Opozita shqiptare e vendosur që të bllokojë punën e Kuvendit, Zaev ofroi bisedime

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë të vendosur që të bllokojnë punën e Kuvendit dhe miratimit të ligjeve, përderisa nuk gjendet një zgjidhje në lidhje me ligjin për nënshtetësi, që është propozuar nga ana e deputetëve të këtij subjekti politik, shkruan Portalb.mk.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se është i gatshëm për bisedime me opozitën shqiptare, në mënyrë që së bashku të arrihet zgjidhje për këtë ligj dhe qytetarët që nuk kanë nënshtetësi të mund ta posedojnë këtë dokument nëpërmjet një ligji të ri.

“Kemi dy plane për zhbllokimin e Kuvendit me amendamentet që vijnë nga opozita dhe bllokadat përmes komisioneve, që udhëhiqen nga ana e opozitës njëri është që të na ndihmoni ju mediat dhe ta informoni opinionin cilat janë detajet e bllokadës që të munden politikanët që kanë argument të pabazuar të tërhiqen, flas për pushtetin apo opozitën. Pjesa e dytë është të ulemi dhe të bisedojmë. Nëse ka nevojë për takim liderësh për këtë, do të thirri takim liderësh edhe me opozitën shqiptare edhe me atë maqedonase dhe me partitë e tjera opozitare në Kuvend. Por me të vërtetë dëm pësojnë vetëm qytetarët. Unë besoj se anketat e para do të tregojnë se, askush nuk përfiton sepse është bllokuar ligji për efikasitet energjetik, katër ligje të ekologjisë, 50 milionë për prodhimin e bujqësisë dhe shumë ligje të tjera të cilat”, deklaroi Zaev.

Ai tha se e mbështet propozimin për zgjidhjen e çështjes së nënshtetësisë për ata qytetarëve që nuk kanë, por ajo sipas tij, duhet të jetë sipas të drejtës ndërkombëtare dhe praktikës ndërkombëtare, duhet të ketë dëshmi. Zaev tha se është e papranueshme që me tre dëshmitar të nxirret nënshtetësi.

“Unë thash se ka ide për atë çështje. Nëse kemi grua të moshuar, nënë të fëmijëve dhe fëmijët kanë dëftesë këtu në Maqedoninë e Veriut dhe nëna nuk ka nënshtetësi, a nuk është e mjaftueshme kjo dëshmi de ka djalë që ka mbaruar 8 vjeçare, shkollën e mesme, fakultet!? Nuk na duhet dëshmi më e madhe”, tha kryeministri.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe në një deklaratë për Portalb.mk, tha se ata janë të vendosur që të bllokojnë të gjitha ligjet që vijnë në Kuvend.

“Ato ligje të cilët janë në rrjedhë e sipër, për të cilët seanca plenare është hapur, aty s’kemi çfarë bëjmë sepse ka kaluar afati. Por, të gjitha ligjet të cilat vijnë prej të hënës, ligjet e reja të cilat shtrohen nga ana e Qeverisë propozues apo kush do qoftë, ne do të mundohemi t’i bllokojmë me të gjitha kapacitetet që kemi. Tash për tash, kemi shtruar qindra amendamente për 4-5 ligje dhe çdo ligj tjetër që do të vijë paravarësisht peshës, rëndësisë, karakterit, ne do të shtrojmë amendamente. Sepse, konsiderojmë se nuk ka ligj më të rëndësishëm se ligji i shtetësisë. Me ligjin e shtetësisë dëmtohen një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët nuk i gëzojnë të drejtat e barabarta, janë të privuar prej plotësimit të drejtave me sigurim social, shëndetësor”, tha Snopçe.

Duke komentuar deklaratën e sotme të kryeministrit, ai tha bisedimet duhet të jenë ndërmjet liderëve dhe shtoi se duhet të shihet nëse ky qëndrim i Zaevit është serioz.

“Zaevi ditën e premte kur ishte komisioni përkatës ishte rreptësishtë kundër ligjit për shtetësi. I kishte argumentet e veta të pabazuara, duke mos ofruar asnjë kundër zgjidhje, asnjë ofertë. Ligji mund të mos jetë perfekt, por ka mundësi që të shtrohen amendamente se nëpërmjet tyre ndryshohet. Zaevi nuk ishte i gatshëm që nëpërmjet amendamenteve të ndryshojë ligjin, por ai thjesht në mënyrë kategorike e refuzoi. Sot kishte dhënë një deklaratë, pasi u vetëdijesua se ne kemi kapacitet të bllokojmë Kuvendin, normalisht se ai sot kishte dhënë një deklaratë se është i gatshëm të bisedojë. Por, do të shohim, ajo duhet të jetë komunikim ndërmjet liderëve. Të shohim gatishmërinë a është e vërtetë apo është përsëri dhënia e deklaratave paushallë nga ana e tij. Çdoherë ka dhënë deklarata, nga ana tjetër nuk i ka zbatuar në praktikë, pra nuk i është përmbajt asnjëherë deklaratave që ka dhënë”, deklaroi Snopçe.

Ligji për nënshtetësi nuk kaloi të premten në Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, pasi deputetët nuk votuan propozimet për ndryshime dhe plotësime të ligjit me procedurë të shkurtuar, të propozuar nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Deputetët e VMRO – DPPMNE-së kanë dorëzuar rreth 600 amendamente për tekstin.

Si përgjigje e kësaj, opozita shqiptare mori vendim që të bllokoj të gjitha ligje përmes amendamenteve nëpër komisione parlamentare.

Propozim ligji i ri për nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut parasheh lehtësim të procedurës së marrjes së këtij dokumenti, në krahasim me rregullat dhe procedurat e deritanishme. Qytetarëve që kanë jetuar në Maqedoninë e Veriut në kohën e Jugosllavisë ose janë lindur në Maqedoni, pavarësisht vendit të prejardhjes dhe kanë jetuar këtu deri më 8 shtator 1991, t’u mundësohet të marrin nënshtetësi, njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare sipas Kushtetutës, janë disa prej lehtësimeve që parasheh propozim ligji për nënshtetësi i propozuar nga grupi parlamentare ASH – AAA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button