FRI kërcënon me protesta nëse nuk zbardhet rasti i rrahjes së shqiptarit

Për rrahjen brutale të djaloshit nga Shkupi, Isuf Islami nga një bandë prej 12 personave maqedonas, lajm që e bëri të ditur Portalb, ka reaguar sot edhe Forumi Rinor Islam duke kërkuar nga organet kompetente ta zbardhin rastin sepse në të kundërtën do të bëjë thirrje për protesta. Ata thonë se në këtë mënyrë do të kryejnë presion deri te institucionet për gjetjen e fajtorëve dhe marrjen e masave adekuate për parandalimin e këtyre sulmeve.

“Forumi Rinor Islam shpreh shqetësimin e tij në lidhje me rrahjet e fundit që po ndodhin ndaj fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë nga huliganët dhe vandalët maqedonas. Fotografia e fundit ku një i ri 18 vjeçar u rrah nga një grup prej 12 maqedonasve ka tronditur publikun në vend por edhe më gjërë duke mbjellë pasigurinë dhe frikën e lëvizjes së lirë të të rinjve por edhe të rriturve në këtë vend. Fatkeqësia është edhe më e madhe kur e kemi parasysh faktin se dhjetëra rrahje të tjera të ngjashme kanë kaluar vetëm si lajme nëpër media pa u zbardhur asnjë rast i vetëm. 

“Duke e pasur parasysh këtë situatë, ju bëjmë thirrje urgjente organeve të policisë, Ministres për punë të brendshme znj. Gordana Jankullovska, e në veçanti edhe zëvendës ministrit për punë të brenshme z. Zemri Qamili që të marrin hapat e nevojshëm për zbardhjen dhe parandalimin e rasteve të tilla, sepse rastet e tilla veç pasigurisë, mund të sjellin edhe nxitjen e rasteve tjera të hakmarrjes por edhe përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës” thuhet në reagimin tyre.

Me reagim doli edhe Diaspora shqiptare për Maqedoninë.

Për rrahjen brutale të Isuf Islamit, policia nuk disponon më shumë informata përpos thënies standarde se “punojmë për ta zbardhur rastin”.

Deri më tani, rastet e fundit ku janë rrahur shqiptarët e pafajshëm në është bërë praktikë mos të zbardhen nga policia. Portalb trajtoi këtë temë disa ditë më parë: Policia mohon se Blini është sulmuar! Kush dënohet në këtë shtet?

Lajme të ngjashme

Back to top button