Simpatizuesit e PDSH-së shkatërrojnë sallën Boris Trajkovski

Me rastin e prezantimit të kandidatëve për kryetarë të komunave të Partisë Demokratike Shqiptare, që u mbajt të shtunën në sallën “Boris Trajkovski” janë thyer ulëse dhe toalete, e poashtu janë shkatërruar edhe inventari dhe muret.

Rastin në fjalë për Portalb e ka konfirmuar edhe drejtori i sallës Ratko Kapushevski i cili sqaroi se derisa ka zgjatur promovimi, e edhe pas përfundimit, simpatizuesit partiakë kanë thyer ulëse, toalete dhe i kanë zhgaravitur muret.

Por, ai thekson se incidentet e tilla janë të zakonshme dhe më shumë dëm bëhet gjatë ndeshjeve sportive se sa janë bërë natën e të shtunës.

 “Po është e saktë se është bërë dëm. Është shkatërruar inventari, muret, toaletet, e poashtu është demoluar edhe hapësira rreth Qendrës sportive. Është thyer një dritare e pishinës “Mlladost”. Pjesën më të madhe të dëmit do ta mbulojë kompania e sigurimit dhe tashmë kemi filluar të punojmë te dëmtimet. Pjesën e shkatërruar të sallës, e cila nuk është e siguruar do ta paguajë PDSH-ja dhe ne jemi marrë vesh për këtë” thotë për Portalb, Kapushevski.

Nga ana tjetër nga partia e Thaçit kanë konfirmuar ndodhinë duke thënë se të gjitha dëmet që do të konstatohen do të paguhen sepse kjo parti do ta përdor dhe më tej këtë sallë.

“U morëm vesh me drejtorin, çdo gjë do të zgjidhet sipas marrëveshjes. Nuk duhet problematizuar çështjen sepse kështu incidentesh ndodhin gjithnjë, nuk është hera e parë të kemi raste të tilla dhe atë më shumë ndodhin gjatë ngjarjeve sportive” thonë për Portalb nga PDSH.

Duhet theksuar se prezantimi i kandidatëve të komunave dhe ngjarjet sportive kanë dallim të madh mes veti, në këtë të fundit të paktën jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për grupe tifozësh që si praktikë në Maqedoni në mënyrë të dhunshme e demonstrojnë ‘dashurinë’ ndaj klubit përkatës. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button