Tetovë, këshilli komunal nuk lejoi NP “Parkingu i Qytetit” të mare kredi prej 6.000.000 denarësh

Shumica e Këshillit të Komunës së Tetovës sot nuk lejuan që Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” të marre kredi prej 6.000.000 denarësh për të mbuluar humbjet e mbledhura nga muaji janar deri në qershor. Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Arif Selami, tha se një gjë e tillë është absurde dhe asnjëherë nuk duhet lejuar, i njëjti shtoi se kjo ndërmarrje vazhdimisht ka punuar në humbje, edhe kur nuk ka pasur pandemi, shkruan Portalb.mk.

Në raportin financiar të kësaj ndërmarrje, thotë se në tremujorin e parë të këtij viti ka pësuar humbje gjithsej 273.000 denarë ndërsa në periudhën e krizës me pandeminë kovid-19, humbja ka qenë 3.137.000 denarë.

Për këshilltarin nga radhët e Aleancës për Shqiptarët kjo kërkesë për marrjen e kredisë nuk ka kuptim, ai vazhdimisht pyet se nga ku kanë ardhur humbjet, i njëjti shtoi se nuk do të votoje asnjëherë një pikë të tillë të rendit të ditës.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Kjo ndërmarrje gjatë gjithë kohës punon me humbje dhe tani nga ne kërkojnë të ju miratojmë marrjen e kreditit. Kjo nuk ka kuptim të miratohet dhe për këtë arsye ne ishim kundër. Tërë kohën pyetëm nga ku kanë ardhur humbjet. Nga qytetarët dëgjojmë indice të ndryshme për këtë mirëpo tash pamë që ato përputhen me situatën e kësaj ndërmarrje. Ata në tre muajt e parë, periudhën kur ende nuk kishte pandemi, kishin humbje rreth 270.000 denarë ndërsa në tre muajt e ardhshëm humbja është rreth 3 milion denarë. Na thanë se gjatë periudhës së pandemisë nuk kanë punuar, megjithatë, secili që është parkuar në vend parkimet ka paguar” tha Arif Selami, këshilltar i Aleancës për Shqiptarët.

Drejtori i NP “Parkingu i Qytetit” nuk ishte i pranishëm në seancë, që shkaktoi revolt deri te këshilltaret e opozitës të cilët theksuan se në të kaluarën kanë ndihmuar ndërmarrjen me një borxh prej 88.000 eurosh.

Andaj, këshilltarët e opozitës dhe një pjesë e këshilltarëve të pozitës votuan kundër vendimit për marrje të kreditit. Për këtë, kryetari i këshillit Bekim Memeti tha se ka pasur mungesë informacioni për shkak të mos pranisë së drejtorit të ndërmarrjes në sallë, ai theksoi se do ti jepet ndërmarrjes edhe një mundësi e dytë.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.
Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.

“Pas një diskutimi të gjatë nuk kaloi pika për dhënien e pajtimit nga ana e Këshillit të Komunës së Tetovës për marrjen e kreditit të NP “Parkingu i Qytetit” për zgjidhjen e problemeve financiare. Pika nuk kaloi për shkak se nuk kishte informacione të mjaftueshme për borxhin sepse në seancë nuk ishte i pranishëm drejtori i ndërmarrjes. Ne duam të i japim edhe një mundësi ndërmarrjes që të mund kjo pikë përsëri të vendoset në rend të ditës të seancës së ardhshme. Si komunë periudhën e fundit kemi kërkuar nga Qeveria të na ndihmoje në lidhje me këto probleme për të cilat kërkojmë në mënyrë institucionale të na ndihmohet, deri tani nuk ke marrë asnjë përgjigje” tha Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Ndryshe, në këtë seancë nuk kishte pyetje nga këshilltarët për shkak të mungesës së kryetares së komunës në sallë si dhe drejtorëve të ndërmarrjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button