Prokurorët hetojnë Lapsi.al për “Vëllain e Madh” socialist
Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, pronarë dhe redaktorë të publikimit online Lapsi.al, u thirrën në prokurori për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit si pjesë e hetimeve të hapura formalisht mbi një databazë që besohet se është krijuar nga Partia Socialiste dhe që përmban emrat e 910 mijë votuesve të qarkut Tiranë krahas të dhënave të shumta personale, përfshirë vendin e punës dhe prejardhjen familjare në atë që duket se është një sistem masiv gjurmimi, shkruan Reporter.al.
Bushati deklaroi se prokurorët i kanë kërkuar atij të tregojë burimin nga e ka marrë informacionin dhe se Lapsi ka refuzuar ta japë me qëllim që të mbrojë burimin. Bushati e përshkroi takimin me prokurorët si “të shkurtër” ndërsa i kërkoi atyre të hetojnë në tërësi se si të dhënat personale të qytetarëve përfunduan në duart e një partie politike.
Prokurorët nuk kanë inspektuar asnjë zyrë partiake dhe nuk kanë komentuar publikisht mbi çfarë po hetojnë. Lajme të publikuara në media me burime të paidentifikuara sugjerojnë se ata po hetojnë në bazë të nenit 122 të Kodit Penal, një nen që në fakt nuk hyn në funksionet e SPAK dhe që dënon si kundravajtje penale rrjedhjen e të dhënave personale nga një zyrtar apo profesionist që ka për detyrë t’i ruajë ata. Nuk është e qartë nëse prokurorët po hetojnë Partinë Socialiste apo Lapsi.al për këtë rrjedhje. Sipas databazës së rrjedhur zyrtarët socialistë i klasifikojnë shumicën e prokurorëve të SPAK si mbështetës të vetët.
Publikimi i lajmit mbi databazën të dielën e kaluar shkaktoi zemërim në spektrin politik dhe mes publikut të gjerë. Zyrtarët e Partisë Socialiste fillimisht pranuan se databaza ekziston por se ajo është krijuar me të dhëna të ofruara vullnetarisht nga qytetarët dhe jo me të dhëna të vjedhura. Ata më vonë u përpoqën të distancohen, duke pretenduar se fragmentet e publikuara nuk i përkasin databazës së tyre.
Vetë kryeministri Edi Rama pranoi se partia e tij ka një sistem për patronazhimin e çdo votuesi dhe e konsideroi këtë praktikë normale ndërsa sugjeroi se databaza e partisë së tij është më komplekse ndërsa ato që janë publikuar në media i konsideroi si ndoshta versione më të hershme. Ndërkohë, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, pretendoi se të dhënat e publikuara janë të pavërteta.
Partia Demokratike në opozitë deklaroi se të dhënat janë rrjedhur nga portali i shërbimeve qeveritare E-Albania te Partia Socialiste ndërkohë që shumë qytetarë që kanë akses në databazë dëshmojnë se të dhënat e përfshira në të janë shumë të përditësuara dhe janë të dhëna që ata vetë kanë dorëzuar në institucione të ndryshme publike, përfshirë E-Albania dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. E-Albania u përdor nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama për të dhënë lejet e daljeve gjatë mbylljes kombëtare të pranverës 2020 që u bë me qëllim që të ndalohej përhapja e COVID-19. Në formularët e plotësuar, qytetarët dorëzonin të dhëna të ndryshme, përfshirë numrat e telefonit dhe adresat e emailit.
Databaza, të cilën BIRN e pa, përmban rreth 910 mijë rreshta me emrat, adresat, ditëlindjet, numrat personalë, të dhënat e punësimit dhe të dhëna të tjera. Për çdo votues, një zyrtar i partisë i cilësuar si “patronazhisti” është caktuar. Nëse do të dish se ku punon secili prej 910 mijë votuesve, një kërkim në databazë e nxjerr për pak minuta;
Për secilin votues ka gjithashtu të dhëna se si ata kanë votuar në të shkuarën dhe se cila është preferenca e tyre aktuale. Në një kolonë të veçantë të titulluar “koment”, zyrtarët e partisë kanë vënë shënime për shumë nga votuesit, shënime që sugjerojnë për marrëdhënie korruptive mes këtyre zyrtarëve dhe votuesve.
Në një prej tyre shënohet se votuesi se i ka kërkuar legalizimin e pallatit. Në një tjetër është shënuar: Punon për xxx, eksponent i LSI. Apo akoma më tutje, “përfituese në legalizim”. Dhe akoma më tutje: “nuk ka votuar. As faleminderit nuk tha që mori hipotekën e shtëpisë”. Apo: “babai, anëtar organizate PD”.
Në një rast tjetër, një socialist pyet një punonjës të bashkisë Tiranë për votën dhe shënon në databazë se punonjësi i është përgjigjur se ‘vota është sekrete’. Në një tjetër shkruhet: “Nul votojn jehovaj”, apo “myslimane ekstremist, nuk vijnë te votojnë, nuk ua lejon feja.” Ose: “të pakënaqur”.
Patronazherët kanë hyrë deri në të dhënat më private të mundshme të qytetarëve duke u informuar edhe për sherret brenda familjes. Në një votues është shënuar: “djali i xhajës së xxx, por nuk flasin”. Në një tjetër: “mamaja e xxx, punësuar në bashki”.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, një organizatë e të drejtave të njeriut në Tiranë, theksoi se monitorimi sistematik i votuesve nga një parti politike përbën dhunim të të drejtës për votim të fshehtë dhe kjo është veçanërisht shqetësuese në rast se mbledhja e të dhënave bëhet pa lejen e votuesit.
Të premten, 12 organizata të të drejtave bënë thirrje te autoritetet të hetojnë çështjen sepse dukshëm mbeldhja e këtyre të dhënave është në shkelje të ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Në gjuhën e ligjit ky rast përbën haptazi mbledhje, përpunim dhe përhapje të paligjshme të të dhënave personale dhe sensitive të afro 1 milion qytetarëve shqiptarë, pa pëlqimin e tyre,” shkruhet në deklaratë.
Dhe ndërsa qytetarët janë fiksuar për të ditur se kush është zyrtari i Partisë Socialiste që po i gjurmon ata, ky Big Brother në stilin shqiptar duket se ka edhe anën e vet komike. Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, rezulton si një votues që punon te Këshilli i Ministrave, ka numrin celular 00355xxx dhe ka për patronazhist Ervis Hushën. Husha vetë ka gjithashtu një patronazhist, i cili nga ana e tij, ka një patronazhist tjetër.
Gazetari Bushati, i cili ekspozoi ekzistencën e databazës, beson se prokurorët vështirë se do të bëjnë punën e tyre.
“Nuk kam besim se prokuroria do ta gjejë të vërtetën e kësaj ngjarje. Kur krimi shkon lart, ai mbetet pa fajtor,” deklaroi ai.