Shteti nuk ka informata nëse Mijallkov ka nënshtetësi të dyfishtë, Spasovski: Konsiderojmë se ai është ende brenda shtetit (VIDEO)

Shteti nuk informacione nëse ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallokov, i cili që nga dita e diel është i pakapshëm për policinë, ka nënshtetësi të dyfishtë. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovki, në konferencën e sotme për media, ku sqaroi versionin e tij të ngjarjeve që kanë ndodhur në tre ditët e fundit, tha se nuk kanë informata nëse personi në fjalë ka edhe ndonjë nënshtetësi tjetër, përpos asaj të Maqedonisë së Veriut. Ai po ashtu tha se MPB, nuk është organ i cili mund të ndjekë se sa llogari bankare ka Mijallkov. Spasovki u shpreh u bindur se në bazë të analizave që kanë bërë, ish shefi i DSK-së ndodhet akoma në vend dhe nuk ka lëshuar shtetin, shkruan Portalb.mk.

“Sipas informatave që i marrim nga Agjencia për Siguri Nacionale, nuk ka informata nëse ka shtetësi të dyfishtë personi Sasho Mijallkov. Ai nga viti 2017 është në “stop” listën për ndalesë për dalje nga shteti, kështu që ne në vendkalimet kufitare kemi vazhdimësi në ndjekjen përmes menaxhimit të integruar kufitar, do të thotë i ndjekim në kohë reale të gjitha kamerat në të gjitha vendkalimet kufitare. Sipas informatave tona, konsiderojmë se Sasho Mijallkov është në shtet dhe se nuk është jashtë shtetit që të mund të kërkojë azil kudo qoftë. MPB nuk është ai institucion i cili kërkon dhe miraton ngrirjen e llogarive bankare, apo çfarë do lloj aktivitete të tjera dhe as mund t’i shoh apo t’i ndjek ato llogari. Çështja është se a duhet shteti të drejt asaj të shohim se pronësinë dhe të kalohet në hapin e konfiskimit të pronësisë. Po, sepse pronësia e arritur në mënyrë kriminele nëse nuk konfiskohet atëherë, nuk kemi situatë në të cilën do të kemi siguri juridike”, deklaroi Spasovski.

I pyetur nëse ndjen përgjegjësi për arratisjen e Mijallokovit, Spasovski tha se, që të ndjehet përgjegjësi duhet të bëni lëshime të qëllimshme apo të mos veproni në bazë të udhëzimeve që janë dhënë.

Sipas tij, tani është momenti kur duhet t’i orientojnë të gjitha forcat ta kapin të arratisurin dhe ta sjellim para drejtësisë. Ai tha se, duhet të ketë hetim të hollësishëm për gjithë rastin, nëse ka kushdo qoftë që ka kontribuar për këtë situatë, jo të mbaj përgjegjësi morale, duhet të mbajë përgjegjësi penale, pavarësisht se kush është.

“Sipas kronologjisë së ngjarjeve, e shihni se Ministria e Punëve të Brendshme ka vepruar menjëherë pas momentit të marrjes së informatave tona me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion para nesh. Ne duhet ta kërkojmë përgjegjësinë në mosekzistimin e tërësishëm të sistemit. Unë atë e kam thënë edhe më herët, nëse nuk rregullohet sistemi në Maqedoninë e Veriut dhe përderisa kemi lëshime të këtilla serioze në pjesë e sistemit, atëherë kuptohet se do të kemi edhe ngjarje të këtilla të reja që do të na ndodhin. Kjo duhet të jetë një alarm i fuqishëm për të gjithë që të konsolidohet sistemi. Ministria e Punëve të Brendshme i ekzekuton urdhrat që i merr nga ana e prokurorisë, apo vendimet dhe urdhrat gjyqësor që i marrim nga ana e gjykatës. Ne nuk mundemi as të marrim vendime, as të veprojmë pa prokurorinë dhe pa gjykatën”, tha Spasovski.

Ministri i Brendshëm po ashtu, ka sqaruar kronologjinë e ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë ditës së shtunë dhe të diel.

“Të shtunën rreth orës 12:30 kam pranuar thirrje nga Villma Ruskovska dhe më ka njoftuar se Sasho Mijallkov përgatit arratisje. Edhe pse ka mundur ta njoftojë gjykatës, u dakorduam t’i dërgojë dokument MPB-së të kontrollojmë nëse kemi informata të tilla. Në orën 18 kemi marrë njoftim ku qëndron se Ruskovska ka informata se Mijallkov po përgatitet që të arratiset, për shkak se do të marrë dënim me burg më të lartë se sa dëshironte. Në orën 23 i është dërguar njoftim PTHP. Në orën 22:30 është lëshuar për veprim të fshehtë të policisë. Nuk mund të bëhet ndjekja e një personi pa urdhër nga gjykata. Të dielën janë kërkuar informata shtesë nga BSP, por nuk ka pasur. Janë dhënë urdhra për ndjekje të daljeve nga qyteti. Në orën 18:40 Mijallkov është parë me një grua dhe tre burra drejt “Marriott-it”. Më pas tre vetura kanë dalë nga “Marriott-i”, por nuk është mundur të shihet nëse Mijallkov është brenda. Veturat janë orientuar drejt rrugës Sllavejko Arsov. Pas vendimit për paraburgim, në orën 21:30 minuta është vërtetuar se Mijallkov nuk është aty. Janë kryer kontrolle në tre banesa, në pronës të familjes Mijallkov”, tha Spasovski.

Ndryshe, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, është arratisur të dielën, pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB dje e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”, megjithatë iku.

Me kërkesë të MPB-së, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin.

Të akuzuarit në rastin Target-Fortesa janë, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015. 

Në fjalët përfundimtare, dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së.

Me datë 26 shkurt gjykata do ta shqiptojë aktgjykimin.

Lexoni më shumë për rastin “Target-Fortesa” duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button