Britania nga mesnata hyri në karantinë, për shkak të rritjes së rasteve të reja me koronavirus
Anglia ka hyrë në karantinë të plotë në mesnatë, e ngjashme me atë të valës së parë të epidemisë së koronavirusit në mars, e cila është shpallur nga Kryeministri Boris Johnson. Masat përfshijnë mbylljen e shkollave për shumicën e nxënësve, ndërsa qytetarëve do t’u kërkohet të punojnë nga shtëpia, nëse është e mundur, njofton Portalb.mk.
“Duhet të ndërmarrim një mbyllje në shkallë kombëtare, masat e së cilës të jenë aq të rrepta sa ta frenojnë këtë variant. Kjo do të thotë se qeveria edhe një herë po ju udhëzon të qëndroni në shtëpi”, deklaroi dje kryeministri britanik.
Kjo pason pasi Britania këtë mëngjes deklaroi “triumfin shkencor”, duke filluar me imunizimin e popullsisë edhe me vaksinat Oxford dhe AstraZeneka.
Mbyllja e plotë tashmë është në fuqi në Irlandën e Veriut dhe Uells, ndërsa edhe Skocia ka hyrë në karantinë në mesnatë, me çka në të gjithë territorin e Britanisë së Madhe vlejnë kufizime të rrepta.
Britania e Madhe dje regjistroi më shumë se 55,000 raste të reja të koronavirusit, dita e shtatë me radhë pasi numri është më i lartë se 50,000.
Kryeministri Boris Johnson tha se nëse programi i vaksinimit shkonte siç ishte planifikuar dhe numri i infektimeve dhe vdekjeve do të binte në përputhje me masat e bllokimit siç pritej,do të ishte e mundur të fillohej zbutja e masave të izolimit deri në mes të shkurtit.