Në RMV ka nisur aplikimi i testeve të shpejta për virusin korona, Shqipëria “pret” vitin 2021

Në Shqipëri, sipas një deklarate të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu testet e shpejta të antigjenit do të mbërrinin brenda muajit dhjetor. Por sipas të dhënave të tenderit të shpallur këtë të mërkurë, mbërritja e tyre do të ndodhë në rastin më të mirë, jo më herët se mesi i muajit janar 2021. Ndërkohë Maqedonia e Veriut, Greqia, Serbia apo Kroacia e kanë nisur tashmë aplikimin e testeve të shpejta për Covid-19, me qëllim diagnostifikimin e personave të dyshuar si të prekur nga virusi Sars-Cov-2, shkruan Faktoje.al, transmeton Portalb.mk.

Autor: Marjo Brakaj

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu në një videomesazh drejtuar qytetarëve më 25 nëntor, njoftoi se testet e shpejta për Covid-19 do ishin në dispozicion brenda muajit dhjetor 2020.

“Ne po vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor duke filluar nga përmirësimi i testimit dhe gjurmimit, dhe përfshirja e testeve të shpejta brenda dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit”, – u shpreh Manastirliu.

Një javë nga deklarata e Manastirliut, Ministria e Shëndetësisë shpalli tenderin për përzgjedhjen e kompanisë e cila do sigurojë testet e shpejta për Covid-19.

Tenderi
Tenderi me objekt blerjen e testeve të shpejta për Covid-19

Sipas njoftimit të publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik të Shqipërisë, shuma e vënë në dispozicion është rreth 5 milionë dollarë, dhe kompania fituese duhet t’i sjellë ato në Shqipëri gjatë harkut kohor të një viti.

Objekti i kontratës së shpallur nga Ministria e Shëndetësisë është: “Blerje teste diagnostike antigenike të shpejta për  SARS-COV-2 për nevoja të Njësivë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, për një periudhë 12 mujore, sipas listës së miratuar nga OBSH” –Marrëveshje Kuadër me një operator  ekonomik  – ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 12 muaj me fond limit 496,000,000 (katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë milion) lekë pa TVSH.

Në kushtet e tenderit përcaktohet se çmimi për njësi do të jetë kriteri për përzgjedhjen e fituesit, ndërkohë që kompanitë e interesuara do të kenë afat deri më 18 janar për dorëzimin e ofertave.

Pra, së paku nga kushtet e përcaktuara në tenderin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, afati i dhënë nga ministrja Manastirliu përmbërritjen e testeve të shpejta brenda muajit dhjetor, duke gati i pamundur.

Përveç blerjeve nga Ministria e Shëndetësisë, Shqipëria pritet të sigurojë një sasi të konsideueshme të testeve të shpejta të antigenit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sasi kjo që pritet të mbërrijë jo më herët se mesi i muajit janar 2021.

Drejtuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, më 11 nëntor njoftoi se testet e shpejta kërkonin 8 deri në 10 javë të përgatiteshin e më pas të mbërrinin në Shqipëri.

“Jemi marrë me kohën e dorëzimit të testeve të shpejta pas 8 apo 10 javësh. Ne po përpiqemi ta përshpejtojmë. Shkenca ka lëvizur shpejt. Të gjithë po koordinohemi për të përshpejtuar këtë punë”, – njoftoi Kluge.

Çfarë janë testet e shpejta të antigenit për Covid-19?

Testet për identifikimin e personave të prekur nga virusi Sars Cov-2 ndahen në 2 kategori: teste diagnostikuese, si tamponi dhe analiza e antigjenit, të cilat kërkojnë gjurmë të virusit SARS-CoV-2, dhe testet e antitrupave (serologjike), që kërkojnë molekula të prodhuara nga ata që kanë rënë në kontakt me virusin.

Ndryshe nga tamponi klasik që merret në rrugët e frymëmarrjes, të dizenjuara për ta zbuluar ARN virale përmes një teknike të quajtur RT-PCR (reaksion zinxhir i kundërt i polimerazës), testi i antigjenit kërkon proteinat virale që janë të afta të lidhen me antitrupat, pra ato molekula që njihen si të huaja nga trupi ynë, dhe që shkaktojnë reagimin e sistemit tonë imunitar.

Edhe testet e antigjenit bëhen duke marrë një tampon me sekrecione nga hunda ose fyti, një procedurë kjo e kryer nga personeli i specializuar shëndetësor. Nëse ekzistojnë antigjenet virale, antitrupat i gjejnë dhe i lidhin ato dhe testi rezulton pozitiv. Nëse nuk janë të pranishme, ose janë të pranishme në sasi shumë të ulëta, testi del negativ. Rezultatet jepen në një kohë nga 15 deri në 45 minuta, dhe lexohen me lehtësi (nëse ka ndonjë infeksion, shiriti e ndryshon ngjyrën).

Komisioni Evropian, më 18 nëntor publikoi edhe udhëzimin për kryerjen sa më të efektshme të testeve të shpejta të antigjenit.

“Testet e shpejta të antigjenit duhet të përdoren brenda pesë ditëve nga shfaqja e simptomave ose brenda pak ditësh nga ekspozimi ndaj një rasti të konfirmuar të Covid-19”, – thuhej në udhëzimin e KE-së.

Testet e shpejta për virusin Kovid-19, foto nga Ministria e Mbrojtjes

Maqedonia e Veriut, në avantazh me testet e shpejta në raport me Shqipërinë!

Nga të dhënat e Ministria e Shëndetësisë, të përpunuara nga platforma “Worldmeters“, Maqedonia e Veriut rezulton të ketë kryer 335,298 testime ndaj Covid-19, e thënë ndryshe 160,943 teste për 1 milionë banorë.

Nga ana tjetër, Shqipëria me gati 1 milionë banorë më shumë se Maqedonia e Veriut ka kryer deri më (01.12.2020) tani 188,221, ose thënë ndryshe 65,435 teste për 1 milion banorë.

Në Shqipëri, qytetarë, punonjës të medias apo edhe punonjës të sistemit shëndetësor vijojnë të deklarojnë për vonesa në lidhje me përgjigjet e “tamponit” për Covid-19.

Shefja e Epidemiologjisë, në Institutin e Shëndetit Publik në Shqipëri, Eugena Tomini, në një intervistë televizive më 11 nëntor, teksa pranoi problemin, premtoi se me testet e shpejta do merrte zgjidhje.

“Nuk e mohoj faktin që ka vonesa në realizimin e një përgjigjeje. Por në gjithë këtë peshë është trokitje derë më derë, zhveshje nga mjetet personale dhe riveshje dhe sigurisht që ka vonesa, por që duhen mirëkuptuar dhe nuk duhen marrë të veçuara. Ka pakënaqësi”, – u shpreh Tomini.

Shefja e departamentit te Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik në Shqipëri, Silva Bino, në një intervistë televizive më 13 nëntor renditi avantazhet e testeve të shpejta të antigjenit. Ato ndihmojnë shumë në menaxhimin e pandemisë së COVID-19, pasi janë të thjeshta, mund të kryhen nga mjeku i familjes e nuk kërkojnë laborator apo pajisje të veçantë.

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, në një postim në rrjetin social “Facebook”, më 3 tetor renditi gjithashtu disa prej avantazheve në raport me testin e tamponit që aplikohet aktualisht.

“Testet e shpejta të antigjeneve të SARS-CoV-2 janë gati! Ky është hapi i radhës me gjasat më të larta për t’u hedhur dhe është plani më realist në afat të shkurtër. Rezultati del në 15-30 minuta; kostoja është 3,9 euro ose më pak; ndjeshmëria është 80-90 për qind; mund të kryhen në çdo ambient”, – shkroi epidemiologu Alimehmeti.

Disa vende në Europë e madje edhe në Rajon si, Greqia, Serbia apo Kroacia kanë nisur të aplikojnë testet e shpejta të anigeneve me qëllim identifikimin e raste të dyshuara si të prekur nga virusi Sars-Cov-2.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button