Sot u protestua para qeverisë së RMV-së, agjencitë e evenimenteve kërkojnë masa urgjente

Organizatorët e evenimenteve sot kanë protestuar para Qeverisë së RMV-së për shkak se ndjehen të injoruar nga ana e kompetentëve, edhe pse sipas tyre, kanë pësuar humbje të mëdha për shkak të krizës me virusin korona, ata protestuan për 3 orë dhe kërkuan plotësimin e kërkesave të tyre, në të kundërtën, do të bllokojnë bulevardin para qeverisë, çdo ditë, shkruan Portalb.mk.

Sipas disa të dhënave të cilat i shpalosën sot, industria e agjencive të evenimenteve ka pësuar rënie prej 62 për qind, ndërkaq nuk janë ndihmuar aspak nga ana e qeverisë së RMV-së.

Maja Babiq, kryetarja e Shoqatës së Industrisë së Evenimenteve kërkoi grante për këtë industri, ajo shtoi se planin e saktë për ndihmë e kanë paraqitur megjithatë përgjigje nuk kanë marrë.

“Kërkojmë grante, që në janar para shpalljes së pakos së pestë të masave kemi paraqitur plan të saktë se si duhet të na ndihmojnë. Këtu bëhet fjalë për shifra konkrete të veprimtarive, bëhet fjalë për rënie të qarkullimit prej 60 për qind, kusht për taksat e paguara ndaj shtetit, kusht për të dëshmuar se ato kompani nga “industria e evenimenteve”, por ne kërkojmë korrektësi për të gjithë” tha Maja Babiq kryetare e Shoqatës së Industrisë së Evenimenteve.

Protestuesit potencuan se revolta e tyre ka lindur edhe prej informacioneve të fundit që i kanë marrë se autoritetet e vendit brenda dy javësh do të shpallin tender për organizimin e evenimenteve shtetërore, bëhet fjalë për dy evente, ata theksuan se nuk do të ketë punë për të gjithë.

“Ne si kompani do të duhet të aplikojmë në atë konkurs dhe të lutemi për të fituar. As nuk do të marrin të gjithë kompanitë, e as nuk do të fitojnë në mënyrë të drejtë, as nuk e dimë kush ka të drejtë të merr pjesë dhe kush do t’i vlerësojë ato konkurse.” Tha një prej protestuesve.

Ndryshe, organizatorët e evenimenteve protestuan sot nga ora 12:00 deri në orën 15:00 para qeverisë së RMV-së dhe kërcënuan me bllokimin e bulevardit para qeverisë, çdo ditë, në të njëjtën kohë, në qoftë se nuk marrin përgjigje të shpejtë ndaj kërkesave të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button