RMV, për të parandaluar korrupsionin, institucionet shtetërore duhet të publikojnë informacione në një format të hapur dhe lehtësisht të arritshëm
Nuk ka asnjë korrelacion të drejtpërdrejtë midis hapjes së institucioneve dhe buxheteve të tyre. Nuk ka asnjë korrelacion midis hapjes së organeve ekzekutive dhe hapjes së ministrive të cilave ata i përkasin, këtë e tregojnë rezultatet e një hulumtimi empirik gjithëpërfshirës i bazuar në Indeksin e Hapjes në kuadër të Projektit për pjesëmarrje qytetare të USAID-it dhe Fondacionit kombëtar për demokraci, të cilin e realizoi Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me partnerët nga rrjeti rajonal i OShC-ve – Llogaridhënie, teknologji dhe rrjeti i hapjes institucionale në Evropën Juglindore (ACTION SEE), raporton Meta, transmeton Portalb.mk.
“Mekanizmat e monitorimit dhe raportimit si dhe raportet e rregullta janë të rëndësishme për të siguruar zbatim të politikave të reja dhe për të ruajtur rezultatet e tyre pozitive”, tha Qëndresa Sulejmani, drejtoreshë programi në Fondacionin Metamorfozis.
Ajo, në onlajn ngjarjen e sotme, i prezantoi rezultatet e hulumtimit dhe vuri në dukje se faqet e internetit të institucioneve shtetërore janë ligjërisht mjetet më të përdorura për ndërveprim dhe llogaridhënie publike dhe duhet të përdoren në mënyrë efektive për të raportuar mbi të gjitha aspektet e kompetencave të institucioneve përkatëse. Ndërkohë, fokusi i institucioneve duhet të jetë botimi proaktiv në formatin më të hapur që është në dispozicion.
Erik Janovski, përfaqësuesi i zyrës së USAID në RMV, i cili u drejtua në këtë ngjarje, theksoi se Qeveria amerikane mbështet përpjekjet qendrore dhe lokale për të forcuar transparencën dhe mekanizmat e llogaridhënies që do të luftojnë korrupsionin dhe të përmirësojnë përparimin e vendit.
“Qeveria e SHBA e mbështet dhe ka pritshmëri të mëdha për vendin si një aleat i NATO-s dhe një partner demokratik në rajon, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Sondazhet kanë treguar se 80 përqind e banorëve të Maqedonisë besojnë se korrupsioni është rritur ndjeshëm në 10 vitet e fundit dhe kjo dëshmohet nga perceptimi i Transparenasi Interneshënëll”, tha Janovski.
Ai vlerësoi punën e Fondacionit Metamorfozis dhe tha se ishte thelbësore pasi ndërton ura midis shoqërisë civile dhe institucioneve që tregojnë se si duhet të punohet për përparim.
Sipas Maja Llazarova, zyrtarja e programit kombëtar të OSBE-së në vend, indekset e hapjes do të përmirësohen vetëm nëse e gjithë shoqëria bën përpjekje të përbashkëta. Ajo vuri në dukje se transparenca është një nga parimet kryesore të një shoqërie demokratike dhe tha se hapja është një koncept më i gjerë i krijimit të një kulture institucionale për pranueshmëri ndaj ideve, njerëzve, përvojave, të reja etj.
“Ndërhyrjet për të përmirësuar hapjen dhe transparencën e institucioneve tona të sektorit publik nuk duhet të shihen si përpjekje të izoluara, por si një përpjekje e koordinuar bashkërisht nga të gjithë ne, aktorët kryesorë në vend, duke përfshirë institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare.” “Vetëm në atë mënyrë mund të ndërtojmë sinergjinë e dëshiruar dhe të arrijmë rezultate të përbashkëta, gjegjësisht zgjidhje të qëndrueshme brenda një periudhë të shkurtër kohe, e cila do të jetë e rëndësishme në planin afatgjatë,” tha Llazarova.
Koordinatori kombëtar për qeverisje të përgjegjshme dhe Transparencë, Robert Popovski, nga ana tjetër, i theksoi aktivitetet e zbatuara deri më tani të Qeverisë, duke përfshirë mjetin për llogaridhënien financiare dhe mjetin për të dhëna të hapura, si një nga aktivitetet më pozitive të qeverisë aktuale.
“Nga kjo, por edhe nga indekset e mëparshme të hapjes, ne mund të jemi të kënaqur, por edhe të pakënaqur. Kënaqësia është që nga vendi i fundit, brenda një kohe të shkurtër arritëm që të ndajmë vendin e parë në rajon për sa i përket transparencës së Qeverisë dhe institucioneve të saj. Ajo për të cilën mund të jemi të pakënaqur është se ka ende shumë punë për të bërë, dhe për fat të keq, kriza me kovid na ka parandaluar që të jemi më efikas gjatë së kaluarës dhe këtij viti, veçanërisht kur i gjithë fokusi i energjisë është në shpëtimin e jetës së njerëzve”, tha Popovski.
Natalija Shikova, dekane e Fakultetit të drejtësisë në Universitetin ndërkombëtar të Ballkanit, tha se e gjithë situata duhet të shikohet në mënyrë më realiste dhe më autokritike, duke pasur parasysh se kur bëhet fjalë për indeksin e hapjes, i gjithë sistemi luan një rol, e jo sektorë individualë.
“Hapja vetë dhe vetvetiu nuk do të thotë asgjë. Duhet të konsiderohet në një situatë më të gjerë, përse ekziston dhe cili është qëllimi i saj. Ne kemi hapjen, transparencën, llogaridhënien, drejtësinë, barazinë, konsultimin, pjesëmarrjen, rregullat efektive, qëndrueshmërinë, koherencën, respektin për sundimin e ligjit, etikën. Të gjithë janë elementë të një qeverie të hapur, e cila nga ana tjetër është e arritshme, e përgjegjshme dhe transparente”, tha ajo duke shtuar se institucionet duhet të japin llogari para qytetarëve, por edhe qytetarët duhet të “mbajnë” institucionet përgjegjëse dhe të përfshihen aktivisht në proces të bërjes së politikave publike, sepse ky është qëllimi i qeverisjes së mirë.
Hulumtimi i plotë mund të shihet në këtë link.