Ka rënë numri i të hospitalizuarve nga Kovid-19 në RMV

Tetë pacientë të ri janë hospitalizuar në Kovid qendrat në Shkup gjatë 24 orëve të fundit për shkak të komplikimeve nga virusi korona, me çka gjithsej 127 persona mjekohen në repartet infektive në kryeqytet, numri më i madh i tyre janë në mbështetje të oksigjenit, kumtuan nga ministria e Shëndetësisë, shkruan Portalb.mk.

Në qendrat Kovid të qyteteve tjera mjekohen 202 pacientë, numri i përgjithshëm i të hospitalizuarve në vend është 329.

Për shkak të numrit të ulët të të infektuarve, spitalet kanë mbyllur një pjesë të kapaciteteve të tyre që më herët ishin vetëm për personat me virusin korona.

Nga ministria e Shëndetësisë njoftuan se në të gjitha repartet infektive të RMV-së në të cilat ka qasje deri te mbështetja e oksigjenit, ka vende të lira spitalore.

Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe është ulur edhe numri i të infektuarve me virusin korona, përderisa gjatë muajit mars dhe prill shteti u përball me një valë të rëndë të virusit.

Dje janë regjistruar 51 raste pozitive me Kovid-19 nga 4.060 të testuar. Aktualisht ka 2.932 raste aktive me virusin korona, sipas të dhënave nga ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, procesi i imunizimit të popullatës në RMV është duke shkuar sipas planit nacional për imunizim, gjithsej janë vaksinuar 259.577 persona, numri i personave që kanë shprehur interes për vaksinim ka arritur në 398.243.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button