Mariçiq: Filtrim të gjyqësorit dhe prokurorisë për më shumë besueshmëri të qytetarëve në sistemin gjyqësor
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në kuadër të konferencës “Llogaritje të boshllëqeve mes proceseve formale dhe praktikave joformale të cilat e formësojnë kulturën gjyqësore të Ballkanit Perëndimor”, e cila është mbajtur nën organizim të Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, tha se gjyqësori në vend duhet që të filtrohet, mes tjerash edhe me qëllim që të rritet besueshmëria e qytetarëve në sistemin gjyqësor, njofton Portalb.mk.
“Procesi i filtrimit të gjyqësorit dhe prokurorisë, mes tjerash, duhet të na tregojë nëse kemi problem serioz me kodeksin joformal të sjelljes. Këtë proces tanimë e kemi paralajmëruar dhe presim që së shpejti ta publikojmë metodologjinë sipas të cilave vlerësojmë se duhet që të zbatohet. Gjithsesi këtë proces do ta udhëheqë Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik. Qëllimi është që të rritet besueshmëria në sistemin gjyqësor nëpërmjet ndarjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët me vetëdije dhe përgjegjësi e kryejnë punën e tyre, prej atyre që atë nuk e bëjnë”, tha Mariçiq.
Sipas ministrit, roli i Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë nuk është të japë aktgjykime, të gjykojë dhe të përzihet në raste konkrete gjyqësore, por që të marrë pjesë në ndërtimin e sistemit të drejtësisë i cili do të jetë efikas, përgjegjës dhe transparent, a filtrimi është vetëm një hap drejt realizimit të këtij qëllimi.
Mariçiq në fjalimin e tij në konferencë tha se edhe në të ardhmen do t’i përkushtohet vëmendje në zbatimin e plotë të ligjeve të miratuara.
Reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.
“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.
Për modelin e ri, profesoresha universitare, Besa Arifi, në një analizë të Portalb.mk, vlerësoi se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.
Nuk ka ende detaje se kush dhe si do ta zbatojë vetingun te politikanët.