VEHBI DIBRA – nismëtari i pavarësisë së xhamisë shqiptare
Janë do personalitete emrat e të cilëve nuk vdesin kurrë. Ndër ta bën pjesë edhe Haxhi Vehbi Dibra (1867-19370 – pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), nënshkrues i Dreklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), kryetar i senatit të parë shqiptar (organit kontrollues e këshillues të qeverisë), kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1923), themeluesi i revistës “Zani i Naltë”, që i kontribuoi thesarit të kulturës shqiptare…
Vehbi Dibra – myftiu i Dibrës së Madhe (specialisti i filozofisë islame, i shkencave juridike dhe i logjikës), më pas dhe kryemyfti i Shqipërisë i emërur nga Ismail Qemalii dhe intelektuali largpamës, u përpoq shumë për njësimin e kombit shqiptar, pa dallim feje, dialekti e krahine. Në Kuvendin e Vlorës, ai tha zëshëm se: Kristiani dhe myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë.
Vehbi Dibra – krahu i djathtë i Ismail Qemalit, u shqua herët për veprimtarinë atdhetare dhe përpjekjet për pavarësimin e Shqipërisë. Ai është ndër klerikët dhe intelektualët atdhetarë, i cili kërkoi që edhe feja të të luajë rolin e saj qytetërues dhe të marë pjesë në ndërtimin e të ardhmes së Shqipërisë.
Është për t’u përmendur kontributi i tij në organizimin e kryengritjes anti-serbe në vitin 1913 dhe beteja e fituar me klerikët që kundërshtonin shqiponjën dy-krenare në Flamurin kombëtar, me arsyetimin qesharak se këtë nuk e lejoka feja. Si njohës dhe komentues brilant i fesë, Vehbi Dibra hodhi poshtë idetë e tilla prapanike të ushqyera nga propaganda e huaj…
Por, në veçanti u shqua me iniciativën për organizimin e kongresit të pavarësisë së xhamisë shqiptare, për të cilën shkruan akademiku i mirënjohur Shaban Sinani. Në vijim po sjell, pa asnje ndryshim, disa të dhëna interesante lidhur me këtë ngjarje të madhe, e cila çuditërisht është heshtur nga kush e di se kush dhe kush e di se për çfarë qëllimesh? Të dhënat në fjalë janë shkëputur nga studimi i profesor Shabanit “Nga pavarësia e xhamisë tek laicizimi i shtetit”, të botuar në veprën “Berat, Beratinus, Buhara” nga shtëpia botuese NAIMI, Tiranë 2015:
Më 24 shkurt të vitit 1923, me iniciativën e klerit të lartë musliman shqiptar, si dhe me lejen e autoriteteve shtetërore të atëhershme, nën kujdesin e gjyqit të naltë (vendës) të Sherijatit, në Tiranë u mbajt Kongresi musliman shqiptar, i cili shpalli zyrtarisht autoqefallinë (pavarësinë) e xhamisë dhe të gjithë bashkësisë muslimane shqiptare, duke vendosur shkëputjen e lidhjeve administrative dhe kanonike me Kalifatin dhe Meshihatin e Stambollit.
Heshtja këmbëngulëse e deritanishme rreth kësaj ngjarjeje, e cila më shumë se me organizimin fetar të vendit ka të bëjë me jetën kombëtare të tij, si një hap i rëndësishëm për konsolidimin e pavarësisë shtetërore, ishte dhe mbetet misterioze. Mund të supozohet se deri vonë ndalimi i besimit me kuahtetutën e vitit 1976 nuk ka lejuar të flitej e të shkruhej për një ngjarje fetare. Mirëpo si shpjegohet që kjo kushtetutë nuk e ndaloi aspak studimin dhe vlerësimin në shkallë të lartë të rëndësisë së shpalljes së autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare në fillim të viteve 1920. Përsëri mund të thuhet se ishte utoriteti personal i F. Nolit që tërhoqi vëmendjen mbi këtë akt. Mirëpo nuk ishte për t’u nënçmuar, aq më pak për t’u harruar, emri i nismëtarit të kongresit të pavarësisë së xhamisë shqiptare, Vehbi Dibra, një nga pjesëmarrësit e kuvendit të Pavarësisë Kombëtare të Vlorës (1912), i emëruar nga Ismail Qemali Kryemyfti i Shqipërisë?
Kongresi i pavarësisë së xhamisë shqiptare ishte përkrahur dhe mbrojtur fuqimisht edhe nga ish-ministri i brendshëm i asaj kohe, Ahmet Zogu…
Në mënyrë të mosaçme kjo heshtje mbetet e pashpjegueshme pas rënies së tabuve dhe pas heqjes së ndalimeve për temat rezervát, prej fillimit të viteve 1990 e këndej.
Pse është lënë jashtë vëmendjes pavarësia e xhamisë muslimane shqiptare? A është ky thjesht një nënçmim i rëndësisë së ngjarjes apo, përkundrazi, është një heshtje e qëllimshme, që dikujt i intereson? Shq etësimi bëhet edhe më i rëndë kur shihet se autoritetet shtetërore veprojnë me dy logjika, për dy ngjarje krejtësisht analogjike, siç janë autoqefalia e kishës ortodokse shqiptare dhe autoqefalia (shprehimisht kjo fjalë është përdorur në vendimin e kongresit musliman) e xhamisë muslimane.
Siç del nga dokumentet dhe shtypi i kohës, në fillim të vitit 1923, mbi bazën e kërkesave të parashtruara nga populli dhe kleri musliman në qytete të ndryshme të vendit, gjyqi i lartë (vendës) i Sherijatit kërkoi nga organet shtetërore lejen për mbledhjen e Kongresit Musliman.
Pas marrejes së pëlqimit shtetëror u bë zgjedhja e delegatëve, nga një për çdo prefekturë dhe nënprefekturë. Delegati duhej të ishte shqiptar, besimtar i ditur. Një kusht i rëndësisë së dorës së parë për pranimin delegat ishte që ai të dijë mirë me shkrue e këndue shqip.
Njohja me përmbajtjen e dokumenteve të kongresit, të cilat, në pjesën më të madhe, edhe sot e kësaj dite mbeten në skedarët e arkivave (botimi i proces-verbaleve të kongresit në gazetën Populli të Gjirokastrës, e vetmja që i ndiqte diskutimet seancë pas seance, u ndërpre shumë shpejt, dhe aktet përfundimtare të mbledhjes nuk u arrit të bëhen të njohura), të krijon bindjen e padiskutueshme se heshtja nuk ka qenë rastësore.
Një nga vendimet e kongresit të muslimanëve shqiptarë ishte përshtatja e librave fetarë islamë në gjuhën shqipe, për t’i dhënë mundësinë njerëzve të besojnë me arsye dhe jo me fanatizëm apo thjesht me mirëbesim. Vendimet që do të merren, do të jenë baza e përparimit dhe do t’u përgjigjen plotësisht interesave të shtetit dhe të kombit shqiptar, shkruante shtypi i kohës. Sot Kur’ani jo vetëm nuk të ndalon të shkruash me karakter latinisht shqipen, por të thotë dhe t’i lutesh zotit në gjuhë tënde…
Kongresi musliman shkoi drejt këtij vendimi duke pasur parasysh veçorinë gjeopolitike të vendit tonë në raport me gadishullin e Anadollit dhe me rajone të tjera të botës, ku predikimi i fesë islame bëhej në arabisht.
Pas kësaj, shkruan akademiku i mirënjohur: shumë shpejt filluan të paraqiten tekste të shkurtëra shqip, nxjerrë nga librat fetarë dhe përshtatur për predikim.
Do thënë se përkthimi i Kur’an-it shqip ishte një arritje themelore e kulturës dhe e besimit. Sami Frashëri, që guxoi ta përkthente Kur’an-in turqisht dy dekada më herët, siç dihet, pikërisht për këtë shkak, i dogjën shtypshkronjën ku bëjeh gati botimi.
De jure e de facto kongresi i muslimanëve shqiptarë më 1923 vendosi shkëputjen përfundimtare të vartësisë administrative jo vetëm të xhamisë, port ë gjithë bashkësisë islame shqiptare, nga Kalifati dhe meshihati i Stambollit, duke hedhur një hap vendimtar drejt pavarësisë kombëtare dhe parandalimit të ndërhyrjeve të huaja nga jashtë. Statuti i xhamisë shqiptare, miratuar në kongresin e vitit 1923, nuk bën fjalë shprehimisht për këtë shkëputje, por ky fakt as që diskutohej fare, përderisa në këtë dokument nuk përfshihej asnjë lidhje fetare organizative me Stambollin dhe as me Shejh-ul-Islamin. Sipas statutit, këshilli i lartë i Sherijatit (shqiptar) zgjidhej nga kongresi i bashkësisë islame të vendit me shumicë votash dhe të gjithë anëtarët e tij duhej të ishin me kombësi shqiptare. Në statut shprehimisht theksohej: prej racës shqiptare.
Në fund të studimit të tij interesant, akademik Shaban Sinani flet edhe për kundërshtarët e pavarësisë së xhamisë shqiptare, në mesin e të cilëve përmend dhe një pjesë të shtypit të klerit katolik, në rastin e të cilit, gjithnjë sipas studiuesit në fjalë: ka luajtur rol druajtja se, pas mëvetësimit të institucioneve fetare të ortodoksëve, të bektashinjëve dhe të muslimanëve, analogjikisht do të kërkohej edhe mëvetësia e katolikëve. Për këtë ekzistonte dhe pecedenti i favorshëm (pavarësia e kishës anglikane dhe e asaj luteriane).
Por, shton autori, nëse qëndrimi i klerit katolik është i hapur dhe i kuptueshëm, mbetet i paqartë pse pothuajse gjithë shtypi tjetër shqiptar mbajti kokëfortësisht qëndrimin e heshtjes, duke shprehur rezerva ndaj akteve finale të kongresit, qoftë në forman e mospranimit të tyre, qoftë në formën e mosbesimit se nga këto vendime do të dilte diçka më progresive se gjendja e trashëguar. Mbetet të studiohet pse kjo druajtje dhe ky mosbesim vazhduan e vazhdojnë deri më sot.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.