Kuvendi i Kosovës shkarkoi anëtarët e bordit të RTK-së

Pas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal,  Kuvendi i Kosovës shkarkoi të enjten anëtarët bordit të televizionit publik të Kosovës – Radio Televizionit të Kosovës (RTK), shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Deputetët votuan për shkarkimin e tetë antarëve të bordit, pas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Kryetar i bordit të RTK-së ka qenë Sali Bashota. Në mesin e anëtarëve të tjerë kanë qenë edhe: Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë gjatë seancës se, rekomandimi për shkarkim bëhet në pajtim me Ligjin për RTK-në.

”Anëtarët e bordit drejtues në vazhdimësi kanë dështuar t’i sigurojnë qasje të papenguar dhe të pakontestuar Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në auditivin e rregullsisë dhe performancës. Kjo ka shkaktuar gjendje të rëndë financiare, shprehur përmes borxhit të RTK-së që varion në mes të 2.6 milionë dhe 5.2 milionë eurove ndërmjet 2018 – 2020”, tha Kica-Xhelili duke shtuar se  se bordi nuk ka siguruar që shpenzimet e RTK-së të mos kalojnë të hyrat, gjë që e ka për detyrë.

Nga Vetëvendosja kanë thënë se është koha që RTK-ja “t’i shërbejë publikut e jo vetvetes”.

Kundër shkarkimit të bordit të RTK-së janë shprehur partitë në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërine e Kosovës (AAK).

Bedri Hamza nga PDK-ja ka thënë se po vendoset një presedan i keq në Kosovë dhe se Kuvendi po shndërrohet në gjykatë. “Shkarkoni me një vendim të gjitha bordet”, ka porositur Hamza.

Agim Veliu nga LDK ka thënë se RTK ka pasur nevojë për një auditim të thellë, por jo për llogaridhënie kolektive siç ndodhi të enjten. “Kjo që po ndodh sot, nuk është ndikim, por kapje klasike ose shtetëzim i transmetuesit publik”, tha Agim Veliu.

Ndryshe, Bordi i RTK-së është organ kolegjial-drejtues i RTK-së me 11 anëtarë, në mesin e cilit, sipas ligjit, duhet të jenë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti, kinematografia, gazetaria, drejtësia, biznesi dhe menaxhmenti, marrëdhënie me publikun, marrëdhënie ndërkombëtare, universiteti, media dhe teknikë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button