Do të kontrollohet puna dhe pronësia e çdo gjykatësi dhe prokurori, Zaev paralajmëroi reforma rrënjësore në kuadër të “Aksion 2021”
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka prezantuar sot “aksionin 2021”, përkatësisht projektet që Qeveria do t’i ndërmerr gjatë vitit të ardhshëm e që kanë të bëjnë me reforma thelbësore në vend. Zaev gjatë prezantimit të këtyre projekteve tha se, pavarësisht se Bashkimi Evropian dërgoi sinjal negativ për zgjerimin, vendi, qeveria dhe populli mbetet i përkushtuar në pistën e njëjtë strategjike, shkruan Portalb.mk.
“Nuk ka tërheqje nga synimet për realizimin e qëllimeve strategjike, të cilat janë vendosur njëzëri dhe kanë pasur çdoherë mbështetje të gjerë Nuk do të lejojmë që mossuksesi i Bashkimit Evropian me mosmiratimin e kornizës negociuese të shkaktojë stagnim në reformat e brendshme, përkundrazi me besim edhe më të madh, do të përkushtohemi në ndërtimin e standardeve evropiane brenda”, tha Zaev.
Prioriteti i parë që gjendet në listën e përpiluar të projekteve, është pastrimi i gjyqësorit, gjë që është paralajmëruar edhe në fillim të mandatit të Qeverisë. Zaev tha se aksioni për pastrimin e gjyqësorit do të zhvillohet në faza, ndërsa theksoi se do të rishikohen dosjet e gjykatësve dhe se çdo gjykatës do të vlerësohet për punën që ka për në fushën e tij.
“Në aksionin 2021, kemi përfshirë 10 prioritete ndërsa numër 1 në listë është pastrimi i gjyqësorit. Modeli i pastrimi apo filtrimit është në fazën përfundimtare. Në të kanë punuar fillimisht përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor, Këshillit të Prokurorëve Publik, me mbështetjen e opinionit akademik dhe pikërisht ata do të jenë që do të miratojnë modelin që vet e kanë krijuar dhe do ta zbatojnë. Do të rishikohen dosje të plota, çdo gjykatës do të vlerësohet, do të ketë listë të kritereve që do të shqyrtohen për të gjithë gjykatësit, si kanë udhëhequr procedura, si kanë paraqitur dëshmitë, si janë dëgjuar dëshmitarët, posaçërisht në pjesën e procedurave të caktuara në lëndët e caktuara të cilat u vjetërsuan me prolongim. Do të iniciojmë ndryshime ligjore, në bazë të së cilit Prokuroria Publike do të duhet të njoftojë opinionin në mënyrë të rregullt dhe vazhdimisht për punën e saj dhe për lëndët për të cilat ka interes të posaçëm publik. Këtu para së gjithash mendoj së lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Zaev.
Po ashtu, do të kontrollohet edhe gjendja e pronësisë së gjykatësve dhe prokurorëve.
“Në këtë aktivitet është e përfshirë edhe verifikimi i gjendjes së pronësisë të gjykatësve dhe prokurorëve dhe presim nga Komisioni për Antikorrupsion që të bëhet kjo përmes institucioneve tjera. Paralelisht me këtë proces, në fillim të vitit të ardhshëm më së voni në pranverë, pritet të fillojë edhe monitorimi i rasteve gjyqësore nga ana e BE-së i profilit të lartë. Rreth 50 lëndë në vit, në të cilat do të marrin pjesë ekspert nga jashtë dhe ekspertë vendor, të angazhuar nga BE dhe OSBE”, tha ai.
Kryeministri Zaev premtoi se gjatë vitit të ardhshëm do të realizohet me sukses edhe regjistrimi i popullsisë, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajon që nuk ka bërë regjistrim për një periudhë shumë të gjatë, ndërsa një gjë e tillë është e patjetërsueshme për zhvillimin e vendit.
“Jemi të sigurt se do të vijojë operacion i suksesshëm i zbatuar sipas standardeve më të mira të Bashkimit Evropian. Kemi për qëllim që përmes propozim ligjit për regjistrim, ky operacion statistikor tani dhe në të ardhmen të mos trajtohet më si çështje politike. Regjistrimi do të kushtojë gjithsej 8 milionë euro, ajo është për 5 milion euro më pak se regjistrimi i dështuar në vitin 2011. Në vend të letrës do të ketë pajisje elektronike. Përgjigjet e pyetjeve do të merren nga baza e të dhënave që i kemi organizuar në tre vitet e kaluara. Regjistrimi do të realizohet në vitin 2021, sepse zhvillimi i vendit tonë nuk do të jetë i mundur pa rezultatet nga ky regjistrim”, deklaroi ai.
Si një nga prioritet për vitin e ardhshëm, Zaev paralajmëroi edhe thellim të luftës kundër dezinformatave.
“Një nga prioritetet tona në aksionin 2021 është stop për dezinformatat. Paralajmëroj aktivitete të përforcuara në periudhën që vijon, konsultime të gjëra me punonjësit mediatik dhe sektorin civil dhe luftë akoma më serioze me dezinformatat, gjuhën e urrejtjes dhe fushat e tjerë të kërcënimeve hibride kundër demokracisë në shoqërinë tonë, në kuadër të planit për aksion të vendosur kundër përhapjes së dezinformatave dhe kundër sulmeve ndaj demokracisë”, tha Zaev.
Ndër prioritet e Qeverisë në kuadër të këtij plani, është edhe lufta kundër pandemisë, përkatësisht furnizimi me vaksina Covid – 19. Kryeministri deklaroi se, sipas planit për distribuim, vaksinat priten në muajt e parë të vitit 2021.
- LEXO: Mariçiq tregoi disa detaje për metodologjinë e “vetingut”, pritet ta miratojë Këshilli Gjyqësor
- LEXO: Mariçiq: Pres që metodologjia për pastrimin e gjyqësorit të miratohet më 28 dhjetor
- LEXO: Mariçiq paralajmëroi pastrim të gjyqësorit: “Peshqit e mëdhenj” do të përballen me përgjegjësi
- LEXO: Gjyqësori në RMV do t’i nënshtrohet “pastrimit”, politika “vetingut”