Jahjaga, e pamëshirëshme!

As një për qind e të burgosurve që kanë aplikuar për falje nga presidentja Atifete Jahjaga në pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, nuk e kanë realizuar kërkesën e tyre. Në mbrëmjen e 17 Shkurtit, kur qytetarët e Kosovës anekënd festonin në mënyra të ndryshme përvjetorin e shtetformimit, Presidenca përmes një kumtese njoftoi se Atifete Jahjaga nxori një dekret dhe me të cilin fali katër të burgosur.

Ndërkohë për këtë akt mëshirues të presidentes kanë paraqitur kërkesat e tyre 441 të burgosur që janë të privuar nga liria për kryerjen e veprave të ndryshme penale. Numri prej katër personave të falur është shumë më i vogël i të falurve që ka ndodhur deri më tash në përvjetorë të pavarësisë.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu kishte nxjerrë dekret për falje në dyvjetorin e pavarësisë dhe me të kishte ulur apo kishte hequr dënimin për gjithsej 62 persona. Një vit më pas, Jakup Krasniqi në cilësinë e ushtruesit të detyrës së të parit të shtetit, kishte dekretuar 103 sosh derisa vitin që lamë pas Jahjaga kishte falur 15 persona të dënuar.

441 kërkesat e të dënuarve me vendim të plotfuqishëm ishin dorëzuar fillimisht në Shërbimin Korrektues, i cili më pas ka bartur kërkesat me një mendim të burgut përkatës për secilin të burgosur, për në Presidencë.

Katër ditë para shënimit të përvjetorit të pavarësisë është formuar edhe komisioni Ad-Hoc, i cili edhe ka shqyrtuar kërkesat dhe në fund ka rekomanduar faljen e vetëm katër personave. Ato çfarë ka konstatuar komisioni, konform ligjit, janë nënshkruar në fund nga e para e shtetit…./gazetatema

Lajme të ngjashme

Back to top button