Shqipëri, kandidati demokrat kërcënoi për dhunë, policia nis procedimin penal

Policia e Dibrës njoftoi se ka filluar procedimin penal ndaj kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, pas thirrjeve të tij publike për “armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, shkruan Zëri i Amerikës.

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit” – deklaroi kandidati Mziu para qytetarëve.

Ai u referua kështu konfliktit të dy ditëve më parë mes përkrahësve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, i cili përfundoi me një të vrarë dhe 4 të plagosur.

Më pas ai kërkoi falje dhe shprehu pendesë për këtë shprehje, duke e quajtur “koment të panevojshëm, për shkak të emocioneve të forta të momentit” dhe duke deklaruar se është kundër dhunës dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, reagoi për ndjesën e kandidatit Mziu.

“Më vjen mirë që shoh një ndjesë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë copën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë. Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë Shqipërinë drejt një të ardhme më të mire dhe larg nga e kaluara”, – shkroi ambasadorja Kim.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se ndjesa “nuk vlen asnjë qindarkë nga një subjekt i vetëdeklaruar i drejtësisë penale”.

“Populli duhet t’u tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht” – tha ai.

Ndërkaq policia nisi menjëherë procedimin penal.

“Kandidati Mziu bëri kërcënime dhe thirrje gjatë një tubimi të fushatës në bashkinë e Dibrës për të nxitur dhunë, duke njoftuar ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës” – njoftuan forcat e rendit.

Policia e Shtetit theksoi se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë detyrat e saj, dhe se për këtë do të ushtrojë kontrolle të imta në territor, duke kërkuar bashkëpunimin e komunitetit për të zbuluar dhe ndëshkuar struktura të paligjshme, që cënojnë të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.

Forcat e rendit po në Dibër arrestuan në flagrancë dy persona, njëri prej të cilëve është juristi i bashkisë, dhe i akuzoi për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Ata u ndaluan nga banorët pranë Maqellarës me 5 milionë lekë (afro 5 mijë dollarë) në automjet, ku u gjetën edhe modelarë që orientojnë zgjedhësit në votim dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Krahas “korrupsionit aktiv në zgjedhje në bashkëpunim” ata akuzohen dhe për “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Partia Socialiste mohoi se këta persona ishin veprimtarë të saj dhe tha se ata vepronin për LSI-në.

Por zyrtarë të LSI-së i thanë “Zërit të Amerikës” se PS po i mohonte njerëzit e vet, që u kapën në flagrancë, në përpjekje për të blerë vota të banorëve në Maqellarë.

Mbetet e paqartë përkatësia partiake e personave të arrestuar, dhe pritet që hetimi të saktësojë veprimtarinë e paligjshme të tyre dhe se cila forcë politike i nisi ata në terren.

Policia procedoi penalisht edhe dy shtetas të tjerë, që kapën dy nëpunësit me para në makinë, pas bllokimit të rrugës Peshkopi – Maqellarë, duke i akuzuar për “pengim të qarkullimit të automjeteve”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button