LOJËRA PA SPEKTATORË 

Lojërat olimpike, që u quajtën kështu sipas një mali në Ballkan, ku sipas vetëdijes mitike banonin hyjnitë me në krye Zeusin, kishin karakter sportiv dhe religjioz.

Derisa sa zhvilloheshin garat arrihej edhe paqja olimpike. Ndalonin luftërat dhe armiqësitë mes poliseve, kurse poetët shkruanin poezi për fituesit.

Lojërat olimpike të lashtësisë u ringjallën nga Pjer de Kuberteni në vitin 1894. Prej atëherë mbahen çdo katër vjet (si në lashtësi). Për sporte verore dhe dimërore.

Sivjet, për shkak të pandemisë, Olimpiada Verore e Tokios do të mbahet pa spektatorë.

Lufta me pandeminë do të jetë e gjatë. Pandemia do të ndikojë në psikologji, ekonomi dhe në mënyrën tonë jetësore.

Olimpiada mbahet në kohën kur njerëzimi lufton me armikun e padukshëm, me të cilin nuk mund të arrihet paqja olimpike. Dhe në histori do të shënohet si olimpiadë pa spektatorë.

Sporti bëhet për spektatorët. Ata i motivojnë sportistët, kurse garës ia japin tonin e festës.

Sporti është garë, betejë për fitore dhe festë.

Njerëzit i duan garat, betejat (siç i kanë dashur edhe betejat e gladiatorëve), por e duan edhe festën, dehjen, shkëputjen nga realiteti.

Sa më e fortë është gara, aq më shumë u krijon kënaqësi spektatorëve.

Brehti e krahasonte një shfaqje teatrore me një garë sportive. Një shfaqje, sikurse një garë sportive, është tërheqëse kur konflikti mbetet i hapur. Pra, kur fituesi apo humbësi nuk dihen deri në fund…

Japonia, për shkak të lojërave pa spektatorë, do të ketë dëme ekonomike.

Shtetet investojnë në organizimin e olimpiadave dhe pastaj përfitojnë nga spektatorët që vijnë nga gjithë bota. Por, shëndeti është mbi gjithçka.

Sporti është bërë biznes fitimprurës. Sportistët paguhen shumëfish më tepër sesa shkencëtarët. Spektaklet u sjellin fitime organizatorëve. Vëmendja e qytetërimit tonë është përqendruar te komercialja, tek e dobishmja…

Shqiptarët në Olimpiadën Verore të Tokios do të marrin pjesë në gara individuale. Shpresojmë ta arrijnë suksesin e disa sportistëve që kanë medalje olimpike.

I pari ishte arvanitasi Spyridon Luisi, i cili e ka fituar maratonën e Olimpiadës së Athinës në vitin 1896. Grekët ia mohojnë origjinën arvanite. Luisi vdiq i varfër në fshatin e tij.

Mundësi Shaban Tërstena nga Shkupi ka fituar medaljen e artë (Los Anxheles, 1984) dhe të argjendtë (Seul, 1988). Mundësi tjetër nga Shkupi, Shaban Sejdiu, ka fituar dy medalje bronzi (Moskë, 1980 dhe Los Anxheles, 1984). Boksieri Azis Salihi ka fituar medalje bronzi (LA, 1984). Të gjithë garuan për shtetin e dikurshëm të quajtur RSFJ.

Brezi i ri mbase nuk e imagjinon gëzimin që kemi ndjerë. Shqiptarët, që në atë periudhë kohore trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë, ndjeheshin krenarë kur sportistët shqiptarë e preknin majën e Olimpit.

Medalje bronzi ka fituar edhe boksieri Luan Krasniqi (Atlanta, 1996), i cili ka garuar për Gjermaninë.

Xhudistja Majlinda Kelmendi është kampione olimpike (Rio de Zhaneiro, 2016). Ajo garon për Kosovën edhe në Olimpiadën e Tokios.

Për një popull të vogël dhe me histori tragjike nuk janë pak këto medalje olimpike.

Emrat e fituesve, pavarësisht sa kujtohen dhe respektohen sot, janë shënuar në pllakën e historisë së sportit botëror. Fitoret olimpike ua kanë sjellë lavdinë e përjetshme.

Rruga deri te ngjitja në piedestal kërkon mund pa fund. Në maje arrijnë vetëm ata që besojnë, që ngulmojnë, që punojnë pareshtur me pasion e disiplinë. Ata e meritojnë respektin e përhershëm të vendeve dhe kombeve të tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button