RMV, avokatët e studentëve inkurajojnë studentët ta denoncojnë shqetësimin seksual në universitete

Në mars të vitit të kaluar, me aktgjykime të shqiptuara përfundoi afera korruptive “Erazmus” në Fakultetin e ekonomisë, ku tre profesorë dhe një demonstrator u akuzuan për mitmarrje ose kërkim të shërbimeve seksuale nga studentet për të fituar note kalimtare. Profesorët Ristevski, Janev dhe Shuklev u dënuan me burg prej dy vite e gjysmë, ndërsa demonstratorit iu shqiptua dënim me kusht prej dy viteve, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

Thuajse një vit pas epilogut “Erazmus”, ngjarjet me grupin e parë në Telegram “Oda Publike”, edhe një herë i hapën çështjet e hidhura për shqetësim seksual të grave dhe femrave. Pas aktualizimit të rastit, Parlamenti universitar studentor në UKIM reagoi që universitetet duhet të jenë zone e sigurt për të gjithë studentët dhe që nuk guxon të ketë hapësirë për shqetësim seksual.

“Fshehtësi publike janë rastet kur profesorë të caktuar veprojnë si predatorë ndaj studenteve të tyre, duke e keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre. Këta profesorë jo vetëm që duhet të gjykohen në aspektin etik, por kundër tyre duhet të iniciohen edhe procedura të caktuara disiplinor edhe të largohen nga vendet e punës në komunitetin akademik”, thuhet në njoftimin e parlamentit universitare me datë 1 shkurt.

Shqetësim ka, mirëpo nuk ka prova dhe guxim që të denoncohet

Edhe avokatja studentore e UKIM, Tea Micevska pajtohet që ekziston shqetësim i studenteve. Megjithatë, ajo shton që për momentin këto janë vetëm thashetheme, për shkak se nuk ka pranuar asnjë kërkesë të mbështetur me prova dhe në bazë të cilave mund të vepron.

“Për momentin nuk kanë ardhur denoncime të drejtpërdrejta në bazë të të cilave mund të veprohet. Përgjithësisht arrijnë denoncime nga shoku ose shoqja e studentes në fjalë, të cilët vlerësojnë që ka shqetësim. Kjo deri në një masë të caktuar është e kuptueshme duke e pasur parasysh faktin që bëhet fjalë për çështje shumë të ndjeshme dhe e kuptojmë përse mund të paraqet problem të denoncohet sjellje e tillë, nëse ekziston”, thotë Micevska.

Avokatja studentore sqaron që edhe studentet ende nuk janë të inkurajuara të denoncojnë, pjesërisht për shkak se organi – avokat studentor ende është duke u aktualizuar në UKIM, mirëpo edhe për shkak se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme.

Tea Micevska, avokate studentore në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” / foto: arkiv personal
Tea Micevska, avokate studentore në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” / foto: arkiv personal

Fshehtësia dhe konfidencialiteti i të dhënave studentore janë të garantuara

Megjithatë, Micevska konsideron që ky problem duhet tët tejkalohet dhe i inkurajon studentët t’i denoncojnë rastet e shqetësimit. Thotë që studentët dhe identiteti i tyre do të jenë të mbrojtur gjatë gjithë procedurës, për shkak se konfidencialiteti është një nga parimet themelore që avokatët studentor janë të obliguar t’i respektojnë.

“Nuk do të publikohet asnjë informatë që ndërlidhet me komunikimin ndërmjet studentit dhe avokatit studentor. Fshehtësia dhe konfidencialiteti i të dhënave janë të garantuara”, thotë Micevska.

Si mund të denoncojnë studentet raste të shqetësimit?

Micevska e sqaron procesin e denoncimit dhe ngritjes së procedurës nëse ndonjë studente përballet me shqetësim ose problem tjetër.

“Procedura fillon me parashtrim të kërkesës me shkrim tek unë si avokate studentore. Gjithsesi, studentet mund të më kontaktojnë dhe të caktojmë takim nëse ashtu ndihet më rehat për ta sqaruar problemin me të cilin ballafaqohet. Ai takim mbahet në zyrën e avokatit studentor që gjendet në konviktin studentor “Kuzman Josifovski-Pitu” në Qendër”, sqaron Micevska.

Në qoftë se studentet denoncojnë shqetësim apo problem tjetër, për t’u vepruar, kërkesa duhet të mbështetet me prova, që në mënyrë konkrete të përkufizohet shkelja e të drejtës së studentes.

Në kërkesën me shkrim duhet të sqarohet situata, thotë Micevska, përkatësisht të paraqiten krejt faktet dhe rrethanat në bazë të cilave mund të konstatohet që ekziston shkelje e të drejtës së studenteve. Nëse konstatohet që ekziston shkelje, procedura përfshin disa hapa. Së pari, hartohet vendim me të cilin konstatohet që ka ndodhur shkelje dhe iniciohet procedurë. Pastaj, avokati studentor harton raport në të cilin shkruan për çfarë shkelje të drejtash studentore bëhet fjalë dhe në bazë të cilave fakte e prova është konstatuar shkelja. Hapi i fundit është hartim i rekomandimit që dërgohet në Dekanatin e fakultetit në fjalë.

“Gjatë kësaj, shumë  e rëndësishme është të theksohet që edhe në atë rekomandim nuk do të paraqiten të dhënat personale lidhur me studenten që e ka parashtruar kërkesën. Në pajtim me rregullat, fakulteti ka për obligim të bashkëpunojë me avokatin studentor lidhur me problemet për të cilat është vendosur kontakt. Qëllimi është të gjendet zgjidhje e përbashkët dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet si krijim të antagonizmit, përkundrazi”, sqaron avokatja studentore e UKIM-it.

Avokatët studentorë kanë për obligim menjëherë të reagojnë në rast të denoncimit

Denoncime për shqetësim seksual nuk ka as në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir. Avokati studentor i UKLO, Bojan Petrovski, thotë që nëse ka ndonjë informatë për rast të tillë, detyra e avokatit studentor është të reagojë menjëherë.

Bojan Petrovski, avokat studentor në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” / foto: arkiv personal
Bojan Petrovski, avokat studentor në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” / foto: arkiv personal

“Shqetësimi seksual është vepër shumë e poshtër, shumë mizore dhe mbase kërkesa e shërbimeve seksuale është lloji më i neveritshëm i korrupsionit, aty ku ekziston diçka e tillë. Nuk kam informata që ka shqetësim seksual në UKLO, kurse po të kishte, menjëherë do të kisha reaguar me të gjitha mjetet që i kam në dispozicion. Unë personalisht, në bazë të qëndrimeve të mia, por edhe profesionalisht, si avokat studentor, duhet të luftojë pa kompromis kundër këtij devijimi dhe në disa raste, në disa diskutime publike për korrupsionin në arsim të lartë, i kam inkurajuar studentët menjëherë të reagojnë nëse përballen me diçka të këtillë, pa u ndjerë të turpëruar dhe pa frikë se do të jenë të lënduar ose të sulmuar, ose që kjo do t’i dëmtojë në çfarë do mënyre”, thotë Petrovski.

Avokatët studentorë bëjnë apel, secila që përballet me shqetësim seksual në arsim të lartë të mos heshtë dhe menjëherë ta denoncojë rastin, për shkak se të gjithë bashkërisht duhet të luftojnë kundër kësaj ligësie.

Studentet në UKIM të cilët përballen me shqetësim seksual ose shkelje tjetër të të drejtave të tyre, këtë mund ta denoncojnë në adresën elektronike të avokates studentore Tea Micevska: [email protected]

Studentët në UKLO, rastet mund t’i denoncojnë tek avokati studentor Bojan Petrovski përmes е-adresës [email protected] ose numri i telefonit 075 267 837.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button