SHPALLJA E PAVARËSISË SIPAS SHTYPIT SLLOVEN

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është raportuar edhe në shtypin slloven. Gazetat “Slovenec”, “Dan” dhe “Slovenski narod”, që mbronin qëndrime proserbe në raport me shqiptarët, ishin kundër pavarësisë. Gazetat “Zarja” dhe “Shtajerc”, që e përkrahnin politikën e jashtme austro – hungareze, ishin pro saj. “Slovenec” shkruante se shqiptarët mund të përparonin kulturalisht vetëm nën sundimin e Serbisë apo Greqisë, ndërkaq gazeta “Zarja” theksonte se shqiptarët, duke e pasur shtetin e tyre, shumë shpejt do të renditeshin përkrah shteteve evropiane, sepse ishin popull i aftë, inteligjent dhe i fuqishëm.

Si ilustrim po japin disa shkrime për shpalljen e pavarësisë, të botuar në gazetat e dy taborëve.

Gazeta “Slovenec” e 29 nëntorit të 1912, në shkrimin “Në Vlorë u shpall autonomia shqiptare”, njoftonte se “nën kryesimin e Ismail Kemal beut u proklamua pavarësia e Shqipërisë, i cili e ngriti flamurin shqiptar me shumë entuziazëm, ndërkaq populli u mblodh para konsullatës austriake dhe organizoi një manifestim”.

Në të njëjtin numër, sipas një lajmi nga Beogradi, thuhet se serbët kishin depërtuar në brendi të Shqipërisë.

“Sipas lajmeve që vijnë nga Manastiri, ushtria serbe, pas një beteje në këtë qytet, arriti ta merrte Dibrën, Elbasanin dhe Tiranën”.

Kjo gazetë, në numrin e 30 nëntorit të 1912, sjell disa lajme mbi ngjarjen historike. Sipas lajmit nga Beogradi, me titullin “Shpallja e Shqipërisë së pavarur në Vlorë”, thuhet: “Na ka arritur një lajm i besueshëm se në Vlorë është shpallur autonomia në praninë e një numri të vogël shqiptarësh, sepse shumica nuk e ndjekin Ismail Qemalin”.

Në lajmin nga Vjena, me titullin “Pavarësia e Shqipërisë”, thuhet se Izmail Kemal Beu, sikurse shënohet në gazetë, i kishte dërguar një depeshe ministrit të Jashtëm austriak, grofit Berchtold, ku thuhej: “Sot, në Vlorë, u mblodh Kuvendi Kombëtar, me delegatë krahinash të ndryshme shqiptare dhe pa dallime feje, që e shpalli pavarësinë politike të Shqipërisë dhe e zgjodhi qeverinë e përkohshme, me detyrën që ta mbrojë vullnetin dhe ekzistencën e shqiptarëve të kërcënuar me zhdukje prej ushtrisë serbe dhe për ta çliruar vendin prej ushtrive të aleancës ballkanike. Duke ia bërë të njohur Ekselencës Suaj, kam nderin që të kërkoj nga Qeveria dhe Madhëria Juaj njohjen e ndryshimit të jetës politike të kombit shqiptar. Shqiptarët janë pjesë e familjes së Europës dhe ndjehen krenarë që janë më të vjetrit në Ballkan. Ata duan të jetojnë në paqe me të gjithë shtetet e Ballkanit dhe të jenë element baraspeshe. Ata janë të bindur se Qeveria dhe Madhëria, ashtu si e gjithë bota e qytetëruar, do ta përgatisin një pranim përfundimtar dhe vendi do të mbrohet prej çdo sulmi kundër ekzistencës kombëtare dhe kundër ndarjes së territorit”.

Në një lajm që vinte nga Vlora thuhej: “Kryetar i qeverisë së përkohshme ishte zgjedhur myslimani Izmail Kemal beu, zv. kryeministër katoliku (Nikoll) Kaçorri dhe sekretar katoliku (Luigj) Gurakuqi.”

Ismail Qemali, thuhet në këtë lajm, u kishte bërë thirrje shqiptarëve që ta çlironin Durrësin dhe Elbasanin, të cilët ishin pushtuar prej serbëve dhe bënte të ditur se “neutralitetin e Shqipërisë do ta mbronin fuqitë e mëdha”.

Gazeta e përcjell edhe shkrimin e “Piccolo” – s me titull: “Si arriti Ismail Qemali në Durrës?”. Sipas shkrimit, Ismail Qemali me bashkëmendimtarët, derisa shkonin drejt Durrësit, ishin nën përkujdesjen e Austrisë, përkundër shantazheve greke.

“Izmail Kemal Beu, me 13 shokë, më 19 nëntor, ishte nisur me anijen shoqëruese të avullores “Lloyd”, e quajtur “Brunn”, e cila duhej të lundronte nëpër Brindisi drejt Kostandinopojës. Qeveria austriake e kishte ndryshuar kursin e lundrimit të anijes, për t’u ndalur në Kepin e Rodonit”.

Më 20 nëntor, pas një alarmi radiotelegrafik të “Lloyd”-it, kishte arritur në Durrës edhe avullorja tjetër “Wurmbrand”. Për shkak se ishte natë, delegacioni shqiptar qëndroi në anijen “Brunn” bashkë me bordin, për sa kohë anijet greke ishin në kërkim të të “kontrabanduarit Izmail Kemal Beut, të cilin nuk e kishin vënë re në kabinë”.

Gazeta “Zarja”, më 30 nëntor të 1912, informonte se “në Vlorë u shpall Shqipëria autonome”.

“Delegatët shqiptarë prej feve të ndryshme e shpallën pavarësinë, kurse guvernator e zgjodhën Izmail Kemal beun. Ajo duhet të njihet nga fuqitë e mëdha”.

Gazeta shkruan se në shpalljen e pavarësisë ishin të pranishëm 83 delegatë. Menjëherë më pas, Ismail Qemali e kishte njoftuar ministrin e Jashtëm të Italisë, Guilianon nëpërmjet një depesheje. Është e njëjta që iu dërgua edhe ministrit të jashtëm austro – hungarez.

E njëjta gazeta, më 2 dhjetor 1912, shkruante se “flamuri shqiptar ishte ngritur në Durrës, Tiranë, Krujë, Peqin, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet”, kurse kryengritësit, nën udhëheqjen e Riza Beut dhe Isa Boletinit, kishin zënë pozicione të ndryshme.

“Serbët e kanë pushtuar Krujën, Durrësin dhe Tiranën menjëherë pasi u shpall pavarësia. Raportohet se ka 25 mijë shqiptarë të armatosur”.

Më 7 dhjetor gazeta informonte se “ishte konsoliduar qeveria dhe senati me 18 anëtarë“. Në lajm jepen edhe emrat e ministrave të qeverisë shqiptare.

Shpallja e pavarësisë është raportuar edhe në gazeta tjera sllovene, që kanë vazhduar të shkruajnë për ngjarjet në Shqipëri edhe pas vitit 1912, por prej këndvështrimeve të ndryshme. Përderisa gazetat pro-serbe kishin qëndrim armiqësor, gazetat pro-austriake besonin se shqiptarët shumë shpejt do të renditeshin përkrah popujve të qytetëruar të Evropës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button