Bejta: investuam mbi 1 milion euro, RDK këto ditët më të errëta të drejtimit të Gostivarit

“Gjatë 100 ditëshit të parë të qeverisjes me Gostivarin është investuar 1 milion euro, komuna ka dalë nga izolimi total, ndërsa për  dallim  nga kryetari që i humbi zgjedhjet, ne e çmojmë dhe e vlerësojmë demokracinë”, tha Nevzat Bejta në konferencën për shtyp me rastin e 100 ditëshit të drejtimit me Komunën e Gostivarit.

Ai më tej tha se janë realizuar një sërë projektesh, vlera e të cilëve arrin në mbi 500 mijë euro, duke përmendur në këtë kontekst rikikonstruimin e bulevardit “Vëllezërit Gjinoski”, asfaltimin e  rrugës në brendi të fshatit Banjicë, ndërtimin e trotuarit nga hyrja e fshatit Forinë e deri në përfundim të fshatit Çegran, investimin në fshatin Debresh për rregullimi dhe ndërtimi e rrugës lokale në anën që lidh këtë fshat me Zdunjën dhe pjesët tjera të Gostivarit, asfaltimin e rrugës “Beliçica”, në lagjen Banjeshnica, rregullimi i trotuareve në të dyja anët e rrugës, aksionin për sanimin dhe mbushjen e gropave nëpër rrugët lokale të Gostivarit, të cilat , siç tha ai,  u mbushën me asfalt e jo si në mandatin e kryetarit që i humbi zgjedhjet me pllaka begatoni, si dhe hapjen për herë të parë të një rruge në brendi të qytetit, që do të lidh rrugën e Dibrës me rrugën 18 Nëntori”.

Bejta përmendi edhe takimet e shumta me përfaqësues të Institucioneve dhe investues ndërkombëtarë, aktivitetwet kulturore  dhe sportive të zhvilluara me mbështetjen e komunës etj.

“Janë eliminuar dhe tejkaluar problemet dhe lëshimet që ishin bërë nga politizimi i skajshëm i shkollave publike komunale për interesa të ngushta partiake. Në fushatën parazgjedhor në premtuam se do të kujdesemi dhe do të investojmë në shkollat tona, prandaj që në 100 ditëshin e parë kemi filluar me rinovimin dhe përmirësimin e kushteve pothuaj se në të gjitha shkollat. I tillë është investimi në shkollën e Mesme Teknike, shkollën fillore Bashkimi dhe në shkollat tjera”, tha Bejta duke radhitur edhe një sërë projektesh tjera të realizuara edhe nga Ndërmarrja Publike Komunale “Komunalec”,

Por, ndaj punës së kryetarit Bejta, në 100 ditëshin e parë të tij, ka reaguar RDK, e cila e ka konsideruar jolegjitime dhe pa përkrahjen demokratike të popullit shqiptar udhëheqjen e re të kësaj komune, duke i konsideruar këto 100 ditë qeverisje,  si ditët më të zeza të menaxhimit të saj. Reagimi i RDK-së e konsideron menaxhimin me komunën në tërësi antiligjor, jodemokratik, skajshmërisht revanshist, antihuman dhe jotransparent në të gjitha drejtimet.

Në këtë kontekst  Bejtës i përshkruhet largimi nga puna dhe diferencimi ideopolitik dhe kundraligjor i të punësuarve, në administratën komunale, ndërmarrjet publike, arsim etj., ndërkohë që sipas RDK-së këto masa nuk janë ndërmarrë ndaj asnjë të punësuari maqedonas.

Në reagimin e RDK-së gjithashtu thuhet se me  zgjedhjen e kuadrit maqedonas për udhëheqës të dy çerdheve të qytetit dhe të dy shkollave komunale ,numri i drejtorëve maqedonas është i barabartë me numrin e drejtorëve shqiptar (4=4) përkundër faktit që shqiptarët janë 70%, ndërsa maqedonasit vetëm 20% në Gostivar.

“Të gjitha promovimet e investimeve kapitale si pajimet e NPK në vlerë prej 500 mijë euro, investimet prej disa qindar mijëra euro në ifrastrukturën rrugore dhe në ndriçimin publik janë investime të siguruara me fonde financare nga udhëheqësia e RDK-së në mandatin paraprak, kjo garniturë nuk ka kufarë meritash menaxheriale për sigurimin e fondeve finaciare dhe realizimin e këtyre investimeve”, thuhet ndër të tjera në reagimin  RDK-së.             

Lajme të ngjashme

Back to top button