Sela: Në tri komunat që i udhëheqim, kemi sugjeruar që në zgjedhjet lokale të garojmë me kryetarët aktual

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në takim joformal me gazetarët sot njoftoi se në zgjedhjet lokale do të bashkëpunojë me partinë Alternativa, ndërkaq ka sugjeruar që në komunat që i udhëheqin përfaqësuesit e ASH-së, gjegjësisht në Gostivar, Bogovinë dhe Vrapçisht të garohet me kryetarët aktual të komunave apo me Arben Taravarin, Albon Xhemailin dhe Isen Shabanin. Vetë ai, nuk do të garojë për kryetar komune të Strugës, raporton Portalb.mk.

“Vazhdojmë bashkëpunimin me Alternativën në zgjedhjet lokale. Kemi sugjeruar që në komunat që janë nën udhëheqje të Aleancës për Shqiptarët, pra në Gostivar, Bogovinë dhe Vrapçisht të shkojmë me të njëjtit kandidatë”, tha Sela.

Ai tha se nuk kanë marrëveshje për bashkëpunim në zgjedhjet lokale me partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE.

“Nuk kemi marrëveshje me VMRO-DPMNE-në. Marrëveshja për të cilën shumë pak flitet në opinion është ajo mes Zaevit, Mickoskit dhe Ahmetit për shtyrjen e regjistrimit, e cila tanimë e ka sjellë në pikëpyetje mbajtjen e regjistrimit”, tha Sela.

Sela tha se për shkak angazhimit të tij në parti, nuk mundet të garojë për kryetar të komunës.

“Në zgjedhjet lokale unë nuk do të kandidoj as në Strugë dhe as në ndonjë komunë tjetër, pasi që jam kryetar partie dhe s’kam kohë. Sidoqoftë, ne i fitojmë zgjedhjet në Strugë me cilindo kandidat që të dalim. Shkaku që kam kandiduar më herët ka qenë që ta mobilizoj partinë”, shtoi Sela.

Në lidhje me “gjelbërimin” e BDI-së, Sela tha se ajo është gënjeshtër, ashtu siç ishte edhe kryeministri i parë shqiptar.

Ndryshe, sot Sela tregoi se ka bërë ristrukturim në parti, kështu që gazetari Arben Zeqiri do të jetë përgjegjës për Sektorin për Marrëdhënie me Publikun, Bashkim Bakiu drejtor i Qendrës Analitike, ndërkaq Remzi Memedi, kryetar shtabi për zgjedhjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button