Kosova peng i dredhive të përsëritura serbe

Tani më gjithkush e di se Marrëveshja për bashkësinë (asociacionin) e komunave me shumicë serbe është dredhia në të cilën u zu peng Kosova në dialogun me Serbinë, e cila nuk dëshiron vërtet t’i normalizojë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, aq më pak t’i integrojë serbët në shoqërinë kosovare. Jo rastësisht, qëkur u bë, marrëveshja nuk u prit mirë nga njohës të shumtë vendorë dhe të huaj të raporteve serbo-shqiptare. Madje dhe Gjykata Kushtetuese e cilësoi si një dokument që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Sidoqoftë, marrëveshja është fakt i kryer dhe, me gjasë, as kryeministri Albin Kurti nuk do të mund ta kundërshtojë atë, duke qenë se BE dhe SHBA kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të bëra vite më parë nga ekipet negociuese të Prishtinës e Beogradit. Së këndejmi, pavarësisht pasojave të padëshirueshme që do të pjellë ky pakt për të ardhmen e Kosovës, BE dhe SHBA zor se do ta marrin parasysh pishmanllëkun e shqiptarëve, që jep krye rëndom pas ngrënies së sapunit.

Ekipet negociatore të Kosovës që kanë pasur prapa vetes një histori të gjatë kllumjesh në hurdhat septike të politikave mashtruese serbe është dashur të kundërshtojnë me ngulm gjithçka që tejkalon kompromiset e dhimbshme që bëri Marti Ahtisari me pakon e tij në shkurt të vitit 2007. Ata është dashur ta kenë parasyshë të dhënën se pakoja në fjalë u ofroi serbëve të drejtat që nuk i gëzojnë as përafërsisht shqiptarët e Luginës së Preshevës apo ata të Malit të Zi. Madje, as shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, pavarësisht numrit të madh dhe shtrirjes gjeografike në trojet shekullore të të parëve. Negociatorët është dashur ta dinë para të tjerëve se bashkësia e komunave me shumicë serbe, pavarësisht favoreve dhe asociacioneve  që mund t’ua ofrojë mendjelehtësia shqiptare, nuk do ta përfillë kurrë shtetin e Kosovës. Ata është dashur ta dinë se Serbia do ta shfrytëzojë marrëveshjen, jo si urë bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve të dala nga lufta që synoi zhbërjen e shqiptarëve nga faqja e dheut, por si kalë trojan nëpërmjet të cilit do ta minojë përsijeta forcimin e Kosovës shtet.

Më e keqja është se serbët insistojnë në asociacionin njëetnik me kompetenca ekzekutive, kundër të cilit është dhe kryeministri aktual Albin Kurti. Këtij të fundit i ra shorti të përpiqet të nxjerrë me dorë patatet e skuqura në prushin e kuzhinierëve kozmopolitë, që vazhdojnë ta pandehin ujkun për qengj.

Tani kur është bërë gabimi fatal dhe ka ndodhur rrëshqitja në lëvoren e bananes serbe, shpresa e vetme mbetet SHBA dhe presidenti Xho Bajden, i njohur  prej vitesh për qëndrimet e drejta ndaj çështjes shqiptare në Ballkan dhe veçmas ndaj të drejtës së Kosovës për të qenë shtet tamam Sovran si gjithë të tjerët, jo Srpska Republika, që u lind nga hiçi pikërisht nga bashkësia e komunave me shumicë serbe në Bosnje…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button