RMV, ka vazhduar bllokada e punës së Kuvendit, opozita nuk heq dorë nga kushtet e saja

Ka vazhduar bllokada e punës së Kuvendi dhe mosmarrëveshjet mes shumicës parlamentare dhe opozitës, pasi kjo e fundit nuk heqë dorë nga kërkesat dhe kushtet e saja, ndërkaq shumica nuk ka ofruar ende propozim se si mund të zgjidhen ato, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, gjatë brifingut të sotëm me gazetarë, ka përsëritur qëndrimin e tij se kërkesa e VMRO – DPMNE-së që ligjet e pakos së masave ekonomike të jenë në seancë të veçantë, është e papranueshme.

Ai tha se, nuk ka mundësi ligjore për seancë të posaçme me ligjet nga pakoja e masave antikrizë, e cila është bllokuar në seancën e 36-të, për shkak të mungesës së kuorimit.

“Nuk ka nevojë për takim me deputetët e opozitës të cilët kanë kërkesa me ultimatum. Unë nuk punoj sipas dëshirave të dikujt por sipas rregullores. Dihet kur thirret seancë, duhet të përgatitet material, të vendosen pikat e rendit të ditës dhe të thirret. Unë nuk kam mundësi të rregullores as të thirri, as të vazhdojë seancë, për gjithçka ka procedura ligjore”, tha Xhaferi.

Sa i përket shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ai tha se ekziston mundësi ligjore për këtë, por nuk komentoi nëse kjo është e nevojshme në këtë moment.

“Çështja e gjendjes së jashtëzakonshme është e rregulluar me Kushtetutë dhe e propozon Qeveria apo nuk i caktuar i deputetëve, ndërsa Kuvendi duhet ta votojë me shumicë prej 2/3. Në këtë moment nuk e kemi këtë shumicë, kjo është gjithçka që mund të them, por do të distancohem nga debati nëse duhet ose jo. Do të shtojë vetëm se në vitin 2020 kemi pasur situatë tjetër, me shpërbërjes e Kuvendit, ndërsa tani Kuvendi funksionon në përbërje të plotë dhe kemi situatë të ndryshme”, tha ai.

Ndërkohë, partia opozitare nuk heq dorë nga kërkesa e saj. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski sot ka mbajtur në konferencë për media, në të cilën i ka bërë thirrje shumicës parlamentare që të caktojnë seancë urgjente plenare, në të cilën do të shqyrtohen dhe votohen ligjet nga pakoja e pestë e masave me ndihmë financiare për qytetarët dhe kompanitë.

“Apeloj edhe njëherë të ndërpriten lojërat politike, pazaret dhe taktizimet në kurriz të qytetarët dhe ekonomisë dhe menjëherë, që sot të caktohet seancë urgjente parlamentare në të cilën do të votojmë ligjet nga e ashtuquajtura pako e pestë e masave për ndihmë financiare të qytetarëve dhe ekonomisë. Ne si deputetë të VMRO – DPMNE-së dhe koalicionit do të jemi prezent në Kuvend”, tha Micevski.

Nga ana tjetër, as opozita shqiptare nuk heq dorë nga bllokada e Kuvendit deri sa të miratohet ligji për nënshtetësi, i propozuar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Koordinatori i grupit parlamentare të këtij koalicioni, Skender Rexhepi, në konferencën e sotme për media sot paralajmëroi se do të dorëzojnë nga 1,000 amendamente për çdo propozim ligj.

“Gjithë bllokada filloi në ditë kur shumica në Kuvend, së bashku me opozitën maqedonase bllokoi ligjin për nënshtetësi dhe ai është kushti, ai është hapi i parë për pasi gjithçka tjetër është pasojë e asaj bllokade. Dhe për këtë, si koalicion do ta bllokojmë edhe seancën për pakon e masave nëse vjen deri te ajo dhe jemi të gatshëm edhe me amendamente të bllokojmë Komisionin e Financave dhe Buxhetit. Për çdo propozim ligj do të ketë më së paku 1000 amendamente”, tha Rexhepi.

Mosfunksionimi i Kuvendit është për shkak të mungesës së kuorumit për punë dhe votim, duke pasur parasysh se dy deputetë nga shumica e 62 në periudhën e kaluar përfunduan në izolim për shkak të kovid-19. Përveç kësaj, grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën me mbi 32,000 amendamente bllokoi 20 ligje, mes të cilëve edhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, si kushtëzim për mbështetjen e Ligjit për Shtetësinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button