Shqiptarët ortodoksë të Rekës nuk janë sllavë

Para pak ditësh u nda nga jeta Branko Sinadinovski, studiuesi që dëshmoi me argumente të palëkundshme të vërtetën e shtrembëruar mbi shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme, intelektuali që, përkundër kërcënimeve, fyerjeve, rahjeve, torturave psikike…, guxoi ta thejë heshtjen shekullore dhe ta thotë zëshëm dhe kudo: Jam shqiptar!

Për respekt të Tij, po sjell për lexuesit e PortAlb-it pjesë të përzgjedhura nga parathënia e monografisë së Profesorit “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”, të cilën pata privilegjin ta përkthej në gjuhën shqipe.

Me librin më të ri desha përfundimisht, jo vetëm ta plotësoj detyrimin njerëzor dhe historik karshi popullit tim shqiptar, por, në mënyrë të argumentuar shkencore dhe empirike, t’ua dëshmoj të gjithë mohuesve, brenda dhe jashtë Republikës së Maqedonisë, se Reka e Epërme – kjo pjesë e vogël e tokës shqiptare ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë nukleusi i qenësisë së Shqiptarëve ortodoksë. Ata janë këtu vendës të lashtë që nga koha e Pellazgëve dhe Ilirëve, kur, bashkë me fqinjët e tyre, ndanë të mirën dhe të keqen, gjersa furtunat e jetës dhe lufta për të siguruar egzistencën i shpërndanë në të gjitha anët e botës.

Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë gjithmonë kanë qenë zot në trojet e tyre. Dëshmi për këtë janë edhe shënimet e babait tim – profesorit universitar Jakim Sinadinovskit, të mbajtura gjatë gjithë jetës, pa ia dalur t’i përfundojë, sepse iku para kohe nga kjo botë. Ajo që shkroi ai dhe gjurmimet e mia shumëvje­çare pas rrënjëve familjare më bindën dhe më trimëruan ta njoh gjithanshëm fisin tim dhe t’i shpërfaq më pas të vertëtat përpara opinionit të brendshëm dhe të jashtëm.

Kur disa miqve të afërm u tregova çfarë jam duke shkruar, mbetën të nemitur dhe pothuajse asnjëri nuk pati koment. Kjo më bëri që t’i parashtroj vetes shumë pyetje…, i bindur se jemi duke e jetuar kohën që njëkohësisht vlon nga zhurmat babilonike dhe nga heshtja e frikshme…, që, në fakt, nuk është as mençuri, as trimëri, as largpamësi, as frikë, as fitore, as humbje…, sepse, pothuajse përgjatë një gjysëm shekulli, në vetëdijen, mendimet, fjalët dhe sjelljet e shqiptarit të rëndomtë, pavarësisht përkatësisë fetare, është mbjellur dhunshëm sindromi i fajit për gjithçka. Prandaj, shpërfaqja e së vërtetës paraqet armën e vetme për dalje nga moçali i turbullt, në të cilin është futur dhunshëm Shqiptari, për t’u zhbërë, për t’u venitur e për t’mos ekzistuar më.

Pas përurimit të librit mbi Josif Bagerin, bashkëkombasit tim të shquar nga fshati Nistrovë e Rekës së Epërme, dhe prezantimeve të shkurta në shtypin shqiptar dhe maqedonas, celulari im nisi të cingërrojë pandërprerë. Paraqiteshin kryesisht njerëz të panjohur, të cilët më thonin se, njësoj si Josif Bageri, edhe ata janë Shqiptarë ortodoksë. Akulli u thye. Por, mbeti për t’u bërë edhe një rrugë e gjatë me plot therra, mbeti për t’i dëshmuar publikut të gjerë se Shqiptarët ortodoksë të Republikës së Maqedonisë nuk janë pjesë e popullit maqedonas, siç po perpiqen të dëshmojnë, tash e 70 vjet, shkencëtarët dhe historianët maqedonas.

Robëria pesëshekullore turke, politika hegjemoniste e fuqive të mëdha evropiane dhe proceset asimiluese të vendeve fqinje ballkanase e ngadalësuan procesin e vetëdijësimit të Shqiptarëve ortodoksë në Republikën e Maqedonisë dhe jo vetëm. Megjithatë, pavarësisht dhunës dhe përpjekjeve për t’i tjetërsuar…, ata mbijetuan dhe iu kundërvunë me sukses politikave asimiluese…

Kështu, në vend se të dobësohet, forca kohezive e Shqiptarëve rritej gjithnjë e më shumë. Edhe përkundër të dhënës se një pjesë e madhe u detyrua ta braktisë Republikën e Maqedonisë, të tjerët vendosën të mbeten këtu dhe, ngjashëm si Hebrenjtë, u izoluan dhe u mbyllën në vete. Ndërkohë, ata që ikën në kurbet për ta fituar bukën e gojës, ktheheshin çdo vit në vendlindje. Vendi i huaj sikur i bënte më të fortë, kurse izolimi akoma më të bashkuar. Ata mësuan që prej çdo shtypjeje të egër të pushtetit dhe fuqisë së tij rrënuese të dalin më të bashkuar, më të fuqishëm, më të vendosur.

Si autor i këtij libri, flas me emocione, por në mënyrë njerëzore e shkencore dhe i mbeshtetur në fakte e argumente, që dëshmojnë se Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë dhe në viset tjera jashtë Shqipërisë nuk janë dhe as që mund të jenë Sllavë, as Maqedonas që flasin në gjuhën shqipe. Ata ishin dhe do të mbeten gjithmonë pasardhës të Pellazgëve e Ilirëve dhe pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit shqiptar.

Nëse Shqiptarët e rinj ortodoksë në Reublikën e Maqedonisë dhe vëllezërit e tyre muslimanë dhe katolikë e kuptojnë këtë, kjo do të jetë satisfaksioni më i madh për autorin, dëshmi se mundi i dhënë gjatë përgatitjes së këtij studimi të parë interdisiplinar për Shqiptarët ortodoksë në Reublikën e Maqedonisë, nuk ka shkuar kot.

Shkruan: Fatmir Sulejmani

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button