Gazetarët: Qeveria patjetër ta ndryshojë ligjin për shërbime vizuele dhe audiovizuele

Shoqatat e gazetarëve, organizata dhe gazetarë sot në Parlament debatuan për Propozim-ligjin për shërbime vizuele dhe audiovizuele. Të gjithë konstatojnë se propozimi i Qeverisë duhet të pësojë ndryshime.

Ndër vërejtjet që më shumë u theksuan ishin masat ndëshkuese përfshirë marrjen e lejes për punë si dhe pavarësinë e trupit rregullator, Agjencisë për media e cila do të zëvendësoj Këshillin aktual radiodfuziv.

Kryetari i SHGM-së Naser Selami tha se projekt ligjet në formën e propozuar nuk është në harmonizim me Kushtetutën e vendit e as me Komisionin Evropian, ndërsa disa mbanin qëndrim se ky propozim kënaq nevojat e TV. 

“Ju garantoj se Maqedonia nuk do të ec para në rrugën euro-atlantike me një ligjvënie të këtillë. Do ti shkaktoni dëm të madh zhvillimit demokratik vendit. BE-ja lirinë e shprehjes e ka vënë lartë si prioritet të vendeve kandidate në procesin e afrimit drejtë BE-së. Ai përcaktim është i fortë dhe aty nuk ka kompromise. Demokracinë tonë do ta vlerësojnë në bazë të shkallës së shprehjes dhe lirisë së mediave, këtë qartë na e ka thënë edhe komisari Fule”tha Selami.

 “Këtij ligji nuk mund ti gjeni të meta, janë inkorporuar të gjitha vërejtjet që i kërkojnë. Ata kërkojnë të mbeten jashtë rregullimit, të mos dihet se kush është pronarë dhe parat e kujt harxhohen në këto portale. Në rast se qeveria jep reklama të cilat ua paguan redaksive, por nuk kanë asgjë kundër në rast se dikush u jep para nga jashtë. E dini se çfarë është gazetaria maqedonase tani? Dikush dëshiron ta shndërroj në opozitë siriane” tha Mirka Velinova.

Ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski edhe njëherë përsëriti se të gjitha vërejtjet e paraqitura nga ekspertët e Komisionit Evropian janë inkorporuar në ligj. Ai njoftoi se më 13 gusht do të mbahet edhe një debat publik ku të ftuar mes tjerash do të jenë dhe përfaqësues të OSBE-së. 

Debati për propozim-ligjin për media do të vazhdojë nesër në të njëjtin Komision. Deputetët opozitarë të LSDM-së gjatë debatit që u zhvillua në Komisionin për Transport dhe Lidhje kishin të veshur bluzat ku shkruante “Liri për Kezhon”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button