RMV, për mashtrim dhe përfitim për tre vjet përmes falsifikimit të pasaportave, Prokuroria akuzoi 11 persona

Në lidhje me falsifikimin e pasaportave, Prokuroria themelore publike në Maqedoninë e Veriut ka akuzuar 11 persona, dhjetë prej të cilëve për keqpërdorimin e pozitës zyrtare në periudhën prej qershorit të vitit 2017 deri në fund të vitit 2020, transmeton Portalb.mk.

“Pas një procedure paraprake, Prokuroria themelore publike në Shkup sot ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave në lidhje me keqpërdorimet e kryera gjatë lëshimit të pasaportave”, raportojnë nga Prokuroria, duke paralajmëruar se hetimet janë duke vazhduar edhe për persona tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë organizim.

Dhjetë personat akuzohen për kryerjen e veprës penale në bazë të paragrafit 1 të nenit 353, në lidhje me nenin 45 nga Kodi Penal, derisa personi tjetër akuzohet për nxitje të veprës së njëjtë penale. Ata akuzohen se kanë furnizuar 214 shtetas të huaj dhe një shtetas të RMV-së me pasaporta të RMV-së.

Raportohet se të akuzuarit, si punonjës policor kanë kryer krimin e nxitur nga i akuzuari Rafi Miftari, tashmë i pakapshëm. Ata akuzohen për përfitime material, duke krijuar dokumente të rrejshme, shfrytëzim të të dhënave personale të qytetarëve që kanë shtetësi por nuk kanë kërkuar akoma pasaportë biometrike të RMV-së. Gjithashtu gjatë veprës penale, ata kanë anashkaluar edhe procedurat tjera për lëshimin e pasaportave, si fotografimi, termini dhe afatet tjera.

“Të akuzuarit kanë shfrytëzuar të dhënat e këtyre personave për përgatitjen e pasaportave, duke vendosur fotografitë e personave që kërkoheshin me flet-arrest ndërkombëtar për kriminalitet”, raportojnë nga Prokuroria, duke kërkuar zgjatjen e masës së paraburgimit për shtatë të akuzuarit, derisa i teti akoma është i pakapshëm.

Njëri nga të akuzuarit është në burg për rastin e keqpërdorimit të lejeve për vozitje, derisa për tetë ka masë paraburgimi, ndërsa ndaj dy personave vetëm rritje e masave për kujdes dhe ndalesë për largim nga vendbanimi. Njëri nga tetë personat, për të cilët është caktuar masa për paraburgim, është i pakapshëm për policinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button