Pse janë të rëndësishme IPA fondet?

Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) është mjeti me të cilin Bashkimi Evropian (BE) mbështet reformat në shtetet kandidate me ndihma konkrete financiare dhe teknike. Ballkani Perëndimor dhe Maqedonia e Veriut (MV) nga BE-ja kanë përfituar qindra projekte me shuma të mëdha nga fondet e BE-së për rimëkëmbje dhe rindërtim të rajoneve të shkatërruara. Fondet IPA bëjnë ndërtimin e kapaciteteve të shteteve gjatë gjithë procesit të pranimit të shtetit përkatës në union, më shpresë për rezultate pozitive jo vetëm për shtetet kandidate.

Për periudhën 2007-2013, fondi i IPA ishte afro 11.5 miliardë euro, kurse pasardhësi i IPA, IPA II, sipas BE-së do të bazohet në rezultatet e arritura për periudhën 2014-2020. Përfituesit aktualë janë kryesisht shtetet e Ballkanit, duke filluar nga Shqipëria, Serbia, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, MV, dhe Turqia.

Fondet e para-anëtarësimit të BE-së duhet të shihen si një investim i domosdoshëm për të ardhmen e shteteve dhe politikës së zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Përfituesit (shtetet) me fondet e fituara nga IPA duhet të bëjnë reforma politike, ekonomike dhe në lëminë e drejtësisë. Fondet e para-anëtarësimit gjithashtu e ndihmojnë BE-në t’i arrijë objektivat strategjike të zgjerimit. Ndihma e para-anëtarësimit përfshinë ndarjen e fondeve dhe investime në reformat e administratës publike, ekonomi të qëndrueshme, bujqësi dhe zhvillim rural që janë përcaktuar me IPA I (2014-20). IPA II synon reformat brenda kornizës së sektorëve të paracaktuar. Këta sektorë mbulojnë fusha të lidhura ngushtë me strategjinë e zgjerimit të BE-së si demokracia, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe konkurrenca në ekonominë e tregut të lirë. Kjo qasje e nevojshme sektoriale, promovon reformën strukturore aq të përmendur nga politikanët e Ballkanit. Kur jemi tek fondet, duhet thënë se “Shpërblimi i performancës i IPA Fondeve” është një mekanizëm i vendosur në Rregulloren e Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit II 231/2014 (Art 14). Shpërblimi konsiderohet si një stimul financiar për përfituesit individual të IPA II në rast të progresit të veçantë të bërë në drejtim të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit ose zbatimit efikas të ndihmës financiare të para-anëtarësimit. Shpërblimi u nda nga BE-ja për herë të parë në vitin 2017, ku Shqipëria, Kosova, MV, Serbia dhe Mali i Zi ishin një ndër shtetet që fituan fonde nga BE.

Sipas raportimeve, shuma e dedikuar për ushtrimin e suksesshëm të performancës qeveritare në sektorë në vitin 2020 ishte 78 milion euro. Kur jemi tek fondet e IPA-s, duhet veçuar disa momente ku qeveritë e Ballkanit dhe komunat kanë dështuar në aplikimet e tyre për të fituar fondet e IPA-s. Në MV pothuajse pas shtatë viteve kemi komuna që ende nuk kanë aplikuar ose në mungesë të kuadrit profesional se si të aplikohet, kanë dështuar si institucione në përfitimet financiare dhe të mirat shoqërore që sjellin fondet evropiane IPA. Është e njohur se me IPA fondet në MV ka më shumë politikë ditore se sa hapa konkretë të qeverisë apo komunave për rimëkëmbje të sektorëve të nevojshëm ekonomik që njëherit shkojnë në dobi të qytetarëve. Në disa raste, në MV dhe në shtetet e WB-6 kemi pasur keqpërdorime të fondeve IPA-s nga zyrtarët qeveritarë, lokalë dhe nga organizatat joqeveritare që paraqiten si të pavarura që kinse janë për transparencë dhe shtet ligjor, por në fakt kanë vazhduar të mbajë lidhje të ngushta me partitë politike apo politikanë.

Një angazhim më serioz nga qeveritë dhe nga ministritë do të ishte tepër fitimprurëse për gjendjen që po kalon MV në kohën e pandemisë. Kjo kërkon punë dhe profesionalizëm në të gjitha fazat e aplikimit dhe zbatimit të projekteve që mbështeten nga fondet IPA pra nga BE-ja, e cila përkundër vështirësive vazhdon të ndajë miliona euro për Ballkanin dhe MV. Solidaritetin e BE-së dhe vullnetin e mirë të taksapaguesëve evropianë duhet shfrytëzuar. Këtu duhet të kemi sa më pak keqpërdorime e më shumë projekte të realizuara nga IPA. Sipas Zyrës së Publikimit të BE-së, programet e unionit- IPA fondet për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë datojnë që nga viti 2007.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button