E SHENJTA DHE KRIZA E LIRISË (I)

“E shenjta është e kundërta e kaosit” Peter L. Berger

Viti 2012, revista “Charlie Hebdo” para falimentimit. Në shtator të po atij viti botoi karikaturat e profetit Muhamed dhe ministri i jashtëm Laurent Fabius e pati kritikuar vendimin e kësaj magazine duke u shprehur: “Në Francë ekziston liria e shprehjes që nuk duhet të minohet. Pas publikimit të këtyre karikaturave absurde, emocione të fuqishme janë ngjallur te myslimanët e shumë vendeve. Vërtet a është e kuptimtë ose inteligjente që të hidhet benzinë në zjarr?” (The New York Times, 19.09.2012) Të qenët në prag të bankrotit vazhdoi deri në vitin 2015, kur revista shiste vetëm 30.000 kopje në javë. Dhe më 7 janar 2015 ndodhi sulmi terrorist ndaj të punësuarve në Charli Hebdo ku u vranë 12 veta, ndërsa Donald Trump, një javë pas sulmit bëri një tweet ku thoshte se kjo revistë “ia përkujtonte atij satiriken tjetër “Spy” që ishte e pandershme, e ligë dhe falimentoi”, “sikur moronët të mos i vrisnin njerëzit, sikur të kishin pritur, ajo do të pushonte së ekzistuari; s’ka para, s’ka sukses”. (The Independent, 8.02.2017) Dhe pas kësaj ngjarjeje, pas sulmit, revistës në fjalë shitja iu rrit në 200.000 kopje, kurse sot sërish ka rënë në 30.000. Senzacioni bën para, por për një afat të shkurtër.

Këtyre ditëve botën e trazoi rasti i ekzekutimit të një mësuesi, Samuel Paty, në Conflans Sainte-Honorine, Paris, nga një çeçen 18 vjeç, Abdullah Anzorov, si hakmarrje ndaj shpalosjes së karikaturave të profetit Muhamed në orë të mësimit, akt ky që nga individë dhe grupe minore  myslimane u cilësua si heroizëm, nga një pjesa dërrmuese e besimtarëve si akt individual ekstrem, si krim që s’e përfaqëson ndërgjegjen kolektive myslimane, veprim i lemerishëm ky ndaj të cilit instancat zyrtare të botës islame, me përjashtim të ca imamëve francezë (dhe një shqiptar nga Zvicra me prejardhje nga RMV, https://rb.gy/sfcpln), heshtën, kurse nga mediat dhe publiku global u cilësua si terrorizëm. Ndërkohë, presidenti francez përdori shprehjen klishe: “sulm terrorist islamik” (BBC, 17.10.2020), që s’i kontribuon bashkëjetesës në shoqërinë globale multireligjioze. Ishte ky një akt shqetësues një veprim i tmerrshëm që edhe një herë vërtetoi se sa e ndjeshme është sfera e fesë, e të shenjtës, se si shumë lehtë mund tensionohet situata edhe në një shoqëri laike, shtrat i laicitetit, siç është Franca, ku sërish u vunë në agjendë të debateve kufijtë e lirisë së shprehjes, të artit, të satirës.  Feja, që shpesh barazohet me të shenjtën, si një spiritus movens (shpirt lëvizëse) i grupeve dhe bashkësive prapë u bë temë e nxehtë jo vetëm në Francë, por edhe më gjerë.

Në fakt ç’janë e shenjta dhe shenjtëria? Sipas sociologjisë së fesë, e shenjta përfshin dukuritë që trajtohen si të jashtëzakonshme, transcendente dhe jashtë vijës së përditshme të ngjarjeve. Është një fushë që mbetet jashtë qeverisjes së njeriut, por që i drejtohet (i flet) atij; një  forcë e cila drejton ekzistencën e tij, të cilën dëshira dhe përpjekja e paraqesin si absolute. Në shoqërinë moderne realiteti i së shenjtës është tkurrur si pasojë e racionalizimit të kulturës. Sipas Mircea Eliade-s (1907-1986) e shenjta është një gjë që vjen prej jashtë botës fizike, nga një instancë tjetër, kurse forma që merr është profane. Kjo përbërëse e jetës njerëzore që vjen nga një botë tjetër dhe që pasqyrohet dhe manifestohet në një gjë të kësaj bote fizike, për shkak të thelbit të vet, e ruan përkatësinë tejbotërore. Sipas Peter L. Bergerit gjithësia e shenjtë, e cila e kapërcen dhe e përfshin njeriun në rregullimin e realitetit, i siguron njeriut mburojën përfundimtare kundër terrorit të anomisë. (Kirman, 2004: 135; McGuire, 2003: 35)

Ndodhia e fundit, „Rasti Paty“ edhe një herë vuri në skenën e dialogjisë, konfrontimit „kornizën e lirisë“ (intolerance frame) me atë të lirisë së shprehjes (freedom-of-speech frame), të ndjesisë fetare (religious sensitivity) dhe të kontrollit të shtypit (press control) apo të medies në përgjithësi. Më e keqja, në këtë ose në atë mënyrë, vuri në ballafaqim dy botëra, atë perëndimore, që ka pasur një mesjetë me dhunë religjioze nga e cila ka shpëtuar përmes iluminizmit, që tanimë fenë e ka shndërruar në një relikt, që e ka vënë në marginat sociale, dhe ‚produkteve‘ të botës islame (botëvështrimit islamik), ku feja ende është e gjallë, aktor i fuqishëm social, ku e shenjta përbën një zonë të ndaluar për satirizim, por edhe dhunë e brendshme me ngjyrime fetare (Afganistan, Siri, Jemen), që shpesh reflektohet edhe në Perëndim. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button