Zaev dhe Radev biseduan në Bruksel, u dakorduan që Zaev të vizitojë Sofjen këtë javë

Kryeministri, Zoran Zaev sot në samitin e NATO-s në Bruksel është takuar me presidentin bullgar Rumen Radev dhe sipas njoftimit të Qeverisë, kanë biseduar për perspektivën për arritjen e hapit real në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Në takim është dakorduar vizitë e kryeminsitrit Zaev në Sofje, e cila është e parashikuar të ndodhë këtë javë, transmeton Portalb.mk.

Në takim ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikola Dimitrov, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska, si dhe ministri bullgar i Mbrojtjes Gjeorgji Panajotov.

“Presidenti i Republikës së Bullgarisë Rumen Radev theksoi mbështetjen proncipiele dhe të vazhdueshme për ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe pritjet e Bullgarisë për dialog të drejtpërdrejt dhe aktiv politik, përmes së cilit do të zgjidhen çështjet e hapura në raportet e ndërsjella. Edhe Rumen Radev edhe Zoran Zaev e theksuan shenjën pozitive në raportet mes dy vendeve, që shefat e shteteve të Republikës së Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut e arritën me vizitën e tyre të përbashkët në maj në Romë dhe Vatikan, që t’i nderojnë vëllezërit e shenjtë Kirili dhe Metodij”, thuhet në kumtesë.

Në takim u theksua edhe vullneti i përbashkët për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore mes dy shteteve, për përmbushjen e pritjeve të qytetarëve të dy vendeve.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button