Dialogu “esencial” për rrugën evropiane

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot në Bruksel kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy.

Thaçi ka falënderuar diplomatin evropian për mbështetjen e bllokut, ndërsa ka theksuar përkushtimin e autoriteteve kosovare për konsolidimin e duhur të shtetit të Kosovës.

Duke folur për takimin me homologun e Serbisë, Ivica Daçiq, i cili do të zhvillohet po sot në Bruksel, Thaçi ka thënë se qëllim i këtyre bisedimeve nuk është që Kosova dhe Serbia të mundin njëra-tjetrën, por të lëvizin përpara, drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

“Besoj se në këto bisedime do të ngadhënjejnë vlerat evropiane dhe të kemi fqinjësi të mirë ndërshtetërore”, ka thënë Thaçi.

Herman van Rompuy ka kujtuar se Kosova duhet të përmbushë kriteret afatshkurtra, në lidhje me sundimin e ligjit, tregtinë, administratën publike dhe mbrojtjen e minoriteteve, si kusht për të avancuar në procesin evropian.

Diplomati i BE-së ka inkurajuar Thaçin që të tregojë konstruktivitet edhe në takimin e sotëm me Daçiqin.

“Rezultatet konkrete në dialog janë esenciale për përparimin në rrugën evropiane, edhe për Kosovën, edhe për Serbinë”, ka thënë Rompuy./gazetaexspress

Lajme të ngjashme

Back to top button