Paska marrëveshje ndërmjet BDI-së dhe VMRO për Këshillin e Tetovës?!

BDI dhe VMRO-DPMNE assesi të merren vesh për kryetarin e Këshillit të Tetovës. Përderisa nga BDI-ja thonë se janë afër marrëveshjes , nga VMRO-DPMNE-ja konfirmuan se ka një marrëveshje të nënshkruar para zgjedhjeve, të cilës nuk i përmbahet BDI-ja.

Abdilaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së tha se “BDI-ja e ka fituar Tetovën dhe se duhet të mbajë përgjithësi për këshillin komunal, d.m.th. BDI-ja duhet t’i caktojë rregullat”. Ai thotë se me partnerin e koalicionit janë duke i vazhduar bisedimet dhe së shpejti pritet të ketë kryetar të Këshillit komunal.”

Të njëjtën gjë, ditë më parë e tha edhe kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, kur theksoi se “bisedimet për Këshillin e komunës janë duke vazhduar dhe akoma jemi në bisedime me VMRO-DPMNE-në, nuk kemi akoma ndonjë rezultat, po punohet për zgjidhjen e problemit”.

Ndërsa, Goran Manojloski, kryetar i degës së Tetovës të VMRO-DPMNE-së, konfirmoi se janë duke biseduar me BDI-në për Këshillin, por ai thotë se ka një marrëveshje të nënshkruar paraprakisht.

Jozyrtarisht, mësohet se kërkesat e VMRO-DPMNE-së për Tetovën janë: dhënia e lejes për ndërtimin e një kishe, dy drejtorë të shkollave të mesme, drejtoresha e çerdheve dhe drejtori i NPK-së “Tetova” të emërohen nga VMRO-DPMNE-ja, si dhe punësime në komunë.    

Përderisa BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja të merren vesh për kryetarin e Këshillit, kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi si mbetet asgjë tjetër vetëm se të realizoj projektet e votuara nga ish-këshilltarët që nuk janë realizuar deri tani dhe të organizojë aksione për pastrimin e qytetit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button