Mile Janakieski dhe Igor Janushev në mesin e 4 personave të cilët kundërligjshëm e kanë favorizuar kompaninë kineze për autobusët dykatësh

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka dorëzuar akuzë kundër ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish drejtorit të Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP) Shkup, Igor Janushev dhe dy personave të tjerë për tenderin për autobusët dykatësh të NTP-Shkup. Ashtu siç kumtoi Prokuroria, gjatë zbatimit të procedurës për furnizim publik, të akuzuarit si bashkëkryerës e kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe në kundërshtim me Ligjin për Furnizime Publike, e kanë zgjedhur operatorin ekonomik nga Republika e Kinës, njofton Potalb.mk.

Të akuzuarit, në mënyrë të paligjshme e kanë favorizuar operatorin ekonomik nga Kina dhe me atë kanë nënshkruar marrëveshje për furnizim të 202 autobusëve dykatësh. Me veprimet e paligjshme, ata i kanë bërë dëm Buxhetit të RMV-së në vlerë prej 293.773.226 denarë ose 4.772.920 euro.

“Gjatë hapjes dhe shqyrtimit të ofertave të dorëzuara për shpalljen publike për furnizimin e 200 autobusëve të tipit të mbyllur dhe 2 të tipit të hapur, të akuzuarit S.F.P. (47) si kryetar dhe I.J. (36) dhe J.A. (62) si anëtarë të Komisionit për zbatimit e furnizimit publik të autobusëve dykatësh për NTP-në e Qytetit të Shkupit, në marrëveshje me të akuzuarin e parë M.J. (43), kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Furnizime Publike dhe kanë favorizuar një operator ekonomik, i cili deri në ditën e hapjes së ofertave nuk ka dorëzuar garanci bankare të ofertës dhe certifikatë për kualitet ISO 9001:2000, ashtu siç është shkruar në dokumentacionin e tenderit”, thuhet në kumtesë.

Komisioni, në vend që ta hedh poshtë ofertën si të pakompletuar, e ka vazhduar procedurën dhe ka kryer evaluim të dy ofertave të dorëzuara. Edhe pse oferta e operatorit ekonomik nga Bullgaria ka qenë për 4.772.920 euro më e ulët, Komisioni e ka zgjedhur operatorin nga Kina dhe i ka propozuar të dyshuarit të parë të nënshkruajë marrëveshje me atë.

I akuzuari i parë, ashtu siç theksohet në kumtesë, edhe pse ka qenë i njoftuar me mangësitë e ofertës së zgjedhur, në vend që ta shfuqizojë procedurën për furnizim publik për shkak të lëshimeve të rëndësishme, ai ka miratuar vendim për zgjedhjen e ofertës më të mirë dhe ka nënshkruar marrëveshje për shitblerje të autobusëve me vlerë prej 35.425.410 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button