Shqipëri, u shtua kalimi tranzit i emigrantëve të paligjshëm edhe në kohë pandemie
Mbyllja e kufijve dhe izolimi nga pandemia, nuk e uli fluksin e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë në Shqipëri tranzit drejt vendeve të BE-së. Rritja e këtij fluksi konfirmohet që prej 2019-s e në vijim dhe është shoqëruar me shtimin e personave që e kanë kthyer në biznes transportin e tyre brenda territorit shqiptar, shkruan Faktoje.al.
Së fundi raportohet edhe përfshirja e grave dhe personave në moshë gjithnjë e më të re në ‘dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit’ apo transportimin e refugjatëve kundrejt pagesës 100-200 euro për person. Policia vendore e Elbasanit konfirmon shtimin e këtij fenomeni, por Policia e Shtetit refuzoi të japë të dhëna mbi situatën e krijuar në shkallë vendi.
Në një raport të vitit 2019 nga Shërbimi Informativ Shtetëror theksohet se Shqipëria vijon të mbetet vend tranzit për kalimin e emigrantëve të paligjshëm.
“Fluksi i emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë nëpërmjet kufirit të gjelbër, në jug dhe juglindje të Shqipërisë, ka shënuar rritje.”- citon raporti.
Të dhënat e këtij raporti konfirmohen edhe nga shifrat e INSTAT . Sipas këtij institucioni, në 2019-n rezultojnë 6.557 azilkërkues në Shqipëri, numër që ka pësuar rritje me 49,5 %, krahasuar me 2018-n.
Çfarë ndodhi gjatë pandemisë?
Ajo çfarë mund të thuhet në terma të përgjithshëm është se gjatë vitit 2020, emigrimi i paligjshëm drejt Bashkimit Evropian shënoi një numër të ulët krahasuar me shtatë vitet e fundit. Megjithatë sipas FRONTEX edhe pse pati ulje të fenomenit për sa i përket rrugëve tokësore, u vu re një prirje në rritje e emigrimit të paligjshëm në rrugë detare.
Shqipëria si vend tranzit i emigrantëve gjatë pandemisë?
Faktoje iu drejtua Ministrisë së Brendshme për të mësuar numrin e operacioneve të zhvilluara për ndalimin e kalimit të emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE.
*Kërkesa dërguar Mnistrisë së Brendshme
Ky institucion e delegoi kërkesën te Policia e Shetetit, e cila nuk është përgjigjur, edhe pas ankimit te Komisioneri i të Drejtës për Informim.
*Përgjigjja nga Ministria e Brendshme
Faktoje bëri disa kërkime në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit për vitin 2020 ku rezultojnë të jenë kryer dy operacione (Destinacioni dhe Perimetri) për ndalim të kalimit të paligjshëm të kufirit.
Fenomeni ‘gra trafikante’?
Një 35 vjeçare u arrestua në 11 janar 2021 pasi u kap në qytetin e Elbasanit duke transportuar 5 shtetas sirianë. Drejtoria e Policisë vendore konfirmoi se shtetasja me inicialet K.B u arrestua në unazën e qytetit të Elbasanit gjatë udhëtimit për në Tiranë. Mësohet se gruaja me banim në Libonik të Korçës, me mjetin e saj tip Volksëagen do t’i transportonte drejt kryeqytetit kundrejt pagesës 200 euro për person. Arrestimi i gruas vjen pas një sërë arrestimesh për transport të shtetasve nga vendet e treta, sidomos gjatë vitit 2020.
Nga dëshmia që K.B ka dhënë në polici, mësohet se transporti në këtë rast nuk ka indicie për një rrjet të mirorganizuar. Burime zyrtare të policisë konfirmuan se duke qenë se Elbasani përdoret si tranzit, rastet e transportimit të emigrantëve të paligjshëm nga vendet e treta janë shtuar ndjeshëm.
Nga raportimet në mediat vendase, por edhe ato ndërkombëtare pjesa më e madhe e emigrantëve vijnë nga Greqia përmes kufirit të gjelbër. Në vitin 2019 në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës në Gjirokastër dhe në Kapshticë të Korçës, 50 oficerë policorë nga 11 vende të BE-së asistuan policinë shqiptare për përballimin e valës së emigrantëve që vinin nga Greqia dhe përdornin si tranzit Shqipërinë, për në vendet e Bashkimit Europian.
Drejtori i Policisë Elbasan, Alket Shartro deklaroi për Faktoje se ka një plan masash nga policia vendore për zbulimin e kësaj veprimtarie të paligjshme që ka dhënë efekt pasi rastet e zbuluara dhe të referuara në prokurori janë rritur ndjeshëm. Gjatë hetimeve janë zbuluar edhe rrjete të organizuara të transportimit të emigrantëve deri në destinacionin e kërkuar, që është kryesisht kufiri me Malin e Zi apo Kosova. Madje ka pasur edhe raste të transportit të emigrantëve të paligjshëm, sidomos nga rruga e Moglicës në Gramsh për të shmangur kontrollet, por duke u përballur me më shumë vështirësi, për shkak të infrastrukturës rrugore.
Ndërkohë që në vitin 2019 rastet e referuara nga policia ishin të pakta, por me një rrjet të gjerë organizatorësh, në 2020-n ky fenomen u shtua duke përfshirë edhe individë të veçuar, kryesisht në moshë të re që e kanë kthyer në një biznes fitimprurës tranportin e emigrantëve klandestinë.
Mësohet se një pjesë e konsiderueshme e të arrestuarve nuk janë me banim në Elbasan, por përdorin këtë segment rrugor për të kryer aktivitetin e tyre të paligjshëm.
Edhe nga Korça raportohen raste të ndalimeve që lidhen me tranasportin e emigrantëve të paligjshëm, ku janë përfshirë edhe gra. Në datën 08 janar të këtij viti, Gjykata e Rrethit gjyqësor Korçë, ka marrë në shqyrtim çështjen penale ndaj një gruaje të akuzuar për Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, të kryer në bashkëpunim.
Kopje e vendimit të Gjykatës së Rrethit Korçë për marrjen në shqyrtim të çështjes penale për akuzën ‘Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit’, 08/01/2021
Një raport i Global Initiative pohon se kalimi i paligjshëm i emigrantëve ka ndodhur edhe gjatë pandemisë në vendin tonë. Sipas të dhënave, më shumë se 900 emigrantë hynë në Kosovë vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2020, dhe 300 prej tyre vinin nga Siria. Shumica e tyre kishin hyrë në vend përmes Shqipërisë, për të vazhduar më tej drejt Serbisë.
Megjithatë janë vërejtur raste të një itinerari ndryshe që përdoret nga emigrantët e paligjshëm.
“Një emigrant i tha Radios Evropa e Lirë se ishte kthyer në Prishtinë nga Serbia, dhe se do shkonte në Shqipëri, që të përpiqej to kalonte nga Durrësi për në Itali, dhe më tej në Gjermani. Disa emigrantë i kishin paguar shoferëve të taksive rreth 100 euro për person që t’i kalonin ilegalisht nga kufiri me Shqipërinë për në destinacion. Disa të tjerë kishin paguar 200 euro që të kalonin nga Shqipëria në Kosovë nëpërmjet një rruge mali.”-citohet në raport.