RMV, “Sfidë e vërtetë” do të jetë menaxhimi i Sharrit si Park Kombëtar, Xhemaili: Ligji kalon javën e ardhshme (VIDEO)

“Më së voni javën e ardhshme duhet të votohet nga ana e parlamentit të RMV-së shpallja e malit Sharr si Park Kombëtar” kështu tha sot Hisen Xhemaili, drejtori i Mjedisit Jetësor në një panel diskutimi të organizuar dhe moderuar nga Ardonit Ismaili për shpalljen e Sharrit si zonë e mbrojtur. Megjithatë, Metin Muharemi nga platforma “Miqtë e Sharrit” potencoi se asgjë nuk mbaron me votimin e ligjit, përkundrazi, sipas tij sfidat e vërteta fillojnë pas shpalljes së Sharrit si zonë e mbrojtur, shkruan Portalb.mk.

Ka vite që diskutohet shpallja e Sharrit si Park Kombëtar, kjo procedurë dukshëm është përshpejtuar muajt e fundit ku në shkurt është marrë pëlqimi i qeverisë që Sharri të shpallet si zonë e mbrojtur ndërkaq nga muaji prill – maj ligji ka kaluar dy leximet në parlament ku edhe është marrë pëlqimi i shumicës së votave.

Sot që flasim, votimi i ligjit me anë të së cilit do të shpallet Sharri si Park Kombëtar është në fazë të fundit, gjegjësisht, drejtori i Mjedisit Jetësor, Hisen Xhemaili, sot potencoi se ky ligj do të kalojë më së voni në javën e ardhshme.

“Ligji aktualisht është në procedurë parlamentare, tani janë shterur të gjitha debatet dhe deputetët kanë votuar në dy sesione, do të duhet vetëm të ketë kuorum për votim. Ndoshta këtë të premte apo më së voni javën e ardhshme do të votohet nga ana e deputetëve” tha Hisen Xhemaili.

Çfarë realisht do të përfitohet nga kjo?

Hisen Xhemaili
Hisen Xhemaili

Sipas Xhemailit, kjo procedurë na dërgon një hap më afër Bashkimit Evropian sepse me këtë plotësohen dy kërkesat më të rëndësishme të BE-së, direktiva e habitateve dhe e zogjve, i njëjti informoi edhe për pjesën e mbrojtjes së biodiversitetit.

“Do të mundësohet mbrojtje integrale e biodiversitetit dhe në të njëjtën kohë do të plotësohen dy kërkesat më të rëndësishme të BE-së , direktiva e habitateve dhe e zogjve. Interes i çdo shteti është të posedojë më shumë zona të mbrojtura, në botë është dëshmuar se fuqia ekonomike e shtetit është më e madhe në qoftë se vlerat natyrore përdoren në mënyrë racionale dhe të vazhdueshme, kjo është arsyeja pse ne i mbrojmë vlerat e malit Sharr” tha Hisen Xhemaili, drejtor i Mjedisit Jetësor në Ministrinë e Ekologjisë.

Metin Muaremi.
Metin Muaremi.

Banorët lokal të malit Sharr sipas udhëheqësit të platformës Miqtë e Sharrit, Metin Muaremi, do të kenë përfitime në aspektin ekonomik dhe shëndetësorë por jo vetëm.

“Ideja kryesore, pra vetë mbrojtja e kësaj zone është benefit për banorët të cilët jetojnë në këtë zonë. Duke filluar nga ajo e të jetuarit më shëndoshë, ku gjithçka mbrohet, si dhe është aspekti ekonomik. Pra, me shpalljen e Sharrit si Park Nacional ky rajon do të promovohet dhe do të bëhet një atraksion turistik për të gjithë të huajt të cilët do të vijnë këtu ndërsa banorët lokal shtëpitë e tyre do të mund të ua hapin turistëve, ka shumë benefite tjera nga shpallja e Sharrit si Park Kombëtar” theksoi Metin Muaremi, nga platforma “Miqtë e Sharrit”.

Çka më pas?

Menjëherë pas votimit të ligjit në parlament, me anë të së cilit do të bëhet zyrtarisht shpallja e Sharrit si Park Kombëtar pritet që të krijohet Ndërmarrja Publike e cila do të menaxhoje me parkun kombëtar, gjegjësisht malin Sharr.

Një ndër sfidat më të mëdha pas shpalljes së Sharrit si Park Kombëtar sipas Xhemailit do të jetë pikërisht përpilimi dhe implementimi i planit për menaxhim me malin Sharr. Xhemaili i dha 1 vit kohë ndërmarrjes e cila pritet të krijohet nga qeveria për përpilim të planit për menaxhim me Parkun Kombëtar.

“Pas aktit të miratimit të ligjit për parkun kombëtar, do të krijohet ndërmarrja publike e cila do të menaxhojë me parkun kombëtar, do të themelohet me vendim të qeverisë dhe sfida kryesore do të jetë konsolidimi i atij institucioni nëpërmjet akteve ligjore siç janë statuti, akti për sistematizimit e vendeve të punës edhe më e rëndësishmja miratimi i planit për menaxhim me parkun kombëtar, ndërmarrja e re brenda një afati prej 1 viti do të duhet të sjell planin e menaxhimit” tha Xhemaili.

Xhemaili gjithashtu njoftoi se Ministria e Ekologjisë veçse ka filluar me përpilimin e planit të menaxhimit dhe se për këtë ka angazhuar ekspert austriak dhe vendor të cilët siç tha ai, veçse kanë filluar me punë dhe pritet që nga muaji tetor dokumenti të jetë gati.

Akti i shpalljes së Sharrit si Park Kombëtar nuk do të thotë “fund”, këtu sipas Muharemit fillon sfida

Sipas Metin Muharemit, sfida më e madhe për malin Sharr pas shpalljes si Park Kombëtar do të jetë përgatitja e planit për menaxhim në tre vitet e ardhshme, ai ftoi të gjithë banorët lokal që kanë pasiguri të kyçen në procesin e përpilimit të këtij plani.

“Vetëm shpallja e Sharrit nuk është punë e kryer, pasi mendojmë se sfida pas shpalljes si zonë e mbrojtur do të jetë përgatitja e planit për menaxhim në tre vitet e ardhshme. Prandaj, apelojmë që në këtë proces të gjithë palët e ndryshme të kyçen dhe të japin mendimet e tyre. Pra të gjitha këto pasiguri dhe sfida të vendosen në letër dhe hapi i dytë pas shpalljes do të jetë një proces shumë i hapur ku të gjithë do të kenë mundësi të kontribuojnë dhe të japin mendimet e tyre se si duhet të duket dhe të menaxhohet parku i ardhshëm kombëtar” tha Metin Muaremi nga “Miqtë e Sharrit”.

Muharemi shtoi se si platformë dhe shoqëri civile e cila ndër vite është marrë me këtë problematikë do të vazhdojnë mbikëqyrjen dhe monitorimin e punëve të institucioneve sa i përket malit Sharr, pas shpalljes së tij si zonë e mbrojtur.

Ardonit Ismaili, mobilizator i komunitetit.
Ardonit Ismaili, mobilizator i komunitetit.

Ky info sesion u organizua nga mobilizuesi i komunitetit, Ardonit Ismaili në kuadër të projektit “Mbështetje të Reformave Zgjedhore” që është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe implementohet nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore dhe partneri i tij, Këshilli Nacional Rinor i Maqedonisë (KNRM).

Ndryshe, aktualisht zonat e mbrojtura në Maqedoninë e Veriut kapin vetëm 9% të territorit të vendit ndërkaq ma shpalljen e Malit Sharr si Park Kombëtar kjo përqindje do të kalojë në 11%, në Sharr ka gjithsej 28 liqene dhe shumë pasuri të tjera natyrore mbrojtja e të cilave synohet të jetë më e lartë me shpalljen e Sharrit si Park Kombëtar.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button