D.E.A.R. NOBEL!

  • D.E.A.R.

    Ky akronim nuk është shprehje e zakonshme e fillimletrave shkruar një personi të dashur, të respektuar, as ka kuptimin “Nobel i dashur!” Është shkurtesa e fjalisë “Drop Everything And Read” (Braktis çdo gjë dhe lexo!) që në shumë vende si SHBA, Kanadaja, Anglia, Irlanda e të tjera përdoret në fushatat për ta vetëdijësuar popullatën, në veçanti atë rinore dhe fëminore për rëndësinë e leximit, për të krijuar lexues të rinj dhe ardhmëri. Popujt e civilizuar kanë edhe një urim të veçantë. Happy DEAR day! E gëzofshi ditën e leximit! Sa mirë, ç’nivel ky që i vë barrierë injorancës, padijenisë, xhahillëkut! Është një lëvdatë kurës kundër analfabetizmit të fjalëpërfjashëm dhe atij funksional, që kohëve të fundit po shënon rritje marramendëse. Përveç kësaj në ‘botën e niveltë’ ekzistojnë edhe akronime te tjera që afirmojnë leximin si FVR (free voluntary reading-lexim vullnetar i lirë), DIRT (daily independent reading time-kohë e pavarur ditore për lexim), LTR (love to read-dashuri për lexim), USSR (uninterrupted sustained silent reading-lexim i qëndrueshëm i pandërprerë i heshtur), POWER (providing opportunities with everyday reading – gjetje mundësi me lexim të përditshëm), FUR (free uninterrupted reading-lexim i pashkëputur i lirë), IRT (independent reading time-kohë e pavarur për lexim), WART (writing and reading time-kohë për shkrim dhe lexim) etj.

  • I idealisk riktning.

    ”Në drejtimin ideal.” Mottoja që përkufizon veprën që ka potenciale për të fituar Çmimin Nobel për letërsi. Një maksimë që nënvizon objektivin më sublim që mund të ketë njeriu sado që i paarritshëm të jetë, idealizmin, përkryerjen, plotëninë. Pra kurorëzimin e shkresave, veprave më madhore. Dhe këtë fillimvit, dy njerëz idealistë, relativisht të rinj vendosën që të riaktualizojnë librin (pas periudhës së ”Librarisë së Çarshisë”) në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në zemrën e tij, në Çarshi. Aty ku s’ka njeri që ka qenë në Shkup e të mos e ketë shkelur kalldrëmin e saj. Sollën një emër të madh, një ikonë të të arriturave në shumë fusha të jetës. Përmes tij sollën fjalën e shkruar mes dy kopertinave. Dikur në çarshi blenim rrobat e maturës, zakonisht hanim byrek dhe kryenim edhe do punë të tjera të përditshmërisë. Viteve të fundit ajo ishte shndërruar në vendin ku pihet kafeja për merak, ishte shndërruar në një kafene madhështore. Para ca vitesh arriti universiteti (UEJL) që solli  një frymë akademike në një lokacion që lidh dy anët e qytetit. Kurse sot idealizmi dhe besimi në vlera dhe në fjalën e shkruar si mendjendritëse e gjenit njerëzor e risollën librin. ”Krijuan një copë parajse brenda çarshisë”. Kuptohet, për ata që kuptojnë.

  • Kultura e leximit.

Libraria Nobel. Një kënd që do ta nxisë kulturën e leximit, që është një term i ri për ne, sado që të themi se s’është. E çka në fakt është kultura e leximit? Është ”niveli dhe cilësia e marrëdhënieve të një grupi shoqëror ose të një shoqërie me aktivitetin e leximit. Është pjesa e mënyrës së jetesës reflektuar në fushën e leximit. Është procesi i kalimit të këtij aktiviteti nga plani individual në atë shoqëror dhe shndërrim i tij në një strukturë sistematike.” (Samur, 2014). Është shprehi e leximit në jetën e përditshme jo vetëm për qëllime shkollore apo arsimimi (Ailakhu & Unegbu 2017). Është të perceptuarit e leximit jo si një aktivitet i kohës së lirë, por si mënyrë jetese, si një shkathtësi dhe art. Sipas Nyam-it (2015) Kultura e leximit është shndërrim i leximit në një aktivitet të rregullt, kultivim i një qëndrimi dhe zotërim i aftësive që leximin e bëjnë veprim lumturues, të rregullt dhe konstant. Kjo subkulturë lidhet edhe me shfrytëzimin kreativ të produkteve të shkruara dhe pamore; ajo shprehinë e leximit e kalon rrafshin e leximit kritik dhe e përhap atë në kontura gjithëshoqërore.

  • Qeni dhe leximi.

Hulumtimet kanë gjetur se në aspekt të leximit njeriut mundet t’i shërbejë edhe bota animale, e cila s’ka aftësi të leximit klasik por mund t’i asisitojë leximit. Në fakt është shpikur programi i quajtur R.E.A.D (Reading Education Assistance Dogs), qentë asistues në edukimin leximor: nxënësit brenda javës 20 minuta lexojnë heshtazi pranë qenve të tyre dhe kështu vetëdisiplinohen e vetëkulturohen duke u shoqëruar.

  • Connecting knowledge!

Ky është epigrami mbresëlënës i librarisë Nobel. ”Të (ndër)lidhësh dijen.” Dy-tri herë ia hodha sytë qeskës së letrës, – në fakt diktumit interesant, – me dy librat e parë të blerë: Hegel, Filozofia e shpirtit dhe  Le Bon, Psikologjia e racave, që mund t’i kem blerë edhe pr së dyti. Më kujtoi Nokia-n finlandeze (Connecting people), që ndonëse në kondicion më të dobët, përmes teknologjisë vazhdon t’i lidhë njerëzit. Më pas, bëra një kërkim dhe konstatova se se frymëzimi mund të jetë marrë nga European Library, nga ”Universiteti” australian ”Maquire”, Coursera apo CygnusTax (Van Der Hurk). Se çfarë roli kanë libraritë më së miri mund të vërejmë nga një tabelë e mottove të disa librarive apo bibliotekave të vendeve të ndryshme: The British Library: Explore the World’s Knowledge (Eksploro dijen e botës.); Jacksonwille Public Library: Start here. Go Anywhere! (Nis këtu. Shkon gjithandej!); Chicago Public Library: Read, Learn, Discover. (Lexo, mëso, zbulo.); Seaford District Library: Building our future. Page by page. (Ndërtojmë ardhmërinë tonë: faqe për faqe.); Sylvan Lake Municipal Library: Let knowledge be your sail. (Dija le të jetë vela jote.); Plainfield Public Library: Educate – captivate – connect! (Eduko, magjeps, ndërlidh!); Western Washington University Library: Connects – people to people, people to place, people to learning. (Ndërlidh njerzit me njerëzit, njerëzit me vende, njerëzit me të mësuarit.); San Diego Public Library: Discover Your Next Chapter! (Zbuloni kapitullin tuaj të ardhshëm!)

  • Galeni dhe biblioterapia

Historiani grek Diodorus Siculus, në veprën e vet Bibliotheca historica, thotë se mbi hyrjen e  Vatrës Mbretërori në të cilën Ramsesi II i ruante librat qëndronte një frazë domethënëse ”ψγxhσ Iatpeion” (Shtëpia ku shërohen shpirtrat). Edhe Galeni, filozofi dhe mjeku i mark Aurelit nga Roma në shekullin e parë të e.s. udhëhiqte një bibliotekë mjekësore. Pra që në atë kohë aplikohej një lloj i biblioterapisë apo i kurimit të njerzve përmes librave.

  • Të dashurit e mi, Latif dhe Muhamed!

E di që nuk do ta keni lehtë me librarinë, këtë ”ikonë kulturore” (Derez, 2009). Por ju jeni individë për çdo respekt, sepse keni investuar në kulturë, në dije, në diçka që nuk matet as krahasohet me kritere tregtare, komerciale a ekonomike, në diçka që për shumëkë është çmenduri në këtë kohë banalitetesh e ignoramusësh të prodhuar en masse. Ju vetëm me hapin e parë, keni merita të jashtëzakonshme. Bibliofilët krijojnë lexuesit e tashëm që do të jenë liderët e ardhshëm. Ju meritoni duartrokitje të pandërprera. Dhe natyrisht, meritoni mbështetje, që një pjesë të  “letrave” nga kuletat tona ta lëmë te ju!

P.S. Dear Nobel, welcome to the heart of Skopje!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button