Moleviqi, Dobrica Qosiqi me shokë etj.

Vladan Gjorgjeviqi, madje, i quante shqiptarët si “racë inferiore” dhe “njerëz me bishta”.

Serbia u shtri në territore joserbe pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Shtrirja u bë nëpërmjet pastrimit etnik, sikurse ndodhi në Toplicë, Nish apo Kurshumli. Kryeministri i atëhershëm serb, Milan Piroqanac, tha: “Nëse do t’i lejonim të qëndronin, atëherë ata (shqiptarët) do të na shkaktonin shumë probleme”.

Për krimet serbe gjatë luftërave ballkanike flasin raporti i Komisionit të Karnegit, por edhe shumë gazetarë të huaj, që raportonin nga terreni, sikurse Trocki, Magnusseni etj.

E njëjta logjikë vazhdoi edhe më vonë, veçanërisht me procesin e kolonizimit dhe pastrimit etnik të tokave shqiptare.

Elitat serbe, që ta përligjnin krimin, propaganduan për kinse shpërngulje të serbëve nga Kosova. Jovan Cvijiqi mashtronte se kinse “prej vitit 1876 deri në çlirimin e Serbisë së vjetër” ishin shpërngulur nga Kosova 150 mijë serbë. Ai fliste qëllimisht për kinse “kolonë shqiptarë”.

Serbia, përveç kolonizimit, e filloi edhe procesin e serbizimit. Në viset shqiptare u ndërruan emrat e vendbanimeve. Ekspeditat terrorizuese shoqëroheshin nga priftërinjtë. Ata i ripagëzonin shqiptarët që konvertoheshin nëpërmjet terrorit.

Kolonizimi i privilegjoi ish – ushtarët serbë dhe çetnikët. Sipas planit kolonialist vetëm 35 përqind e tokës pjellore u takonte vendësve, kurse pjesa tjetër u jepej kolonëve serbë: xhandarëve, oficerëve rezervë, veteranëve të Selanikut, çetnikëve etj. Vojvodët e dikurshëm të Lëvizjes Çetnike përfituan si dhurata fshatra të tërë në Maqedoni dhe Kosovë.

Në periudhën 1920 – 1926, serbët vranë dhe burgosën pa gjyq mijëra njerëz. Kjo fazë e kolonizimit zgjati deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, por kësi fazash pati edhe më vonë.

Kolonizimi i tokave shqiptare nuk është fshehur nga qeveria serbe. Në shkrimin “Kolonizimi i Serbisë Jugore”, i botuar në Vreme, më 20 dhjetor 1928, thuhet: “Këshilli Ministror, me propozimin e Lidhjes së Bashkësive Agrare për Serbinë Jugore, e miratoi për Lidhjen vendimin për të blerë tokat e myslimanëve që shpërngulen në Turqi. Ka shumë fshatra myslimane që, ndonëse duan të shpërngulen në Turqi, këtë nuk arritën ta bëjnë, sepse nuk mund ta shesin tokën me çmim të leverdishëm ose kjo ndodh për shkak të spekulantëve dhe uzurpuesve që e pengojnë shpërnguljen. Për një shpërngulje të suksesshme të myslimanëve dhe për përfundimin e suksesshëm të politikës sonë agrare, Lidhja po blen toka të myslimanëve që shpërngulen. Tani është blerë një katund shqiptar rrëzë Malit Sharr, i cili u është falur ardhacakëve. Gjithashtu është blerë edhe një katund turk afër Demir Hisarit, pranë pronave të Mbretërisë. Kjo punë është bërë brenda një muaji. Atje, tashmë, janë vendosur 45 familje serbe që e kanë themeluar bashkësinë agrare me emrin Kraleviq Tomislav. Kjo tokë u është shitur me çmimin blerës. Këta njerëz kanë marrë nga 20 hektarë tokë dhe 25 mijë dinarë për shtëpi. Lidhja do të vazhdojë me blerjen e tokave”.

Historiani serb, Dr. Jovan Haxhivasileviqi, në librin Haxhi Trajkoja nga Shkupi (1933), shkruan për vendosjen e sllavëve në Shkup. Ai thotë: “Shkupi, një qytet i vogël turko-shqiptar, filloi të zgjerohej në fillim të shekullit XIX. Nga fillimi i shekullit XIX, si kudo në Turqinë Europiane, të krishterët filluan të vendoseshin gjithnjë e më shumë në Shkup, i cili nisi ta merrte karakterin e një qyteti të krishterë. Për forcimin e Shkupit, nga ky aspekt, ndikuan kryengritja në Serbi, ndryshimet tregtare në Bosnjë (sërish shkaku i kryengritjes në Serbi), largimi gjithnjë e më i madh i shqiptarëve nga rrethina e Shkupit dhe kushtet gjithnjë më të mira për popullatën e krishterë. Megjithatë, ky ndryshim raportesh, për sa i përket numrit të banorëve, nuk kaloi lehtë dhe pa tronditje. Rrethanat e bujshme në Perandorinë Osmane, veçanërisht në rajonin e Shkupit, ndikuan edhe te banorët myslimanë të Shkupit. Ata u bënë më rezistues dhe më ngulmues kundër të krishterëve, veçmas ndaj të ardhurve të rinj. Nëse myslimanët do ta parashikonin se me ardhjen e të krishterëve në këtë qytet do të ndryshonin rrethanat ekonomike dhe sociale, duke u bërë vendimtare në dëm të vetë popullatës myslimane, ata do të rebeloheshin më shumë kundër vendosjes së të krishterëve në qytet dhe kushedi se çfarë do të kishte ndodhur”.

Kësi shkrimesh kanë firmën e autorëve që kishin bërë elaborate për dëbimin e shqiptarëve, madje për zhdukjen e tyre.

Kolonizimin, dëbimin e popullatës dhe serbizimin e viseve shqiptare e dëshmojnë edhe Kosta Novakoviqi dhe Dimitrije Tucoviqi.

Në vitin 1937, akademiku serb, Vasa Çubrilloviqi, e hartoi elaboratin famëkeq për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia. Ai besonte se kolonizimi nuk i kishte dhënë rezultatet e pritura, prandaj duhej të ndërmerreshin “masa tjera”. Plani çnjerëzor është botuar së fundmi edhe në gjuhën shqipe nga “Klubi i Poezisë” me titullin Dëbimi i shqiptarëve (Origjinal: Istjerivanje arnauta).

Çubrilloviqi në elaboratin e tij, që u botua shumë vonë, sepse ruhej si sekret shtetëror, e projektoi edhe mënyrën e realizimit “të pastrimit” të territoreve nga elementi shqiptar. Ai kërkonte që ndaj shqiptarëve të ushtrohej presion dhe dhunë sistematike, kurse diplomacia serbe duhej ta “përligjte” krimin para botës.

Vendet që duhej të “pastroheshin” nga elementi shqiptar ishin: Dibra e Epërme, Pollogu i Poshtëm dhe i Epërm, Malet e Sharrit, Drenica, Peja, Istogu, Vushtria, Llapi, Graçanica, Nerodimja, Gora, Podrimja, Gjilani, Kaçaniku etj.

“Midis këtyre rajoneve, që përbëjnë të gjithë bashkë pykën shqiptare, më të rëndësishmit për ne tani, janë: Peja, Gjakova Podrimja, Gora, Podgori, Sharri, Istogu dhe Drenica … sikundër dhe Dibra e Epërme dhe dy Pollogët në jug dhe malet e Sharrit. Këto janë zona kufitare që duhet me çdo çmim të pastrohen nga shqiptarët”, shkruan Çubrilloviqi.

Ai ishte i fiksuar te Pollogu sepse ishte rajon me pasuri të shumta natyrore, të cilat, sipas tij, duhej të shfrytëzoheshin nga kolonët serbë.

Kolonizimi duhej të bëhej sistematikisht dhe brenda një periudhë dhjetëvjeçare. Pastrimi i shqiptarëve duhej të bëhej me dhunë shtetërore dhe presion sistematik. Kështu, sikurse thuhet, do të krijoheshin kushte të përshtatshme për emigrantët serbë të jugut.

Kolonizimi i viseve shqiptare me varfanjakë serbë do të ngjallte te kolonët ndjenjën se ky ishte vendi i tyre. Me këtë ndjenjë ata do t’i mbronin kufijtë e këtij territori.

Kolonizimi në jug të maleve të Sharrit dhe të Malit të Zi të Shkupit duhej të bëhej me serbë nga Vranja, Leskovci, Piroti dhe Blasenica, sidomos me serbë nga fshatrat pasive malore.

Për realizimin e këtij projekti duhej të angazhohej edhe diplomacia. Ajo duhej të vepronte edhe në Tiranë, ku “të hollat luajnë rol të madh”.

“Nuk duhet të kufizohemi në përçapjet diplomatike vetëm me Ankaranë, por duhet të përdoren të gjitha mjetet për ta bindur Tiranën që të pranojë një pjesë të të shpërngulurve. Besoj se kjo punë në Tiranë do të ecë me vështirësi, sepse Italia do ta pengojë këtë proces, por të hollat luajnë rol të madh në Tiranë. Gjatë bisedimeve rreth kësaj çështje, duhet vënë në dijeni qeveria shqiptare se ne nuk do të ngurojmë nga asgjë për zgjidhjen definitive të kësaj çështje. Në të njëjtën kohe, duhet t’i paraqitet mundësia e subvencionit për kolonizim, mbi të cilat nuk do të ushtrohet kontroll dhe me anë të kanaleve të fshehta mund të angazhohen, eventualisht, njerëzit e shquar në Tiranë që të mos e kundërshtojnë tërë këtë punë. Turqia është dakord që, fillimisht, të pranojë rreth 200 mijë të shpërngulur tonë, duke cilësuar që këta të jenë shqiptarë, e kjo është forma më e pranuar për ne. Për Shqipërinë tashmë kemi theksuar që duhet punuar për përfundimin e një konvente me të, për këtë problem. Në qoftë se nuk do t’ia arrijmë qëllimit, atëherë të paktën të arrihet aq sa për çështjen e shpërnguljeve në Turqi të heshtin. E përsërisim se mjeshtëria e veprimit në Tiranë dhe të hollat e përdoruara në mënyrë racionale, do të mund të luanin rol vendimtar në këtë çështje”, shkruan Çubrilloviqi.

Fatkeqësisht, ky projekt u realizua në masë të madhe. Tokat shqiptare u kolonizuan. Shumë shqiptarë u dëbuan. Shpërngulja në masë e ndryshoi hartën etnike të këtyre viseve.

Në mesin e autorëve të projekteve të këtilla është edhe shkrimtari me çmim Nobel, Ivo Andriqi. Në vitin 1939, derisa ishte diplomat i Mbretërisë SKS, ai e përpiloi një projekt për ndarjen e Shqipërisë. Projekti ishte bërë me kërkesë të kryeministrit jugosllav.

Po në këtë vit e përpiloi një elaborat edhe nëpunësi i lartë në ministrinë e Jashtme serbe, Ivan Vukotiqi. Sipas këtij elaborati, Shqipëria e mesme dhe ajo veriore duhej t’i takonin shtetit serb.

Vukotiqi shkruan se shqiptarët kishin qenë armë në duart e fuqive të huaja: të Turqisë, Austrisë dhe Italisë dhe nuk ishin treguar solidarë me popujt tjerë të Ballkanit.

Ai dëshmon se Serbia përherë i kishte penguar përpjekjet dhe kërkesat e shqiptarëve për një shtet të pavarur. Sipas tij, shteti shqiptar formohej kundër ambicieve serbe. Një Shqipëri e fortë për të ishte pengesë për zhvillimin ekonomik të Jugosllavisë. Përveç kësaj, sipas Vukotiqit, shteti shqiptar do ta forconte irredentizmin në Jugosllavi. Prandaj propozonte që shqiptarët brenda Jugosllavisë të asimiloheshin, kurse linja Strugë – Elbasan – Durrës, me 200 mijë shqiptarë myslimanë, 130 mijë shqiptarë katolikë dhe 50 mijë shqiptarë ortodoksë t’i takonte Jugosllavisë. Ndarja e Shqipërisë dhe bashkëngjitja e pjesës së saj të mesme dhe veriore Jugosllavisë do të ishte “realizim i aspiratave natyrore” të Serbisë. Vukoqiti propozonte të shfrytëzohej rasti i përshtatshëm për ndarjen e Shqipërisë, që e quante “vepër të madhe popullore”.

Memorandumi “Serbia homogjene”, i përpiluar në vitin 1941, nga ideologu çetnik serb, Stevan Moleviqi (1887 – 1959), gjithashtu flet për krijimin e Serbisë së Madhe dhe pastrimin etnik të popujve të tjerë. Memorandumi u bë program i lëvizjes çetnike. Kjo lëvizje e synonte krijimin e Serbisë së Madhe brenda Jugosllavisë së Madhe.

Moljeviqi kërkonte që kufijtë serbë të shtriheshin deri aty ku jetonin serbët, të cilët do të kishin dalje të lirë në det. Ky qëllim duhej të arrihej, siç thuhet, nëpërmjet pastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj popujve të tjerë. Gjegjësisht, duhej të krijohej një shtet i pastër etnik serb, duke e përfshirë Shqipërinë e veriut, së bashku me Shkodrën.

Lëvizja çetnike serbe, e frymëzuar nga memorandumi, bëri vrasje masive, dhunime dhe djegie të tokave.

Stevan Moljeviq ishte këshilltar i Drazha Mihailoviqit. Në vitin 1945 iu dorëzua regjimit komunist. Më 1946 u dënua me 20 vjet burg, por më pas u amnistua.

Kjo politikë vazhdoi edhe më vonë. Elitat serbe përpiluan Memorandumin e Parë, të Dytë dhe së fundmi edhe projektin “Bota serbe”. Sipas të dhënave zyrtare, Serbia ka ndarë brenda vitit rreth 44 milionë euro për institucionet paralele dhe organizatat serbe në Kosovë. Jo zyrtarisht kjo shifër është shumëfish më e lartë. (Referencat janë hequr).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button