MENDIMTARI TEKANJOZ

Faik Konicës përherë iu përmendën veset, kurse personaliteteve tjerë të historisë dhe kulturës sonë iu përmendën vetëm virtytet.

Figurat e historisë dhe kulturës sonë, sipas asaj që është shkruar, duken si njerëz pa vese, ndonëse në mesin e tyre kishte të dhënë pas qejfeve, pas rakisë, grave ose parave.

Konicës iu përmendën veset sepse ishte gjuhashpër. I kritikoi (madje i shau) shqiptarët në gjuhën shqipe, por i mbrojti në gjuhë të huaja. Përderisa në shtypin shqiptar ua përmendte marrëzitë dhe veset, në shtypin e huaj fliste për virtytet e tyre. Brenda familjes bërtasim e qortohemi, por jashtë e mbrojmë dhe ia promovojmë asaj vetëm anët e mira.

Konica i kritikoi shqiptarët sepse dëshironte që ata të ndryshonin, të bëheshin më të mirë, më të fisëm, të krijonin vetëdije të re për veten dhe botën, por thellë në vetvete i mirëkuptonte. Ai e dinte se kështu kishin mundur të mbijetonin në zonën e përplasjeve të mëdha historike.

Mendimtari tekanjoz, për shkak të temperamentit të vështirë, bëri shumë armiq, por falë vetëdijes së tij kritike “në kohën e lavdit dhe mitit”, siç thotë Sabri Hamiti, bota shqiptare pati mundësinë ta shihte fytyrën e vërtetë mbi të cilën kishte një maskë. Këtë maskë ua kishin sajuar romantikët shqiptarë, që t’ua ngjallnin vetërespektin e humbur.

Konica ishte kritikuesi i modelit kulturor dhe jetësor të shqiptarëve. I goditi idhujt pa krena, ashtu sikurse bëri më pas edhe Migjeni. Kjo e armiqësoi me shumë njerëz të kohës së tij, por edhe të kohës që erdhi më pas.

Ai shkruante si francez për personalitetet shqiptare dhe fliste ndryshe nga çfarë foli historia jonë. Foli edhe për tekat e figurave kombëtare, por historia jonë i mbajti mend vetëm tekat e Konicës.

Mendimtari tekanjoz nuk e duroi mediokritetin. E vlerësoi vetëm cilësinë dhe jo edhe sasinë. Kur e kapte nervoza sulmonte me arsenal të rëndë sharjesh e fyerjesh edhe ata që i çmonte për punën e tyre krijuese.

Konica bëri dallimin që edhe sot nuk e bëjnë shumë studiues – se atdhedashuria dhe letërsia janë gjëra të ndryshme, se njeriu mund të jetë atdhetar i madh, por nuk është e thënë të jetë letrar i madh dhe anasjelltas.

Konica për nga bindjet ishte intelektuali më evropian ndër shqiptarë, por kishte edhe ai teke ballkanasi. Megjithatë, njerëzve të mëdhenj si ai u falen teket.

Konica si emër i madh i historisë kulturore shqiptare nuk mund t’u ikte fazave vlerësuese, ashtu siç i rendit Noli kur flet për Skënderbeun: glorifikimin, asgjësimin dhe rivlerësimin.

Konica u demonizua, një periudhë u glorifikua, kurse tani duhet të rivlerësohet me të gjitha meritat si mendimtar dhe me të gjitha veset si qytetar.

Historia shqiptare nuk varfërohet nëse shumë emra të saj do të harroheshin. Pa emrin e Konicës ajo mbetet shumë e varfër. Veçanërisht historia e kulturës shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button