Premtimi 7-vjeçar i Arifit për parkingje në kate: Paralajmërohet ndërtimi për vitin e ardhshëm

Hapa konkret për premtimin e vitit 2013 në lidhje me parkingjet nëntokësore dhe në kate po ndërmerr në fund të mandatit të dytë kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Kryetari i këshillit komunal, Bekim Memeti, tregoi detaje se ku do të ndërtohet ky parking. Në fushën e komunikacionit, të parealizuara ngelen premtimet për transportin publik, bulevardin “Blagoja Toska”, bulevardin e “Ilindenit” si dhe parkingjet nëntokësore, shkruan Portalb.mk.

Memeti potencoi se lokacioni ku parashihet ndërtimi i këtij parkingu në kate është në pjesën qendrore të Tetovës, gjegjësisht pas restorantit “Tivoli”.

Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.
Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.

“Buxheti është ndarë për këtë, për vitin e ardhshëm. Ka përfunduar edhe projekti, do të ndërtohet pas restorantit Tivoli, mjetet janë të ndara sepse ne nga dy kreditë që i kemi nga banka botërore, në përfundim të saj kur bëhet pranim dorëzimi i punëve, 27% e saj na kthehet si grant. Njërën prej atyre granteve sot do ta kalojmë, tjetra ngelet në janar” tha Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal në Tetovë.

Ai gjithashtu premtoi që shpallja e parë për vitin 2021 të cilën do ta bëje komuna e Tetovës, do të jetë pikërisht për parkingun me kate.

Rikujtojmë se të hënën u votua buxheti i komunës së Tetovës prej rreth 30 milion eurove për vitin 2021, në këtë buxhet, në fushën e ndërtimit të hapësirave për parking janë planifikuar gjithsej 50 milion denarë para.

Ky projekt premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nga viti 2013

Projekti i parkingjeve nëntokësore apo në kate ngelet premtim i parealizuar i kryetares Arifi, edhe pse i njëjti është premtuar nga viti 2013 kur për herë të parë kjo e fundit kandidoi për postin e kryetares së komunës së Tetovës.

“Unë e shoh Tetovën me infrastrukturë efikase rrugore, parkingje nëntokësore dhe linja të rregullta të transportit publik” tha Teuta Arifi në vitin 2013.

Të njëjtin premtim kryetarja Arifi e përsëriti edhe në fushatën parazgjedhore të vitit 2017, e cila tha se këto parkingje do të zgjidhnin problemin e komunikacionit në Tetovë

„Ngarkesa e komunikacionit është një prej problemeve më të mëdha që i ka qyteti. Ne kemi themeluar ndërmarrjen Parkingjet e Qytetit dhe sadopak kemi arritur të zvogëlojmë tensionin në qytet dhe jemi në projektim të zgjerimit në mandatit që vjen pikërisht zonave të parkingut. Mendoj që edhe garazhet në kate do të zgjidhin këtë problem” tha Teuta Arifi Top Tema në vitin 2017.

Ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” me të cilën u mburr kryetarja Arifi vazhdimisht punon në humbje, parkingje nëntokësore nuk janë krijuar ndërsa parkingjet zonale nuk janë zgjeruar

Deri tani nga themelimi i Ndërmarrjes Publike “Parkingjet e Qytetit” nuk është zgjeruar parkimi zonal, edhe pse këtë e premtoi kryetarja Arifi, kështu, Tetova vazhdon të përballet me problemin e komunikacionit tejet të rrënuar.

Nga ana tjetër, “Parkingu i Qytetit” vazhdimisht punon në humbje dhe merr kredi nga paratë e taksapaguesve. Me datë 26 nëntor në tentativën e dytë, kjo ndërmarrje arriti të siguroje 100 mijë euro kredi për shkak s vazhdimisht kishte punuar në humbje. Edhe pse e njëjta u arsyetua me pandeminë e virusit korona, raportet financiare të cilat i siguroi Portalb.mk, thonë se e njëjta ka punuar në humbje edhe para pandemisë.

Ndryshe, këto nuk janë projektet e vetme të parealizuara në fushën e lehtësimit të komunikacionit në Tetovë, si në fushatën parazgjedhore të vitit 2013 ashtu edhe në vitin 2017 kryetarja Arifi kishte premtuar hapjen e bulevardit “Blagoja Toska”, sigurimin e autobusëve për Transport Publik si dhe hapjen e dy bulevardeve tjera, nga të cilët, deri tani është bërë vetëm vazhdimi i bulevardit industrial.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button