RMV, Komisioni për Kodrën e Diellit: Bekteshi nuk e mbajti premtimin e dhënë, i dha edhe një muaj afat
Në dhjetor premtoi 20 janarin ndërsa sot, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, shtyu premtimin e tij për një muaj, gjegjësisht për Portalb tha se komisioni i cili do të vendose për fatin e Kodrës së Diellit do funksionalizohet para 20 shkurtit. Nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” nuk kanë marrë asnjë ftesë, ende, shkruan Portalb.mk.
Të kontaktuar nga Portalb.mk, sot nga Ministria e Ekonomisë nuk treguan arsyet pse ky komision nuk ka filluar me funksionim në datën kur është premtuar, megjithatë, potencuan se takimi i parë do të mbahet para datës 20 shkurt.
“Sipas dinamikës së paraparë, takimi i parë i komisionit është paraparë të mbahet më së voni me datë 20 shkurt të vitit 2021” thanë nga Ministria e Ekonomisë, për Portalb.mk.
Nga kjo ministri, nuk japin detaje për emrat konkret e anëtarëve të këtij komisioni, megjithatë, theksuan se do të ketë anëtarë nga të gjitha institucionet dhe se propozimet e këtij komisioni, do ti dërgohen Qeverisë së RMV-së.
“Deri te Ministria e Ekonomisë kanë arritur propozimet për anëtarët e komisionit nga të gjitha institucionet. Komisioni do të ketë detyrë të ndjeke situatën me qendrën turistike Kodra e Diellit (në aspektin ekonomik, turistik dhe ekologjik dhe të tjerë) dhe deri te Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e RMV-së të japë propozim për zgjidhjen e tyre” thanë nga Ministria e Ekonomisë.
Rikujtojmë se me datë 23 dhjetor, ministri Bekteshi premtoi me shumë bindje funksionalizimin e këtij komisioni para datës 20 janar.
“Para 20 janarit do të jetë me siguri i formuar komisioni, do të ju bëjmë thirrje edhe juve si Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit që të jepni kontributin e juaj” tha ministri Bekteshi në emisionin “Arti i Financës” në Klan M, me datë 23 dhjetor.
Në atë kohë, përfaqësuesi i “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Hamdi Sulemani, disa herë e pyeti ministrin se a është i sigurt se me këtë datë do të funksionalizohet ky komision, sepse në të kundërtën, siç u shpreh me skepticizëm Sulemani, “Do të shkojmë me kamera para Ministrisë së Ekonomisë”.
Cilat do të jenë kompetencat e këtij komisioni dhe nga kush do të përbëhet?
Bëhet fjalë për një komision i cili do të japë propozime për fatin e Kodrës së Diellit, gjegjësisht, për mënyrën se si do të funksionoje kjo qendër turistike, a do të shitet plotësisht apo pjesërisht, përpilimi dokumentacionit dhe kritereve për partnerin privat dhe një sërë kompetencash tjera sa i përket qendrës turistike “Kodra e Diellit”.
Ky komision do të përbëhet nga të gjitha palët e interesuara, edhe atë: Përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Komuna e Tetovës, organizata joqeveritare dhe të tjerë.
Ndërkaq, një nga kompetencat kryesore të këtij komisioni do të jetë edhe përpilimi i dokumentacionit tenderik dhe kriteret e ndryshme në lidhje me shitjen e tërësishme apo të pjesshme të qendrës turistike “Kodra e Diellli”.
Sipas Zaev, zgjidhja më e mirë do të ishte partneriteti publiko-privat
Kryeministri Zoran Zaev në pyetjen e Portalb.mk zbuloi disa nga shtetet që aktualisht interesohen për blerjen e plotë apo të pjesshme të Kodrës së Diellit. “Bëhet fjalë për investitorë serioz nga Katari, Austria, Italia dhe Zvicra” tha ai. Ndërkaq, sipas tij, më e mira do të ishte që shteti të mos hiqte dorë tërësish nga kjo qendër turistike.
“Studimi i fizibilitetit na jep të drejtë të shkojmë me partneritet publiko privat por edhe me privatizim të plotë. Unë do ta kisha lënë shtetin të jetë partner. Në tentativat e parë mundohemi të shkojmë me partneritet publiko-privat, dhe shohim se ka interes, deri tani dhjetë kompani më të mëdha evropiane kanë shprehur interes, kjo na jep të drejtë që duhet të vazhdojmë me partneritet publiko-privat. Për shkak se për shtetin ngelet vlera e përhershme, nuk investojmë para të shtetit ndërkaq përfitimi është serioz” tha Zaev me datë 29 janar.
Për modelin e njëjtë janë edhe nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”, të njëjtit disa here janë shprehur kundër privatizimit të plotë të kësaj qendre turistike. Megjithatë, për ata është e rëndësishme zgjedhja e partnertit privat të jetë transparente.
“Qëndrimi jonë është i qartë dhe konciz: Investitori i ardhshëm duhet të jetë serioz dhe të ketë së paku 20 vite eksperiencë dhe referencë pozitive në menaxhim me qendra tjera te ngjashme qe kanë treguar sukses dhe zhvillim turistik dhe ekonomik të vendit përkatës. Nuk do të lejojmë në asnjë moment qe Kodra e Diellit të bëhet lojë e pazareve politike ndërmjet partive politike dhe në asnjë moment nuk do të lejojmë instalimin e një “Elemi” te ri qe do të vazhdoje me shkatërrimin e mëtutjeshëm të kësaj qendre turistike. Andaj do të kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të bëjnë publike të gjitha detajet për kushtet dhe mënyrën e marrëveshjes që do realizohet me kontraktuesin e ri me qëllim që të ndjekim çdo veprim qe mos te instalohet një shkatërrues i ri ne Kodrën e Diellit” tha Armend Luta nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Ndryshe, nga Qeveria e RMV-së premtuam për Portalb.mk se gjatë këtij viti do të publikohet thirrja për privatizimin e plot apo të pjesshëm të qendrës turistike “Kodra e Diellit” kjo është paraparë si mënyra më e mire për zhvillimin e Kodrës së Diellit.