PRIJËSI I VERBËR

Psikologjia e turmës, për të cilën ka shkruar gjerësisht Gustav le Bon, është trajtuar në shumë vepra artistike. Shkrimtari Radoje Domanoviqi (1873 – 1908) në tregimin alegorik dhe satirik “Prijësi” (i përkthyer që në vitin 1960 nga Mehmet Hoxha), flet mbi obsesionin e turmës për t’i besuar prijësit edhe kur ai e shpie drejt humnerës. Ky tregim, sipas studiuesve, është edhe protestë estetike kundër keqpërdorimit të besimit të njerëzve…

Në një “krahinë të paplleshme” dikush propozon që të shpërngulen drejt një vendi më pjellor. Njerëzit nisin ta imagjinojnë vendin magjik “ku puna e mundimshme dhe e kujdesshme paguhet me korrje të begatshme”. Propozuesi kërkon që së pari ta zgjedhin prijësin. Pas zënkave dikujt i kujtohet një plak jabanxhi, i heshtur, i menduar, fytyrëmrrolët, fytyrëmbuluar nga flokët dhe mjekra, i cili rreh tokën me shkopin e vet të trashë. Turma beson se plaku i heshtur, doemos duhet të jetë i mençur dhe udhërrëfyes i zoti.

Pas prijësit nisen 200 familje me ndjenja të përziera. Disa janë të lumtur, sepse do ta gjejnë vendin e ëndërruar. Disa janë të pikëlluar, sepse i braktisnin vatrat dhe varret e të parëve. Disa kanë vendosur të qëndrojnë në vatrat e tyre.

“Asht gjë e trishtueshme me shique këtë turmë të popullsisë së mjerë, të cilën halli i madh e shtërngon me braktisë vendin ku kanë lindë dhe ku gjinden vorret e të parëve të tyne”.

Për shkak të skamjes njerëzit e kanë humbur ndjenjën për atdheun dhe traditën. Për ta atdheu është aty ku ndjehen mirë.

Njerëzit e ndjekin prijësin pa dyshuar në vendimet e tij edhe pse i “orienton” drejt rrugëve të vështira, që u shkaktojnë vuajtje të njëpasnjëshme, derisa arrijnë para humnerës, ku shumica bien dhe mbyten. Mbeten tre ndjekës, që nisin të bisedojnë me prijësin.

“— Kah po na çon dhe ku na ke pru?… Dyqind familje i kemi pru mbas teje dhe tash numroj edhe sa kemi mbetë!

— Po a nuk jeni topton, a? — mezi foli prisi tue mos e çue kryet.

— Edhe po pyet, a? Çoje kryet, shif, numroj sa kemi mbetë në kët rrugë të pafat!…

— Nuk muj me shique!

— Pse?

— Jam qorr.

Mbretnoi qetsija.

— A në rrugë e ke humbë të pamit, a?

— Jo kam lindë qorr (…)

Ata tre shiquen njani tjetrin me frigë si para vdekjes.

— Kah t’ia mbajmë tash? — foli njani me za vorri.

— S’e dijmë.”

Studiuesit thonë se shkrimtari, nëpërmjet tregimit, ku koha dhe vendi i ngjarjes nuk janë të përcaktuar, aludonte te paaftësia e prijësve dhe e kritikonte popullin që i ndiqte verbërisht prijësit e rrejshëm.

Shkrimtari i zhgënjyer nga ajo që ndodhte në shoqëri iu kthye jetës së bohemit. Vdiq i vetmuar dhe i harruar në moshën 35 vjeçare.

Vitet kaluan dhe njerëzit e lodhur nga jeta vazhdojnë t’u shkojnë pas prijësve që i çojnë drejt humnerës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. perfecte
    asnje germe apo presje per te shtuar ose larguar
    tekst qe do ta kisha afishuar tavolinave te kafeterive ku diskutohen politikanet tane per askund, tekst qe te shkurtuar do ta kisha ngjitur me te tre duart qe kam haha vitrinave te librarive, dritareve te shkollave, fakulteteve, instituteve qe bejne sikur punojne, nje tekst integral te dyert hyrese te ministrive dhe Qeverise me jokapacitete ofenduese
    SALO nuk di cilen fjale…?
    ama ne fakt vecme e thash ne fillim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button