Osmani: Jemi të gatshëm për bisedime të sinqerta me Bullgarinë, por jo në dëm të interesave shtetërore

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani sot ka raportuar para Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme për pikën e rendit të ditës në lidhje me çështjen për fillimin e negociatave me BE-në gjatë kryesimit portugez, në kontekst të Marrëveshjes me Bullgarinë.  Ai tha se janë të gatshëm për bisedime të sinqerta me vullnet të mirë për arritjen e zgjidhjes së pranueshme për të dyja palët me Bullgarinë, por jo me çdo kusht dhe jo në dëm të interesave shtetërore, transmeton Portalb.mk.

Osmani theksoi se procesi është i ndërlikuar dhe se mospasja e qeverisë politike në Bullgari është pengesë serioze dhe për këtë nuk duan t’i rrisin pritjet e qytetarëve.

“Është e rëndësishme të theksohen faktet dhe gjendjet në vijim. E para – çështjet e identitetit siç është gjuha maqedonase, veçoria e identitetit etnik, maqedonasit nuk janë dhe nuk mund të jenë në tavolinën e negociatave. E dyta – vlerësojmë se propozimi i kryesimit portugez paraqet bazë të mirë për negociata. E treta – këmbëngulim të mbahet seanca e dytë ndërqeveritare mes dy shteteve prej të cilës duhet të dalë protokoll adekuat, ndërsa prej tij edhe plan aksional, i cili duhet të kalojë në udhërrëfyes. E katërta – komunikimi zhvillohet në nivele të ndryshme me qëllim që të përforcohet dialog i përgjithshëm bilateral. E pesta – qëllimi është i përbashkët, mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimi formal i negociatave qasëse me BE-në”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se, edhe po të mos miratohet korniza negociuese në qershor, veç më është krijuar terren i qartë i mjaftueshëm me stabilizimin e partnerëve tani dhe të gjitha vendeve anëtare në BE dhe përpjekjet do të vazhdojnë menjëherë pas zgjedhjeve në Bullgari, në kuadër të kryesimit sllovak me BE-në.

“Strategjia jonë është që të mos lejojmë që të humbet koha e çmueshme dhe jemi të gatshëm në bisedime të sinqerta me vullnet të mirë për arritjen e zgjidhjes së pranueshme për të dyja palët me Bullgarinë fqinje, por jo me çdo çmim dhe jo në dëm të interesave shtetërore. Pa dallim të sfidave ne vazhdojmë me përpjekjet tona në të gjitha nivelet”, tha ai.

Më tej potencoi se, diplomacia jonë në periudhën e fundit gjashtëmujore nuk është kursyer që të vijë deri te të gjitha pikat e nevojshme prej të cilave varet fillimi i negociatave dhe se mbështetja e fituar e qartë e Këshillit Evropian në qershor, përfundimit të zyrtarizojë vendimin për fillim të negociatave, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Prej shtatorit 2020 deri më sot është e dukshme rritja e dinamikës së raporteve dhe bashkëpunimit. Akti i shënimit të përbashkët të festës së 24 majit e shoh si dhënies së hapësirës përmes nderimit të përbashkët të figurave historike misioni i të cilëve ka qenë unifikimi t’i japim hapësirë historisë që të na sigurojë ardhmëri të përbashkët. Komisioni i përbashkët multidisiplinar i ekspertëve për çështje të historisë realizoi pesë takime zyrtare në këtë periudhë. Edhe pse nuk kanë rezultuar me rekomandime konkrete, është pozitive se ka komunikim të përbashkët dhe direkt. Është dakorduar që deri në fund të vitit të realizohen edhe dy takime”, deklaroi ministri Osmani.

Ai vlerësoi se në nëntë muajt e fundit është rritur bashkëpunim dhe dialogu politik mes dy vendeve, duke përkujtuar se Qeveria emëroi Vlado Buçkovskin për përfaqësues special në Sofje, si dhe se është arritur marrëveshjes për bashkëpunim mes televizioneve nacionale dhe shkëmbim të korrespodentëve mes agjencive nacionale.

Kryeministri Zoran Zaev së bashku me zëvendëskryeminsitrin Nikolla Dimitrov dhe ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, nesër do të realizojnë takime pune në Sofje me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me kryeministrin e Bullgarisë Stefan Janev, si dhe me përfaqësues të partive më të mëdha politike në Bullgari.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button