ASH: Edhe sa mandate do t’i duhen Ramiz Merkos ta dislokojë deponinë e Strugës?

Kryetari i degës së Aleancës për Shqiptarët në Strugë, Imer Imeri, përpara deponisë në Strugë, njoftoi se për mirëmbajtjen e saj harxhohen shuma marramendëse parash, gjegjësisht 563 mijë euro për tre vite. Ai tha se pavarësisht premtimeve, Merko s’e ka dislokuar këtë deponi, njofton Portalb.mk.

Imer Imeri, ASH
Imer Imeri, ASH

“Jemi para një mali të vërtetë mbeturinash. Gjëja që duket nuk ka nevojë për shumë koment. Jemi para një deponie të sjellë nga kryetari aktual, Ramiz Merko shumë vite më parë. Kjo deponi është vendosur në tokën më pjellore të qytetit të Strugës. Harxhohen shuma marramendëse parash. Plotë 563 mijë euro janë harxhuar për tre vitet e fundit, 2018, 2019 dhe 2020. Dhe shikoni vetë se çfarë kanë bërë. Me këto para, mund të them lirisht se ndërtohet impiant për përpunimin dhe riciklimin e këtyre mbeturinave. Mirëpo për fat të keq, asnjë gjë nuk është bërë në këtë drejtim. Madje edhe shuma e dhënë nga qeveria për paketimin dhe dislokimin e mbetjeve u zhduk”, deklaroi Imeri, duke shtuar se Merko të japë llogari për paratë që harxhohen për mirëmbajtjen e kësaj deponie.

Ai e rikujtoi Merkon se ka premtuar, por s’e ka dislokuar këtë deponi.

“Pyesim kryetarin e komunës, çfarë u bë me premtimet të cilat i keni dhënë vazhdimisht në ciklet zgjedhore, qofshin ato lokale apo parlamentare. Keni qenë edhe vet ministër, deputet, tre mandate kryetar komune. Asnjë përpjekje se keni bërë për dislokimin e kësaj të keqeje për qytetarët dhe për qytetin tonë të bukur”, tha Imeri, duke shtuar se Merko duhet të japë llogari dhe të tregojë edhe sa mandate në vijim i duhen për ta dislokuar këtë deponi..

Portalb.mk, kërkoi qëndrim nga kryetari Merko, në lidhje me çështjen në fjalë, megjithatë i njëjti, deri në momentin e publikimit të tekstit, nuk iu përgjigj thirrjes tonë telefonike, e as sms-porosisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button