Të kthehen paratë e marra për dëftesa kërkojnë nga UNShM-ja, Inspektorati i Arsimit nuk i publikon raportet e hetimit
“E dimë kush jeni dhe ju e dini kush jeni, ktheni paratë nxënësve” kështu ju drejtua shkollave që kanë kërkuar para ilegalisht nga nxënësit për lëshimin e dëftesave, Era Aliu nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNShM). Edhe pse inspektimi në katër shkolla tashmë është kryer, Portalb.mk ka një javë që kërkon raportet e inspektimit nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, nga atje vazhdimisht premtojnë se do ti dërgojnë, por një gjë e tillë nuk është bë, shkruan Portalb.mk.
Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme sot akuzuan disa shkolla se bëjnë biznes nga arsimi publik, i cili ka vite që është falas. Era Aliu kërkoi që këto shkolla urgjentisht të ju kthejnë nxënësve paratë e kërkuara për dhënien e dëftesave.
Disa shkolla bëjnë biznes nga ARSIMI PUBLIK i cili me ligj është falas. Sot ne ju drejtohemi këtyre shkollave drejtpërdrejtë: ne e dimë kush jeni, ju vetë e dini kush jeni, KTHENI PARATË , sepse kjo është mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë problem. Është për të ardhur keq që të tarifosh për dëftesa në përgjithësi, e sidomos në një vit shkollor të zhvilluar online dhe me shumë sfida si në aspektin e mësimit ashtu edhe në aspektin e trajnimeve të mësimdhënësve” tha Era Aliu nga UNShM-ja.
Ndërkaq kryetari i UNShM-së, Luka Pavliqeviq potencoi edhe faktin se Byroja për Zhvillim të Arsimit ka dështuar në sigurimin e dëftesave për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në nivel të shtetit, që sipas tij kjo nuk do të ndikojë mirë te nxënësit.
“Sot, për fat të keq, duhet përpara jush të notojmë edhe një proces tjetër që nuk shkon në favor të shokëve tanë të shkollave të mesme, pas një viti shkollorë me shumë pak mundësi për socializim, këto gjenerata nxënësish kanë edhe një kënaqësi më pak, e ajo është marrja e suksesit të vitit shkollorë nëpërmjet dëftesës si një proces tradicionalisht gazmor. BZHA (Byroja për Zhvillim të Arsimit) këtë vit nuk arriti të sigurojë dëftesat për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në nivel të shtetit” deklaroi në mes të tjerash Luka Pavliqeviq, kryetar i UNShM-së.
Nga Inspektorati i Arsimit ende nuk i bëjnë publike raportet e inspektimit
Rikujtojmë se Portalb.mk disa ditë më herët njoftoi ekskluzivisht se pas njoftime për korrupsion të mundshëm në arsimin fillor dhe të mesëm lidhur me dëftesat, nga Inspektorati i Arsimit ishin në katër shkolla të mesme për inspektim.
Edhe pse vazhdimisht na është premtuar, nga ky inspektorat ende nuk na kanë dërguar raportet e inspektimeve të kryera në këto shkolla, edhe pse gazetari i Portalb-it bisedoi me drejtorët e shkollave që ishin objekt inspektimi, dhe të njëjtit konfirmuan se inspektimi ka përfunduar.
Sot, drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Ardian Musliu, tha se raportet ende nuk kanë përfunduar dhe premtoi që në momentin kur të njëjtat të jenë gati, do të bëhen publike.
“Jemi brenda afatit ligjor nga dita kur na keni kërkuar raportet, nuk jemi duke fshehur asgjë por jemi duke e përgatitur përgjigjen. Sa të përfundojmë, do ta dërgojmë” tha Ardian Musliu nga Inspektorati i Arsimit.
Ndërkaq, edhe nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme sot përmes një konference për shtyp kërkuan nga Inspektorati i Arsimit që të bëje publike raportet e inspektimit si dhe metodologjinë e tyre.
“Ne kërkojmë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit të publikojë raportet për inspektimet e kryera në katër shkollat. Ne i mirëpresim inspektimet, por gjithashtu jemi të interesuar edhe për metodologjinë e shfrytëzuar në këto raporte. Ju informojmë që më 14 Qershor komunikuam me inspektoratin dhe kërkuam nga ky institucion që të na dërgojnë raportet e lartpërmendura, për fat të keq deri sot ende nuk i kemi marr të njëjtat. Shpresojmë që në ditët në vijim inspektorati do ti dërgon këto raporte në adresën e UNSHM-së” tha Luka Pavliqeviq, kryetar i UNShM-së.
Çfarë thotë ligji për këtë?
Në Ligjin për Shkollë të Mesme nuk theksohet specifikisht çështja e dëftesave, megjithatë thuhet se arsimi i mesëm është i obligueshëm, gjë që automatikisht obligon shtetin që qytetarëve të ua mundësoje një gjë të tillë plotësisht.
“Arsimi i mesëm është i obligueshëm për të gjithë qytetarët e RMV-së, me kushte të barabarta të cilat parashihen me këtë ligj” thuhet në reshtin e parë të nenit 3 të ligjit për shkollë të mesme.
“Arsimi i mesëm është pa pagesë” thuhet në nenin 3 të ligjit për shkollë të mesme.
Se nuk guxon askush të mare para nga nxënësit gjatë arsimimit publik fillor dhe të mesëm, parashihet edhe në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, nënshkruese ku është edhe Maqedonia e Veriut.
“Të gjithë duhet ta gëzojnë të drejtën e edukimit. Edukimi duhet të jetë pa pagesë” thuhet në nenin 26 të kësaj konvente ndërkombëtare.
Ndryshe, veprimet e tilla rrezikojnë karakterin publik të arsimit i cili sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2008 në Maqedoninë e Veriut, është i paraparë të jetë pa pagesë. Përveç kësaj, marrja e parave nga nxënësit është shkelje e ligjit dhe autori mund të dënohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
- LEXO: Maqedonia e Veriut synon BE-në, por arsimin e ka larg standardeve evropiane
- LEXO: Korrupsioni në arsimin (pa) pagesë në RMV, nxënësve ju merren para në mënyrë të jashtëligjshme
- LEXO: UNSHM: Disa shkolla të mesme u kërkojnë para nxënësve për lëshimin e dëftesave
- LEXO: RMV, ekskluzive: Pas denoncimit për “shitje” të dëftesave, Inspektorati i Arsimit ka hyrë në këto shkolla