RMV, ekskluzive: Pas denoncimit për “shitje” të dëftesave, Inspektorati i Arsimit ka hyrë në këto shkolla

Pas denoncimeve publike për atë se në disa shkolla fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, drejtoria i detyron nxënësit që të paguajnë një shumë të caktuar për dëftesat, nga Inspektorati i Arsimit kanë hyrë në katër shkolla për të inspektuar, këtë e konfirmuan burimet nga ky institucion për Portalb.mk. Rikujtojmë se këtë skandal e zbuloi Portalb.mk një vit më herët, ndërkaq nga atëherë deri sot asgjë konkrete nuk është ndërmarrë për parandalimin e këtij fenomeni, shkruan Portalb.mk.

Vitin e kaluar, pas lajmit të Portalb.mk për këtë fenomen pati reagime edhe nga Avokati i Popullit.

LEXO: Avokati i Popullit: Askush nuk guxon të kushtëzoje nxënësit në këmbim të dëftesës, janë falas

Megjithatë, asgjë konkrete nuk u ndërmor në këtë drejtim, ndërkaq mësojmë nga burime brenda Inspektoratit të Arsimit se tanimë inspektorët janë prezent për të inspektuar në 4 shkolla gjithsej, edhe atë:

  • SHMK “Zef Lush Marku”, Shkup
  • SHMK “8 Shtatori”, Tetovë
  • SHMK “Nikolla Shtejn”, Tetovë
  • SHMK “Mirce Arcev”, Prilep

Çfarë thonë drejtorët e shkollave në të cilat vijon inspektimi?

Mirjeta Ilazi
Mirjeta Ilazi

Drejtoresha e shkollës së mesme “8 Shtatori” në Tetovë e përjashton çdo mundësi apo akuzë që nga drejtoria e shkollës janë marrë para për lëshimin e dëftesa, ajo shtoi se nuk mban përgjegjësi në qoftë se ndonjë individ e ka keqpërdorur pozitën për të kërkuar para.

“Ne nuk kemi kërkuar para prej askujt fare, si institucion nuk kemi marrë para prej nxënësve për dëftesat, as për të nënshkruar dëftesa, për këtë kemi shumë nënshkrime të prindërve dhe të nxënësve që deklarojnë se para nga ata nuk janë marrë. A ka pasur ndonjë individ që ndoshta e ka keqpërdor pozitën e tij, nuk e di, unë s’jam kompetente për të hulumtuar këtë. Ne si shkollë deri tash i kemi bë vetëm dëftesat e viteve 4 gati, diplomat ende nuk janë gati, ndërsa dëftesat e viteve tjera ende nuk i kemi pranuar nga byroja, prandaj nuk mund të ishin mbush edhe të ishin dhënë me para. E gjithë kjo ka qenë me tendencë jo të mirë” tha Mirjeta Ilazi nga shkolla e mesme “8 Shtatori”, Tetovë.

Faruk Zeqiri
Faruk Zeqiri

Akuzat i mohon edhe drejtori i shkollës së mesme “Zef Lush Marku” në Shkup, sipas tij, nxënësit por edhe prindërit kanë deklaruar para inspektorëve se nuk ju merren para për dëftesat.

“Po, kishte inspektorat dje. Edhe këshilli nxënësve edhe i prindërve deklaruan se nuk jepen para për dëftesat, në shkollën tonë nuk paguhen dëftesat, gjegjësisht jepen pa pagesë” tha Faruk Zeqiri, drejtor i “Zef Lush Marku”, Shkup.

Meqenëse inspektimi ende vazhdon, nuk ka informacione në qoftë se është gjetur diçka konkrete apo a është sanksionuar dikush në lidhje me këtë, Portalb.mk ka kërkuar që në përfundim të inspektimit, të na dorëzohen raportet për të gjitha shkollat.

Çfarë thotë ligji?

Në Ligjin për Shkollë të Mesme nuk theksohet specifikisht çështja e dëftesave, megjithatë thuhet se arsimi i mesëm është i obligueshëm, gjë që automatikisht obligon shtetin që qytetarëve të ua mundësoje një gjë të tillë plotësisht.

“Arsimi i mesëm është i obligueshëm për të gjithë qytetarët e RMV-së, me kushte të barabarta të cilat parashihen me këtë ligj” thuhet në reshtin e parë të nenit 3 të ligjit për shkollë të mesme.

“Arsimi i mesëm është pa pagesë” thuhet në nenin 3 të ligjit për shkollë të mesme.

Se nuk guxon askush të mare para nga nxënësit gjatë arsimimit publik fillor dhe të mesëm, parashihet edhe në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, nënshkruese ku është edhe Maqedonia e Veriut.

“Të gjithë duhet ta gëzojnë të drejtën e edukimit. Edukimi duhet të jetë pa pagesë” thuhet në nenin 26 të kësaj konvente ndërkombëtare.

Ndryshe, veprimet e tilla rrezikojnë karakterin publik të arsimit i cili sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2008 në Maqedoninë e Veriut, është i paraparë të jetë pa pagesë. Përveç kësaj, marrja e parave nga nxënësit është shkelje e ligjit dhe autori mund të dënohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button